Papa, besimtarëve të Nikaraguas: mos dyshoni në Zotin, edhe në çaste të vështira
R.SH. - Vatikan
“Mos harroni Provaninë e dashur të Zotit, që na shoqëron dhe është i vetmi udhërrëfyes i sigurt. Pikërisht në çastet më të vështira, kur bëhet e pamundur të kuptojmë çka kërkon Zoti prej nesh, jemi të thirrur të mos dyshojmë për kujdesin dhe mëshirën e tij”.
Është inkurajim i fuqishëm Letra baritore, që Papa Françesku u dërgoi të gjithë besimtarëve të Nikaraguas, vendit të Amerikës Qendrore, i cili prej vitesh po jeton një krizë të rëndë. Krizë, e cila goditi edhe Kishën Katolike me një sërë arrestimesh apo dëbimesh ipeshkvijsh e priftërinjsh. Në këto ditë katolikët e Nikaraguas po kremtojnë Nëtëditshen e Zojës së Papërlyer dhe Papa dëshiron të jetë pranë tyre "për të përsëritur, edhe një herë - siç shkruan - dashurinë që shpreh për popullin e Nikaraguas, gjithmonë i spikatur për lidhjen e jashtëzakonshme me Zotin, të cilin e quan me dashuri Papachu”.
Besim te Zoti dhe besnikëri ndaj Kishës
Pikërisht besimi në Zotin dhe besnikëria ndaj Kishës - kujton Papa në letër - "janë dy fenerët e mëdhenj" që ndriçojnë jetën e besimtarëve në Nikaragua. Papa i siguron se "feja dhe shpresa bëjnë mrekulli"; një shembull i kësaj është Virgjëra e Papërlyer "dëshmi e ndritur e këtij besimi".
“E keni jetuar gjithnjë mbrojtjen e saj amtare, në të gjitha nevojat tuaja, dhe e keni treguar mirënjohjen tuaj me një fe shumë të fisme dhe të pasur shpirtërisht” - nënvizon Françesku - duke kujtuar “shprehjen e ëmbël: ¿Quién causa tanta alegría? ¡La Concepción de María! Kush e shkakton gjithë këtë alegri? Zënia e Zojës Mari!”. Është “një nga format e devocionit dhe të kushtimit, që shpreh gëzimin e bijve të saj të përkëdhelur”.
Inkurajimi në vështirësi e mundime
Papa Françesku shpreson se kremtimi i Zënies së Papërlyer të Marisë, që përgatit hapjen e Jubileut të vitit 2025, do t'u ofrojë të gjithë besimtarëve të Amerikës Qendrore "inkurajimin që u nevojitet në vështirësitë, pasiguritë dhe mundimet".
“Mos harroni ta lëshoni plotësisht veten në krahët e Jezusit”- këshillon Papa. Nga ana e tij premton se lutjet nuk do tu mungojnë kurrë:
“I lutem pandërprerë Virgjërës Shenjtë që t'ju ngushëllojë dhe t'ju shoqërojë, duke ju forcuar në fe. Dua ta them me forcë, Nëna e Zotit nuk pushon së ndërmjetësuari për ju dhe ne nuk do të ndalemi s’i kërkuari Jezusit që t’ju mbajë gjithnjë dorë-për-dorë”.
Mos e harroni Rruzaren!
Në këtë vazhdë, Papa nxit për të mos e harruar lutjen e Rruzares, "në të cilën ne meditojmë çdo ditë misteret e jetës së Jezusit dhe Marisë":
"Sa shpesh e përfshijmë edhe jetën tonë në misteret e Rruzares, me çastet e gëzimit, të dhimbjes, të dritës e të lavdisë. Duke thënë Rruzaren, këto mistere depërtojnë në fshehtësitë e zemrës sonë, ku ruhet liria e bijave dhe bijve të Zotit, të cilën askush nuk mund të na e prekë. Sa hire marrim nga Rruzarja, nga kjo lutje e fuqishme” - shkruan Papa në letër.
Lutja për Jubileun
Letra baritore përfundon me lutjen që Françesku e shkroi për Jubileun. Përmes saj i kërkon Zotit “të na japë paqen dhe të gjitha hiret, për të cilat kemi aq shumë nevojë”:
Hiri i Jubileut rindeztë në ne, shtegtarë të shpresës, mallin për të mirat qiellore dhe derdhtë mbi botën mbarë gëzimin dhe paqen e Shëlbuesit tonë”.