Papa pret Presidenten e Sllovenisë Pirc Musar

Papa priti sot paradite në audiencë Presidenten e Sllovenisë Nataša Pirc Musar. Pas një bisede 25 minutëshe me Papën, takimi në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit me Kardinalin Parolin dhe Imzot Wachowski, u përqendrua në marrëdhëniet Kishë-Shtet në vend, mbi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe konfliktet në Lindjen e Mesme e Ukrainë.

R.SH / Vatikan

Papa priti sot paradite, më 5 dhjetor, në audiencë private Presidenten e Sllovenisë Nataša Pirc Musar. Takimi i përzemërt në Pallatin Apostolik të Vatikanit zgjati 25 minuta, nga ora 8.05 deri në 8.30. Kreu i Shtetit të Sllovenisë më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Mirosław Wachowski, Nënsekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit

Siç bën të ditur Zyra e Shtypit e Vatikanit, “gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit u theksuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Sllovenisë dhe u përmendën edhe disa çështje të hapura në marrëdhëniet Kishë-Shtet, duke theksuar kontributin e Kishës Katolike në shoqërinë sllovene”. “Më pas bisedimet u përqendruan – vijon njoftimi – në çështje të ndryshme të natyrës ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë ndaj rajonit tl Ballkanit Perëndimor dhe konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Ukrainën”.

Dhuratat

Në çastin e shkëmbimit tradicional të dhuratave, Papa i dhuroi Pirc Musarit vëllimet e dokumenteve papnore, mesazhin i këtij viti për Paqen, librin e botuar nga LEV për Statio Orbis të 27 mars 2020. Presidentja iu përgjigj me një vepër arti prej druri që përshkruan një zemër dhe disa ëmbëlsira sllovene.

 

05 dhjetor 2024, 12:11