Thirrja e pandërprerë e Papëve: paqe për popujt e Palestinës dhe të Izraelit
R.SH. – Vatikan
Skenari i Lindjes së Mesme është gjithnjë e më i ndërlikuar. Vështirësitë nuk kursejnë as vendet fetare, si kuvendi françeskan i Halebit në Siri, mbi të cilin ra një bombë orët e fundit. Ndërsa kërkohet një rrugë drejt armëpushimit, britma e popujve për paqe bëhet gjithnjë e më e fortë, ndërmjet dhunës dhe të drejtave të mohuara. Me shpërthimin e konfliktit izraelito-palestinez, pas 7 tetorit 2023, gjendja humanitare e palestinezëve është bërë gjithnjë e më dramatike. Papët dhe Kisha i kanë parë gjithmonë këta dy popuj me dashuri dhe konsideratë, me shpresën dhe thirrjen e vazhdueshme që armët të heshtin dhe dialogu të mbizotërojë mbi çdo formë të urrejtjes.
Pali VI: nuk mund të heshtim
Vëllazërimi është çelësi për arritjen e paqes së vërtetë. "Duhet t'i kushtohet vëmendje maksimale nevojave jetike të refugjatëve dhe të popullsive, viktima të kushteve jonormale, të shkaktuara nga konfliktet aktuale", nënvizon Papa Pali VI në Engjëllin e Tënzot të 14 marsit 1971. Përballë tmerrit të luftës, nuk mund të "mbetemi indiferentë dhe në heshtje”.
“Ne e ndiejmë të kumbojë në zemrat tona dhunën, vuajtjet, rrënojat, kërcënimet e këtyre skenave të luftës dhe i bëjmë tonat, për shkak të shërbesës sonë, ankthet dhe aspiratat e popullsisë së përfshirë në konflikte pa fund, ashtu siç i bëjmë tonat edhe ndjenjat e gjithë njerëzimit, që dëshiron rregull dhe qetësi – nënvizonte Papa shenjt. - Prandaj, me zë të përvuajtur, por jo të ndrojtur, u drejtohemi institucioneve të mëdha ndërkombëtare që të nxisin dhe të inkurajojnë pandërprerë çdo përpjekje besnike për rivendosjen e drejtë të marrëdhënieve normale ndërmjet popujve. Ne u kërkojmë krerëve përgjegjës të palëve të përfshira që t'i vënë vërtet në jetë synimet e deklaruara për bisedime përfundimtare drejt një ekulibri të ri dhe të nderuar ndërkombëtar... E, duke iu referuar veçanërisht situatës në Lindjen e Afërt, e cila meriton një diskutim shumë më të gjerë, mendojmë se edhe ne kemi një të drejtë-detyrë serioze, e jo vetëm në emrin tonë, por edhe në emrin e gjithë krishterimit, për të kërkuar njohjen e nevojave të veçanta të Vendeve të Shenjta në Palestinë, qëndrimin e të krishterëve në atë vend të vështirë dhe statutin e Jerusalemit, ku nuk mund të mohohet konvergjenca tejet e veçantë e një shumëllojshmërie të drejtash historike dhe fetare”.
Gjon Pali I: Zoti nuk do ta harrojë kurrë popullin e tij
Në vitin 1978 u mblodhën në Camp David, në SHBA, presidenti amerikan Carter, presidenti egjiptian Sadat dhe kryeministri izraelit Begin, me synimin e gjetjes së një zgjidhjeje për Tokën Shenjte. Papa Gjon Pali I, në Engjëllin e Tënzot të 10 shtatorit 1978, i kujtoi ato hapa drejt paqes, të cilat, fatkeqësisht, nuk dhanë rezultat. Por, nuk është kurrë vonë për ta rinisur rrugëtimin.
“Të gjithë njerëzit janë të uritur dhe të etur për paqe, veçanërisht të varfërit, të cilët paguajnë më shumë dhe vuajnë më shumë në trazira dhe luftëra. Kjo është arsyeja pse të gjithë po e shohin konferencën e Camp David me interes dhe shpresë të madhe” – thoshte Papa, i cili nënvizonte se lutej e i ftonte të gjithë të luten për tre presidentët, që e kishin filluar takimin pikërisht duke iu drejtuar Zotit. Ati i Shenjtë kujtonte fraza nga Kurani, Bibla dhe nga Shkrimet hebraike, në të cilat nënvizohet se Zoti nuk i braktis kurrë bijtë e vet, të cilëve nuk do t’u bjerë asnjë fije floku pa vullnetin e Tij.
