Kërko

2025.01.01 Angelus 2025.01.01 Angelus

Papa: qeveritarët t’i anulojnë ose t’i ulin borxhet e vendeve të varfra

Në thirrjet e Françeskut pas lutjes mariane të Engjëllit, tingëlloi fort edhe thirrja drejtuar udhëheqësve politikë të traditës së krishterë, që të "japin shembull të mirë" duke vënë në praktikë treguesin e këshilluar nga Dita Botërore e Paqes, i cili përkon, në nivel shoqëror, me kuptimin e Jubileut. Faleminderit, në fillim të vitit 2025, atyre që punojnë për dialog dhe negociata në zonat e konfliktit e që manifestojnë për paqen. Më pas, një urim i veçantë për Presidentin Mattarella

R.SH. / Vatikan

Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, përplot me besimtarë dhe turistë, me pankarta që mbajnë emrat e zonave të botës të copëtuara nga konfliktet dhe tensionet e gjata, nga Sudani në Irak, në Ditën Botërore të Paqes Papa Françesku, pas lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, përsëriti më shumë se kurrë "jo-në" e tij për luftën, që "shkatërron gjithmonë". Kërkoi edhe që asnjë popull të mos “dërrmohet nga borxhi”.

Faleminderit atyre që punojnë për dialogun dhe bisedimet për paqe

Papa i falënderoi pikërisht ata, që në zona të trazuara të planetit impenjohen në nivel diplomatik e punojnë për drejtësi e paqe:

U shpreh vlerësimin tim mirënjohës të gjithë atyre që në shumë zona konflikti punojnë për dialogun e për bisedimet. Të lutemi që luftimet në çdo front të pushojnë dhe të synohen vendosmërisht paqja dhe pajtimi. Mendoj për Ukrainën e martirizuar, Gazën, Izraelin, Mianmarin, Kivunë e Veriut dhe shumë popuj në luftë.

Faleminderit atyre që nxisin demonstratat për paqe

Falënderimi i Papës u drejtohet edhe atyre, që organizojnë demonstrata dhe vigjilje lutjesh, që të mbajnë gjallë mallin për paqe. Ka nisma të shumta në çdo skaj të botës, kryesuar nga bashkësitë dioqezane dhe famullitare, shoqatat, lëvizjet dhe grupet kishtare. Në veçanti, Papa Françesku kujtoi marshimin tradicional kombëtar për paqen, që u zhvillua dje në Pesaro, organizuar nga Komisioni CEI për problemet sociale dhe punën, drejtësinë dhe paqen, Caritas Italiana, Aksioni Katolik, Pax Christi Italia, Lëvizja e Focolarëve, Agesci, Acli, Libera me Kryedioqezën e Pesaros dhe Urbino-Urbani-Sant'Angelo në Vado. Përshëndetja e Bergoglios iu drejtua  edhe pjesëmarrësve në manifestimin “Paqe në të gjitha trojet”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, nga përfaqësues të vendeve të ndryshme.

Udhëheqësit politikë të krishterë t’ua falin borxhin vendeve të varfra

Papa kujton zanafillën e Ditës Botërore të Paqes, me Shën Palin VI. Sivjet është radhitur plotësisht në fillimin e Vitit të Shenjtë dhe, pikërisht për shkak të Jubileut, karakterizohet nga tema e veçantë e faljes së borxheve. Vërejtjes së Papës i shtohet edhe thirrja:

I pari që i fal borxhet është Zoti, siç e kërkojmë gjithmonë kur themi "Atynën", duke kujtuar mëkatet tona dhe duke premtuar që, nga ana tjetër, t’i falim fajtorët tanë. E Jubileu kërkon që këtë falje ta shtrijmë në nivel shoqëror, që asnjë njeri, asnjë familje, asnjë popull të mos dërrmohet nga borxhi. Prandaj inkurajoj sundimtarët e vendeve me traditë të krishterë që të japin shembull të mirë duke i anuluar ose duke i ulur sa më shumë borxhet e vendeve më të varfra.

Lufta është disfatë

Papa citoi edhe programin televiziv Rai "A Sua Immagine", duke kujtuar se ka parë filma dhe fotografi të shkatërrimit shkaktuar nga lufta. Është  kontribut i mëtejshëm, që e bën të nënvizojë çka tani e përsërit pothuajse në çdo takim publik, shoqëruar me paralajmërimin "Luftoni për paqen!" drejtuar disa grupeve, që  i përshëndet me këtë rast:

Vëllezër, motra, lufta shkatërron. Shkatërron gjithmonë! Lufta është gjithmonë humbje. Gjithmonë. U shpreh vlerësimin tim mirënjohës të gjithëve!

01 janar 2025, 17:46