Papa Françesku në lozhën qendrore të bazilikës së Vatikanit, për mesazhin Urbi et Orbi Papa Françesku në lozhën qendrore të bazilikës së Vatikanit, për mesazhin Urbi et Orbi

Urbi et Orbi, Papa: të heshtin armët! Hapni me guxim bisedime për paqen e drejtë

Nga lozha qendrore e bazilikës së Vatikanit, Françesku i jep Romës dhe botës mesazhin tradicional të Krishtlindjes, duke kërkuar guximin që të “heshtohen armët dhe të kapërcehen ndarjet". Papa lutet për fundin e konflikteve dhe të krizave në Ukrainë, Lindjen e Mesme, Afrikë, Mianmar, Qipro dhe në disa vende të kontinentit amerikan. Në vitin jubilar, i fton besimtarët të mos kenë frikë, sepse mëshira e Zotit "e davarit urrejtjen"

R.SH. – Vatikan

         “Të heshtin armët!”: në mesazhin e tij të Krishtlindjes “Urbi et Orbi” – në këtë ditë të dytë të Jubileut të shpresës – Papa Françesku e përsërit disa herë këtë thirrje drejtuar Romës dhe botës, duke i nxitur besimtarët të kenë guximin për të kërkuar paqen, dialogun dhe pajtimin, pa frikë, duke besuar në mëshirën e Zotit. Ja mesazhi i plotë “Urbi et Orbi” i Atit të Shenjtë:

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Krishtlindjen!

Sonte u përtëri misteri, që vijon të na mahnisë e të na emocionojë: Virgjëra Mari nxori në dritë Jezusin, Birin e Zotit, e mbështolli në fasha dhe e vendosi në një grazhd. Kështu e gjetën barinjtë e Betlehemit, përplot me gëzim, ndërsa engjëjt këndonin: “Lavdi Zotit e paqe njerëzve” (shih Lk. 2,6-14).

Po, kjo ngjarje, e ndodhur më se dy mijë vjet më parë, përtërihet përmes veprës së Shpirtit Shenjt, të njëjtit Shpirt të Dashurisë e të Jetës që fekondoi barkun e Marisë e, nga korpi i saj njerëzor, formoi Jezusin. E kështu edhe sot, në kohën tonë, mishërohet përsëri e realisht Fjala e amshuar e shpëtimit, e cila i thotë çdo burri dhe çdo gruaje, e edhe mbarë botës: “Të dua, të fal, kthehu tek unë, dera e zemrës sime është e hapur!”

Vëllezër dhe motra, dera e zemrës së Zotit është gjithmonë e hapur, të kthehemi tek Ai! Të kthehemi te zemra, që na do dhe na fal! Ta lejojmë veten të falemi prej Tij, të pajtohemi me Të!

Ky është kuptimi i Portës Shenjte të Jubileut, të cilën e hapa mbrëmë këtu, në Shën Pjetër: përfaqëson Jezusin, Portën e Shëlbimit, të hapur për të gjithë. Jezusi është Porta që Ati i mëshirshëm e hapi në mes të botës, në mes të historisë, që të gjithë të mund të kthehemi tek Ai. Të gjithë jemi si delet e humbura e kemi nevojë për një Bari e për një Portë, për t’u rikthyer në shtëpinë e Atit. Jezusi është Bariu, Jezusi, Porta.

Vëllezër dhe motra, mos kini frikë! Porta është e hapur, në të dy kapakët! Ejani! Të pajtohemi me Zotin, më pas edhe me veten, e do të mund të pajtohemi edhe me njëri-tjetrin, qofshin edhe me armiqtë tanë. Po, mëshira e Zotit mund të bëjë gjithçka, zgjidh çdo nyje, shemb çdo mur ndarjeje, shkrin urrejtjen dhe shpirtin e hakmarrjes. Ejani! Jezusi është Porta e paqes.

Shpesh ndalemi vetëm në prag; nuk kemi guximin ta kapërcejmë, sepse na vë në pikëpyetje. Hyrja nëpërmjet portës kërkon flijimin për të bërë një hap, për t’i lënë pas mosmarrëveshjet dhe përçarjet, për t'u lëshuar në krahët e hapur të Foshnjës, që është Princi i Paqes. Në këtë Krishtlindje, fillim i Vitit Jubilar, e ftoj çdo njeri, çdo popull e çdo komb të ketë guximin ta kapërcejë portën, të jetë shtegtar i shpresës, t’i bëjë të heshtin armët dhe të kapërcehen përçarjet!