Gjon Pali II: armët nuk janë zgjidhje
Në fakt, armët nuk janë kurrë në gjendje të nxisin bashkëjetesën ndërmjet popujve. Papa shenjt Gjon Pali II, në Engjëllin e Tënzot të 11 gushtit 2002, foli mbi situatën në Lindjen e Mesme, duke vënë në dukje një skenar, që nuk ndryshon shumë nga ai i sotmi.
“Kur do të jemi në gjendje ta kuptojmë se bashkëjetesa ndërmjet popullit izraelit dhe atij palestinez nuk mund të lindë nga armët? As sulmet, as muret e ndarjes, as raprezaljet nuk do të çojnë kurrë në një zgjidhje të drejtë të konfliktit. Papa vuan me ata që vajtojnë zi dhe shkatërrim; është pranë njerëzve të pafajshëm, që paguajnë çmimin e një dhune tillë. …nuk ka asnjë justifikim për ata, që vrasin pa dallim civilë të pambrojtur. Nga viti 1967 e deri më sot, vuajtje të papërshkrueshme kanë vijuar frikshëm: vuajtjet e palestinezëve, të dëbuar nga tokat e tyre, ose të detyruar, kohët e fundit, të jetojnë në rrethim të përhershëm, gati objekt i një ndëshkimi kolektiv; vuajtjet e popullsisë izraelite, e cila jeton në terrorin e përditshëm se mos vihet në shënjestër nga atentatorë anonimë”.
Benedikti XVI: stabilitet për izraelitët dhe palestinezët
Në vitin 2009, Papa Benedikti XVI shkoi në shtegtim në Tokën Shenjte. Në Betlehem, vendi i lindjes së Krishtit, u takua me presidentin palestinez Mahmoud Abbas (13 maj 2009), të cilit i tha:
“Selia e Shenjtë mbështet të drejtën e popullit tuaj për një atdhe sovran palestinez në tokën e të parëve, në siguri e paqe me fqinjët, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht – inkurajonte palestinezët Papa Ratzinger, duke cituar fjalët e Papës paraardhës Gjon Pali II: "nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, as drejtësi pa falje" (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2002). - U bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikt të gjatë -vijonte Benedikti XVI - që të lënë mënjanë çdo brengë dhe mosmarrëveshje, të cilat ende e pengojnë rrugën e pajtimit”.
Françesku dhe të mirat e paqes
Edhe Papa Françesku nënvizon se historia e dhimbshme e popujve izraelitë dhe palestinezë pret të hyjë në drejtimin e duhur. Gjatë shtegtimit të tij në Tokën Shenjte, në vitin 2014, Papa Bergoglio e përshëndeti gjithë popullin palestinez me këto fjalë:
“Paqja do të sjellë me vete përfitime të panumërta për njerëzit e këtij rajoni dhe për mbarë botën. Prandaj, duhet të nisemi me vendosmëri drejt saj, edhe duke hequr dorë nga diçka. Uroj që popujt palestinezë dhe izraelitë dhe autoritetet e tyre përkatëse ta ndërmarrin këtë eksod të lumtur drejt paqes me guximin dhe vendosmërinë e nevojshme për çdo eksod. Paqja, siguria dhe besimi i ndërsjellë do të bëhen kuadri i qëndrueshëm i referimit për t’u bërë ballë dhe për të zgjidhur problemet e tjera, duke ofruar kështu mundësinë për një zhvillim të ekuilibruar, model për zonat e tjera në krizë”.
Thirrja e vazhdueshme e Papëve për paqen në Tokën Shenjte pret përgjigje edhe sot e kësaj dite. Lufta vazhdon të tronditë popujt e Izraelit dhe të Palestinës. Rruga për përfundimin e konfliktit është ende tatëpjetë, plot re, vuajtje dhe plagë. Por për popullin palestinez dhe për atë izraelit, paqja mbetet e vetmja shpresë për të ardhmen.