Papa: teologjia është dritë dhe ka nevojë për kontributin femëror
R.SH. / Vatikan
Dëshira që teologjia të ndihmojë për të "rimenduar të menduarit" dhe ftesa për ta bërë "të arritshme për të gjithë", duke nënvizuar nevojën për kontributin e femrës, sepse "teologjia e burrave është gjysmë teologjie". Këto janë udhëzimet e Papës Françesku për mbi 450 pjesëmarrësit në Kongresin Ndërkombëtar për Ardhmërinë e Teologjisë, organizuar nga Dikasteri për Kulturën dhe Arsimin, pritur mëngjesin e sotëm, 9 dhjetor, në Sallën e Bekimeve të Pallatit Apostolik të Vatikanit.
Teologjia, dritë, që e bën të dukshme Dritën
Pedagogëve, studiuesve dhe dekanëve nga të katër anët e botës, të mbledhur sot dhe nesër në Universitetin Papnor Lateranens për të reflektuar se si mund të përvetësohet trashëgimia e madhe teologjike e brezave të kaluar dhe kështu të imagjinohet e ardhmja, Papa u kujton se kur mendon për teologjinë, të shkon mendja tek drita. Falë kësaj të fundit, “gjithçka del nga errësira, fytyrat zbulojnë konturet e tyre, e, më në fund duken format dhe ngjyrat e botës”. “E matur, e butë, e përvujtë”, drita “i bën gjërat të duken, por pa u dukur” - pohon Papa. Në të njëjtën mënyrë, teologjia bën një punë "të fshehtë dhe të përvuajtur", që kështu të duket drita e Krishtit dhe e Ungjillit të tij.
Nga ky vrojtim lind për ju një rrugë: domethënë, të kërkoni hirin dhe të mbeteni në hirin e miqësisë me Krishtin, dritë e vërtetë, që erdhi në këtë botë.
Përfytyrimi i së ardhmes
Çdo teologji - vëren Françesku - "lind nga miqësia me Krishtin dhe nga dashuria për vëllezërit, motrat, botën e tij", botë "dramatike dhe madhështore në të njëjtën kohë, plot dhimbje, por edhe plot me bukuri prekëse". Ditët e Kongresit do të jenë të rëndësishme - sipas Papës - për të kuptuar "nëse trashëgimia teologjike e së kaluarës mund të thotë ende diçka për sfidat e sotme" dhe të ndihmojë "për të përfytyruar të ardhmen", në një rrugë që "teologet e teologët", janë të thirrur ta bëjnë së bashku. Duke pasur parasysh se "teologjia e burrave është gjysmë teologjie", sepse "ka gjëra që vetëm gratë i nuhasin, ndaj teologjia ka nevojë për kontributin e tyre".
Dëshira për një mendim të ri
Papa shpreh dëshirën që teologjia të kontribuojë për “ta rimenduar mendimin”, sepse ndjenjat, vullneti dhe vendimet rrjedhin nga ky i fundit.
Zemra e gjerë përkon me imagjinatën dhe mendimin e gjerë, ndërsa mendimi i ngathtë, i mbyllur dhe mediokër vështirë se mund të ketë frymë krijuese dhe guxim.
Gjëja e parë që duhet bërë për të rimenduar të menduarit, është të shëroheni nga thjeshtimi.
Realiteti është kompleks, sfidat janë të ndryshme, historia banohet nga e bukura e njëkohësisht plagoset nga e keqja, e kur nuk mundemi ose nuk duam ta përballojmë dramën e këtij kompleksiteti, atëherë priremi lehtësisht ta thjeshtojmë.
Ideologjia, thjeshtësim që vret
Një proces, ai i thjeshtëzimit, i cili “dëshiron ta gjymtojë realitetin, lind mendime sterile dhe unike, polarizime dhe copëzime”, sipas stilit tipik të “ideologjive”.
Ideologjia është thjeshtësim që vret: vret realitetin, vret mendimin, vret bashkësinë. Ideologjitë rrafshojnë gjithçka në një ide të vetme, të cilën më pas e përsërisin në mënyrë të ankthshme dhe instrumentale, sipërfaqësore e si papagaj
Si "ilaç" kundër thjeshtësimit, Papa propozon që forma e mendimit teologjik të "fermentohet" së bashku me atë të njohurive të tjera: filozofisë, letërsisë, arteve, matematikës, fizikës, historisë, shkencave juridike, politike dhe ekonomike, sepse ato janë “si shqisat e trupit”, secila ka “veçantinë” e vet, por kanë edhe nevojë për njëra-tjetrën.
Duke kontribuar në rimendimin e mendimit, teologjia do të rinisë të shkëlqejë ashtu siç e meriton, në Kishë dhe në kultura, duke ndihmuar secilin në kërkimin e së vërtetës.
Teologji e arritshme për të gjithë
Papa flet, më pas, për një prirje që shfaqet "prej ndonjë viti, në shumë pjesë të botës: burrat dhe gratë, veçanërisht të moshës së mesme, ndoshta tashmë të diplomuar, dëshirojnë të thellojnë fenë e tyre, duan të bëjnë një udhë, ndaj shpesh regjistrohen në një fakultet universitar”. Prej këndej, ftesa për ta bërë teologjinë të kuptueshme për të gjithë.
Ju lutem, nëse ndonjë nga këta njerëz troket në derën e teologjisë, të shkollave teologjike, ju lutem ta gjej të hapur. Sigurohuni që këto gra dhe këta burra të gjejnë në teologji një shtëpi të hapur, një vend ku mund të rifillojnë shtegtimin e tyre, ku mund të kërkojnë, të gjejnë dhe të kërkojnë përsëri.