Kërko

Presidenti i Sllovakisë, në audiencë tek Papa Françesku

Presidenti i Sllovakisë Pellegrini u prit sot në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Bisedimet me Kardinalin Parolin dhe Kryeipeshkvin Gallagher në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, u përqendruan në kontekstin ndërkombëtar, në veçanti Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

R.SH. / Vatikan

Biseda private e Papës Françesku me Presidentin e Republikës së Sllovakisë, Pietro Pellegrini, pritur sot paradite, më 9 dhjetor, në audiencë në Pallatin Apostolik të Vatikanit, zgjati 25 minuta.

Shkëmbimi i dhuratave

Në fund të dialogut miqësor u bë shkëmbimi tradicional i dhuratave. Nga Papa, një vepër bronzi e titulluar "Dashuria Sociale", që paraqet një fëmijë duke ndihmuar një tjetër, me shkrimin "Amare Aiutare”, “Të Duash  e të Ndihmosh”. Së bashku me këtë, vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin e këtij viti për Paqen dhe librin Statio Orbis të 27 marsit 2020, botuar nga LEV. Presidenti iu përgjigj me një vepër tredimensionale, krijuar nga një artist sllovak.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

Pas audiencës te Ati i Shenjtë, Presidenti Pellegrini u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit."Bisedimet gjatë takimit të përzemërt në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë - njofton një notë nga Zyra e Shtypit e Vatikanit - iu referuan marrëdhënieve të forta dypalëshe, duke nënvizuar kontributin e Kishës në favor të shoqërisë sllovake. Së fundi, u trajtuan edhe disa çështje që kanë të bëjnë me kontekstin ndërkombëtar me vëmendje të veçantë ndaj konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme”.

09 dhjetor 2024, 11:21