Papa Françesku flet me organizatorët dhe artistët e "Koncertit me të varfërit" Papa Françesku flet me organizatorët dhe artistët e "Koncertit me të varfërit"

Papa: "Koncerti me të varfërit", si Jubileu, dëshiron të përftojë shenja shprese

Françesku u takua me organizatorët dhe artistët e kësaj shfaqjeje, tashmë në edicionin e pestë, planifikuar për sonte në Vatikan. Njerëzit më të brishtë, kujtoi Papa, u ftuan "të jenë pjesë e kësaj simfonie të mrekullueshme të dashurisë, që është Ungjilli".

R.SH. /Vatikan

Simfoni, orkestër, harmoni. Zhvillohet përmes këtyre e të tjera fjalëve "muzikore", fjala e Papës Françesku drejtuar organizatorëve dhe artistëve të "Koncertit me të varfërit", në program sonte, në Sallën Pali VI, në Vatikan, organizuar nga Guvernatorati i Shtetit të Vatikanit dhe Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Bamirësisë. “Një çast i bukur për ta shijuar me vëllezërit dhe motrat tona bukurinë e muzikës, që bashkon zemrat dhe larton shpirtin. Edhe fëmijët, kur qajnë, ‘kompozojnë’ muzikë’”.

Harmonia,bukuri e muzikës

Në koncertin e sivjetëm do të marrin pjesë fituesi i Oskarit, Hans Zimmer, violonçelistia Tina Guo, kompozitori Dario Vero dhe aktorja Serena Autieri. Pas përshëndetjes së Imzot Marco Frisinës, “i cili edhe një herë arriti të mbledhë artistë ndërkombëtarë, së bashku me korin e Dioqezës së Romës dhe Orkestrën Nova Opera”, Papa nënvizoi se koncerti “është  shëmbëlltyrë e bukur e harmonisë sinodale, që Kisha po angazhohet ta jetojë më plotësisht”.

Çdo partiturë muzikore gërsheton instrumente dhe zëra të ndryshme, secili me pjesën e vet, me timbrin e vet, me tingullin e vet. Secili në orkestër luan partiturën e tij, por duhet të harmonizohet me të tjerët, duke lindur, kështu, bukurinë e muzikës.

Heshtjet janë po aq të rëndësishme sa notat

Të gjithë, si në kor, janë të thirrur për ta ruajtur dhe për ta ushqyer bukurinë, jo vetëm në muzikë. Të gjithë - theksoi Papa - "janë thirrur të shprehen, të kryejnë pjesën e tyre".

Edhe në një kompozim, heshtjet, intervalet, disonancat kanë një rëndësi të barabartë me vetë notat. Zoti nuk krijon mbeturina.

Të lindim shenja shprese

Pika kryesore e fillimit është pjesëmarrja. Të zgjedhësh për të qenë - tha Papa - do të thotë "të realizosh shëmbëlltyrën e harmonisë".

Nuk është e thënë. Të gjithë ju zgjodhët të jeni aty, të merrni pjesë në këtë ngjarje të madhe muzikore me nevojtarë, që luftojnë çdo ditë për të ecur përpara. Dhe kjo zgjedhje juaja lind një shenjë shprese. Këtë synon të bëjë edhe Jubileu i ardhshëm: të lindë shenja shprese, duke u nisur nga gurra e dashurisë, që është Zemra e Krishtit.

Bukuria është dhuratë për të gjithë njerëzit

Pjesëmarrja kërkon edhe qëndrim bashkëpunimi. “Pa bashkëpunimin e të gjithëve, nuk mund të krijohet simfonia e vërtetë”. "Vetëm nga një koncert i njerëzve të ndryshëm - shpjegoi Papa - lind harmonia që ndërton dhe i ngushëllon të gjithë". Ashtu si në një koncert, edhe Kisha duhet të krijojë harmoni: ajo është e thirrur të jetë shenjë dhe instrument "bashkimi dhe vëllazërimi" në botë. Ajo duhet të krijojë "në zemrën e njerëzimit një këngë të mrekullueshme dhe të ndërgjegjshme dashurie për Zotin dhe vëllezërit".

Ky koncert me të varfrit, që do të shfaqet sonte - kujtoi Ati i Shenjtë - është  shenjë e bukur e harmonisë sinodale, veçanërisht sepse zhvillohet në bashkësi me vëllezërit dhe motrat tona më të brishta, të ftuar të jenë pjesë e kësaj simfonie të mrekullueshme të dashurisë, që është Ungjilli. Këta miqtë tanë sonte do të mund ta ndjekin koncertin mrekullisht mirë, si protagonistë.

Bukuria - përfundoi Papa - është "dhuratë nga Zoti për të gjitha qeniet njerëzore, të bashkuara nga i njëjti dinjitet dhe të thirrur në vëllazëri. Kjo është simfonia e vëllazërisë, muzika për të cilën bota ka aq shumë nevojë!

07 dhjetor 2024, 13:40