Papa: qeverit të dëgjojnë britmën e miliona njerëzve të privuar nga të drejtat e tyre
R.SH. / Vatikan
#Të drejtat e njeriut për jetë dhe paqe janë një kusht thelbësor për ushtrimin e të gjitha të drejtave të tjera. Qeveritë duhet të dëgjojnë thirrjen për paqe e miliona njerëzve të privuar nga të drejtat më elementare shkaktuar nga lufta, nëna e çdo varfërie!”, shkruan Papa Françesku në platformën sociale X në nëntë gjuhë @Pontifex, sot më 10 dhjetor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Dinjiteti i shkelur
Tema e ditës së sivjetshme - e themeluar për të kremtuar miratimin në 1948 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së - është "Të drejtat tona, e ardhmja jonë, tani". "Kjo - thotë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, në një mesazh - na kujton se të drejtat e njeriut kanë të bëjnë me ndërtimin e së ardhmes, pikërisht tani. Të gjitha të drejtat e njeriut janë të pandashme: qofshin ekonomike, sociale, qytetare, kulturore apo politike, kur cenohet një e drejtë, të gjitha të drejtat dobësohen”. Vetë Guterres denoncon fuqishëm se sot me "dhjetëra miliona njerëz janë të zhytur në varfëri, uri, sisteme të dobëta shëndetësore dhe arsimore që ende nuk janë rikuperuar plotësisht nga pandemia Covid-19. Pabarazitë globale po përhapen. Konfliktet po përshkallëzohen. Ligji ndërkombëtar po injorohet qëllimisht."
Deklarata Universale për të drejtat e njeriut
Dita e 10 dhjetorit na kujton datën e rëndësishme të 10 dhjetorit të vitit 1948, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi solemnisht Deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut, një nga aktet e para ndërkombëtare të kësaj asambleje.
Me këtë Deklaratë, Shtetet nënshkruese impenjoheshin për të mbrojtur të drejtat themelore të shtetasve. Kundër shkeljeve të mundshme do të ndërhynte një Komitet i themeluar me qëllim që të merrte masa ndeshkimore. Në nenin e parë të Deklaratës Universale mbi të drejtat e njeriut shkruhej: të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë, me të njëjtin dinjitet e të njëjtat të drejta. Ata janë të pajisur me arsye e ndërgjegje, prandaj duhet të sillen njëri me tjetrin me frymën e vëllazërisë!
Më 10 dhjetor 1948, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e mbledhur në Paris, adoptoi Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, që përbën edhe sot një pikë shumë të lartë referimi për dialogun ndërkulturor mbi lirinë e të drejtat e njeriut. Dinjiteti i çdo njeriu garantohet me të vërtetë, vetëm atëherë kur të gjitha të drejtat themelore njihen, mbrohen, promovohen.
Kisha katolike e të drejtat themelore universale
Kisha katolike ka ripohuar gjithnjë se të drejtat themelore janë universale, sepse të rrënjosura thellë në vetë natyrën e njeriut. Ligji natyror i shkruar nga Zoti në ndërgjegjen njerëzore, është emërues i përbashkët për të gjithë njerëzit, të gjithë popujt: është prijës universal, që mund ta njohin e ta kuptojnë të gjithë. Sipas Benediktit XVI: “Të drejtat e njeriut themelohen nga Hyji krijues, i cili u dhuroi të gjithëve arsyen e lirinë. Shkëputur nga kjo bazë e shëndoshë etike, të drejtat njerëzore mbeten të brishta, sepse pa themelin e tyre të fortë”.
Kujtimi i përvjetorit të Deklaratës është edhe rast i përshtatshëm për të verifikuar se në çfarë mase idealet, e pranuara nga shumica e bashkësisë së Kombeve më 1948, respektohen sot në ligjshmëritë e ndryshme kombëtare e, sidomos, në ndërgjegjet e individëve e të bashkësive. Nuk ka dyshim se është bërë një rrugë e gjatë, por mbetet akoma shumë për t’u bërë. E kjo, sepse miliona njerëzve, ende sot, u shkelet e drejta për të jetuar, u mungon liria dhe siguria; u dhunohet barazia e dinjiteti, ndërsa mure të reja ngrihen për shkak të racës, të fesë, të opinioneve politike e të bindjeve të tjera. Urojmë të vijojë me hov të ri impenjimi për t’i promovuar e për t’i përcaktuar më mirë të drejtat e njeriut si edhe përpjekja për të garantuar respektimin e tyre.