Françesku u dërgon një mesazh të burgosurve të Sollicciano: ju përqafoj të gjithëve
R. SH. Vatikan
"Dëshiroj t’i përqafoj të gjithë të burgosurit, të cilët i siguroj për afërsinë time njerëzore e shpirtërore. I ftoj t'i besojnë gjithmonë Zotit, Atit të mirë dhe të mëshirshëm". Këto, fjalët që Papa Françesku u drejtoi gjithë të burgosurve në burgun fiorentin të Sollicciano-s, në një mesazh lexuar në fund të Meshës, kremtuar dje pasdite, 19 dhjetor, nga kryeipeshkvi i Firences, Imzot Gherardo Gambelli. Liturgjinë e kremtoi kardinali shqiptar Ernest Simoni, viktimë e persekutimit të regjimit komunist, i ftuar nga Kryeipeshkvi për ta shoqëruar gjatë vizitës së Krishtlindjes në burg. I njoftuar për praninë e Kardinalit Simoni, Papa Françesku i dërgoi atij një mesazh për t’ua dorëzuar të burgosurve.
“Të gjithë e mirëpresim Jezusin, që lind dhe na i mbush zemrat me fe e me shpresë” - lexohet në letër - "Duke uruar Krishtlindjen Shenjte dhe një vit të ri paqësor, ju përcjell përzemërsisht bekimin tim atëror ju, vëllezërve në burg, familjeve të tyre dhe stafit të burgut. Ju përqafoj të gjithë dhe ju kërkoj të luteni për mua".
Predikimi i Kryeipeshkvit
Në predikimin e rastit, Kryeipeshkvi - duke u mbështetur në Ungjillin e ditës - i solli të burgosurve një kumt shprese, mesazhin qendror të Jubileut 2025, duke kujtuar edhe përvojën jetësore të kardinalit Simoni, i arrestuar në prag të Krishtlindjes 1963 në burgun e Shkodrës, ku pësoi mundime të papërshkrueshme.
“Kardinali Simoni, viktimë e persekutimit të regjimit komunist në Shqipëri, vuajti 28 vjet burgim dhe punë të detyruar. Prania e tij sot, mes jush, kujton një vuajtje të përbashkët dhe tregon se dinjiteti i njeriut duhet rikthyer gjithmonë në drejtësi, por mbi të gjitha, dëshmon se forca e fesë të mban në këmbë edhe në çastet më tragjike arrin ta mposhtë të keqen”.
“Vetë Jezusi, që do ta festojmë pas pak ditësh, lindi në një situatë të vështirë shtypjeje, varfërie, por Zoti i mishëruar solli dritë në historinë e ne të gjithëve” - tha Prelati që ishte kapelan i Sollicciano, përpara se të emërohej kryeipeshkëv i Firences.
"Shpresa jonë qëndron në sigurinë se Zoti nuk do të na braktisë kurrë në mjerimet dhe gabimet tona, nëse ne jemi të gatshëm të ndërrojmë rrugë e ta mirëpresim. Duke besuar tek Ai, burgu mund të bëhet vendi ku ne mund të gjejmë paqen në zemër".