Heshtëshin armët në Ukrainën e munduar! Paçim guximin të hapim derën e negociatave dhe gjesteve të dialogut e të takimit, për të arritur në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Heshtëshin armët në Lindjen e Mesme! Me sytë e mi të ngulur në djepin e Betlehemit, ia drejtoj mendimet bashkësive të krishtera të Izraelit e të Palestinës, veçanërisht Gazës, ku situata humanitare është shumë e rëndë. Pushoftë zjarri, u lirofshin pengjet dhe u ndihmoftë popullata e rraskapitur nga uria dhe lufta. Jam edhe pranë bashkësisë së krishterë në Liban, veçanërisht në jug, edhe asaj të Sirisë, në këtë çast të brishtë. U hapshin portat e dialogut e të paqes në të gjithë rajonin, copëtuar nga konflikti. E dua të kujtoj këtu edhe popullin libik, duke e inkurajuar të kërkojë rrugëzgjidhje, që i hapin udhën pajtimit kombëtar.

Lindja e Shëlbuesit u sjelltë një kohë shprese familjeve të mijëra fëmijëve që po vdesin nga epidemia e fruthit në Republikën Demokratike të Kongos, si dhe popullsive të Lindjes së atij vendi dhe atyre të Burkina Fasos, Malit, Nigerit dhe Mozambikut. Kriza humanitare që i prek, shkaktohet kryesisht nga konfliktet e armatosura dhe plaga e terrorizmit, e rëndohet nga efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike, të cilat shkaktojnë humbjen e jetëve njerëzore dhe shpërnguljen e miliona njerëzve. Mendoj gjithashtu për popullsinë e vendeve të Bririt të Afrikës për të cilën kërkoj dhuratat e paqes, të harmonisë dhe të vëllazërisë.  Biri i të Tejetlartit e ndihmoftë angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në favorizimin e hyrjes së ndihmave humanitare për popullsinë civile të Sudanit dhe fillimin e bisedimeve të reja, që synojnë armëpushimin.

Shpallja e Krishtlindjes u sjelltë ngushëllim banorëve të Mianmarit, të cilët, për shkak të përleshjeve të vazhdueshme të armatosura, pësojnë vuajtje të rënda dhe detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Krishti Fëmijë i frymëzoftë autoritetet politike dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë në kontinentin amerikan, që të gjinden sa më shpejt zgjidhjet e frytshme në vërtetësi e drejtësi, për të arritur harmoninë sociale, veçanërisht në Haiti, Venezuelë, Kolumbi dhe Nikaragua, e që të punohet, veçanërisht në këtë Vit Jubilar, për të mirën e përbashkët dhe për të rizbuluar dinjitetin e çdo njeriu, duke kapërcyer përçarjet politike.

Jubileu qoftë mundësi për t’i shembur të gjitha muret e ndarjes: ato ideologjike, të cilat shpesh ndikojnë mbi jetën politike, dhe ato fizike, siç është ndarja që prek ishullin e Qipros që prej pesëdhjetë vjetësh e që e shpërbën strukturën njerëzore dhe shoqërore. Uroj që të arrihet  zgjidhja e përbashkët e t’i jepet fund ndarjes me respekt të plotë për të drejtat dhe dinjitetin e të gjitha bashkësive qipriote.

         Jezusi, Fjala e amshuar e Zotit bërë njeri, është Porta e hapur që  ftohemi ta kalojmë për të rizbuluar kuptimin e jetës sonë dhe shenjtërinë e çdo jete dhe për t’i rifituar vlerat themeltare të familjes njerëzore. Ai na pret në prag. E pret secilin prej nesh, sidomos më të brishtët: pret fëmijët, të gjithë fëmijët që vuajnë nga lufta dhe uria; pret të moshuarit, shpesh të detyruar të jetojnë në kushte vetmie dhe braktisjeje; pret ata që humbën shtëpitë e tyre ose ikin nga toka e tyre, në përpjekje për të gjetur strehë të sigurt; pret ata, që humbën punën ose që nuk mund ta gjejnë; pret të burgosurit që, pavarësisht nga gjithçka, mbeten gjithmonë bij të Zotit; pret ata, që persekutohen për fenë e tyre.

Në këtë ditë feste, t’i shprehim mirënjohjen atyre, që bëjnë çmos për të mirën në mënyrë të heshtur dhe besnike: mendoj për prindërit, edukatorët dhe mësuesit, të cilët kanë përgjegjësinë e madhe të formimit të brezave të ardhshëm; për punonjësit e shëndetësisë, policinë, ata që merren me punë bamirësie, veçanërisht misionarët e shpërndarë nëpër botë, të cilët sjellin dritë dhe ngushëllim për shumë njerëz në vështirësi. Të gjithëve duam t'u themi: faleminderit!

Vëllezër dhe motra, jubileu qoftë mundësi për të falur borxhet, veçanërisht ato që rëndojnë mbi vendet më të varfra. Të gjithë janë të thirrur t’i falin fyerjet, sepse Biri i Zotit, i cili lindi në të ftohtin dhe terrin e natës, na i fal të gjitha borxhet. Ai erdhi për të na shëruar dhe për të na falur. Shtegtarë të shpresës, të shkojmë e ta takojmë! T'i hapim dyert e zemrës sonë, ashtu si Ai, që na e hapi në dy kapakët, derën e zemrës së tij.

Të gjithëve u uroj Krishtlindje të qetë e të shenjtë!

25 dhjetor 2024, 12:38