2024.12.04 Audienca Përgjithshme 2024.12.04 Audienca Përgjithshme

Papa: shpallja e Ungjillit është çështje feje, jo bindjeje

Në audiencën e sotme të përgjithshme Françesku foli për rolin e Shpirtit Shenjt në predikimin e Kishës dhe i nxiti besimtarët të transmetojnë, së bashku me idetë dhe doktrinën, dëshminë e jetës së tyre. Predikatarët i këshilloi: predikimi duhet të jetë i shkurtër me "ide, dashuri dhe ftesë për të vepruar"

R.SH. / Vatikan

Papa, duke vazhduar ciklin e katekizmit të audiencës së përgjithshme titulluar "Shpirti dhe nusja", e përqendroi meditimin e sotëm tek tema "Kumtimi i Ungjillit në Shpirtin Shenjt. Shpirti Shenjt dhe ungjillëzimi”.

Nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, para shtegtarëve të ardhur nga vende të ndryshme, Papa pyeti se cili është roli i Shpirtit Shenjt Zot në predikimin e Kishës. E më pas shpjegoi se shpallje e Ungjillit do të thotë të japësh "lajmin e mirë për Jezusin, duke bërë të njohur misterin e Pashkëve të vdekjes dhe ringjalljes së tij”.

Të mos predikojmë veten, por Jezu Krishtin

Kjo është veprimtaria ungjillëzuese e Kishës, por “Ungjilli duhet predikuar ‘përmes Shpirtit Shenjt’, duke i besuar plotësisht pushtetit të tij”. Këtë shpjegoi Papa Françesku në audiencën e parë të përgjithshme të dhjetorit, e edhe në përmbledhjen e parë dhe në përshëndetjen në gjuhën kineze, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga një diell i vaktë. E, pasi përshkoi me xhipin e tij hemisferën e Berninit mbushur plot me besimtarë, Papa në katekizmin e tij u përqendrua tek roli i Shpirtit Shenjt në predikimin e Kishës, duke na ftuar të mos predikojmë veten, por Jezu Krishtin! Ndërsa predikatarët i porositi të predikojnë shkurtimisht:

Shpesh herë këto predikime  janë tepër të gjata, 20 minuta, 30 minuta... Por, ju lutem, predikatarët duhet të predikojnë një ide, një dashuri, një ftesë, që duhet bërë. Pas më shumë se 8 minutash, predikimi zbehet, nuk kuptohet më”.

Në praktikë “predikimi duhet të jetë ide, dashuri, propozim për t’u bërë. Ndaj nuk duhen kaluar 10 minutat”- shpjegon Françesku.

Kumtimi i Ungjillit

Në katekizmin e tij, Papa saktësoi se ka dy elemente, të cilat e karakterizojnë predikimin: Ungjilli, që është përmbajtja, e Shpirti Shenjt, që është mjeti. Përsa i përket përmbajtjes, duhet mbajtur mend se predikimi i Jezusit dhe ai i Apostujve i përfshin "të gjitha detyrat morale që rrjedhin nga Ungjilli, duke nisur nga Dhjetë Urdhërimet e deri te urdhërimi "i ri i dashurisë", por zemra e njoftimit është vepra e Krishtit - nënvizoi Papa:

Nëse nuk dëshiron të biesh përsëri në gabimin e kujtuar nga Shën Pali Apostull për vënien e ligjit përpara hirit dhe të veprave, përpara fesë, nëse nuk do të biesh në këtë, është e nevojshme të fillosh përsëri dhe përsëri nga kumtimi i asaj që bëri Krishti për ne.

Qendra e veprimtarisë ungjillëzuese dhe e çdo synimi të përtëritjes kishtare  duhet të jetë kerygma, "shpallja e parë", këmbëngul Papa Françesku, ajo, nga e cila "varet çdo zbatim moral", e edhe "ajo, tek e cila duhet të kthejmë gjithmonë" për ta dëgjuar në mënyra të ndryshme” dhe për ta shpallur gjithnjë.

Predikoni me vajosjen e Shpirtit

E pastaj "ashtu si Krishti, i shenjtëruar me vajimin e Shpirtit, u dërgua nga vetë Shpirti Shenjt "për t'u çuar lajmin e mirë të varfërve", kështu duhet të jetë edhe për Kishën. Ungjilli duhet të predikohet përmes Shpirtit Shenjt:

Të predikosh me vajimin e Shpirtit Shenjt do të thotë të transmetosh, së bashku me idetë dhe doktrinën, jetën dhe bindjen e fesë sonë. Do të thotë të mos mbështetesh në 'fjalimet bindëse të urtësisë, por në dukjen e Shpirtit e të fuqisë së tij', siç pati shkruar Shën Pali.

Lutuni e mos predikoni vetveten

Por si mund t'i zbatojmë të gjitha këto praktikisht? Si t’i besojmë  Shpirtit Shenjt Zot? Para së gjithash, duke u lutur e, më pas, duke mos predikuar vetveten - është përgjigja e Papës:

Shpirti Shenjt vjen mbi ata që luten, sepse Ati Qiellor - shkruhet - "u jep Shpirtin Shenjt atyre, që e kërkojnë", veçanërisht nëse e kërkojnë për të shpallur Ungjillin e Birit të tij! Mjerë ai që predikon pa u lutur! Bëhemi si ata që apostulli i përkufizon "bronze që jehojnë dhe cimbale që tingëllojnë". Prandaj, gjëja e parë që varet nga ne është të lutemi që të vijë Shpirti Shenjt. E dyta nuk është dëshira për të predikuar vetveten, por për të predikuar Jezusin Zot.

Në veçanti, të mos duash të predikosh vetveten do të thotë "të mos u japësh gjithmonë përparësi nismave baritore të stisura nga ne dhe të lidhura me emrin tonë - përfundon Papa Françesku - por të bashkëpunosh vullnetarisht, kur na kërkohet, në nismat e bashkësisë ose atyre që na besohen.

04 dhjetor 2024, 12:17

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >