Papa: kërkoje Jezusin në çdo qenie njerëzore, posaçërisht në më të brishtët
R.SH. / Vatikan
“Ekziston një tundim, i cili i magjeps shumë njerëz sot, por që mund të joshë edhe shumë të krishterë: të imagjinosh ose të fabrikosh një Zot 'abstrakt', të lidhur me një ide të paqartë fetare, a me një emocion të këndshëm kalimtar. Ndërsa është konkret, është njeri, ka lindur nga një grua, ka fytyrë e emër dhe na thërret të kemi marrëdhënie me Të”. E pohoi këtë Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit e me rastin e Ditës së 58-të Botërore të Paqes.
"Krishti Jezus, Shëlbuesi ynë, lindi nga gruaja; me mish e gjak; vjen nga gjiri i Atit, por mishërohet në barkun e Virgjërës Mari; vjen nga lartësia e qiejve, por banon në thellësi të tokës; është Biri i Zotit, por u bë Bir i njeriut”. Këtë kujtoi Papa gjatë homelisë së sotme, duke përsëritur se “Krishti lindi nga një grua dhe është njëri prej nesh: e pikërisht për këtë mund të na shpëtojë”.
"I lindur nga gruaja - theksoi përsëri Françesku - Kjo shprehje na flet edhe për natyrën njerëzore të Krishtit, për të na kujtuar se Ai duket në brishtësinë e mishit. Nëse zbriti në barkun e një gruaje, duke lindur si të gjitha krijesat, ja që Ai na duket në brishtësinë e një Foshnjeje”.
E, për Papën, "në gjithë jetën e Jezusit ne mund të shohim këtë zgjedhje të Zotit, zgjedhjen e vogëlsisë dhe të fshehtësisë; Ai kurrë nuk do t'i dorëzohet joshjes së fuqisë hyjnore, për të kryer shenja të mëdha dhe për t’iu imponuar të tjerëve, siç e pati ngucur djalli, por do të zbulojë dashurinë e Zotit në bukurinë e natyrës së tij njerëzore, duke jetuar ndërmjet nesh e duke e jetuar jetën e tij me ne! Jetë e zakonshme, e me mundime dhe ëndrra, duke treguar dhembshuri për vuajtjet e korpit dhe të shpirtit, duke ua hapur sytë të verbërve dhe duke u dhënë guxim zemërhumburve". "Jezusi na tregon Zotin përmes natyrës së brishtë njerëzore, që kujdeset për të brishtën”, vërejti Françesku.
Papa na ftoi të mendojmë edhe se "Maria, vasha e Nazaretit, na çon gjithnjë në Misterin e Birit të saj, Jezusit. Ajo na kujton se Jezusi vjen me korp dhe, prandaj, në vend të privilegjuar, ku mund të takohet para së gjithash jeta jonë, njerëzimi ynë i brishtë, ai i atyre që kalojnë pranë nesh çdo ditë". "Ne pohojmë se Ai është Zoti i kohës, por jeton në kohën tonë, edhe në këtë vit të ri, me praninë e Tij të dashurisë - vijoi Papa - Pohojmë, prandaj, se Ai është Shëlbuesi i botës, por mund ta takojmë e duhet ta kërkojmë në fytyrën e çdo qenieje njerëzore”.
"E nëse Ai, që është Biri i Perëndisë, u bë i vogël për t'u mbajtur në krahët e nënës, për t'u kujdesur dhe për t'u ushqyer me gji prej saj, atëherë do të thotë se edhe sot Ai vjen tek të gjithë ata, që kanë nevojë për të njëjtin kujdes: tek çdo motër e çdo vëlla, që takojmë dhe që ka nevojë për vëmendje, dëgjim, butësi”- kujtoi në përfundim Papa.
HOMELIA E ATIT TË SHENJTË
Mesha në Solemnitetin e Marisë, Nënës së shenjtë të Zotit
1 janar 2025
Në fillim të një viti të ri, që Zoti i jep jetëve tona, është mirë të jemi në gjendje të lartojmë shikimin e zemrave drejt Marisë. Ajo, duke qenë Nënë, na çon në marrëdhënie me të Birin: na prin te Jezusi, na flet për Jezusin, na çon te Jezusi. Kështu, Solemniteti i të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit, na prin edhe një herë në Misterin e Krishtlindjes: Zoti u bë një nga ne në barkun e Marisë dhe ne, që hapëm Portën Shenjte për të filluar jubileun, sot na kujtohet se “Maria është porta përmes së cilës Krishti hyri në këtë botë” (S. AMBROGIO, Letra 42, 4: PL, VII).
Apostulli Pal e përmbledh këtë Mister duke pohuar se “Zoti e dërgon Birin e vet, të lindur nga një grua” (Gal 4:4). Këto fjalë - “lindur nga gruaja" - jehojnë sot në zemrat tona dhe na kujtojnë se Jezusi, Shëlbuesi ynë, u bë njeri, me brishtësinë e korpit njerëzor.
I lindur nga gruaja. Kjo shprehje së pari na çon tek Krishtlindja: Fjala u bë njeri! Apostulli Pal saktëson se lindi nga gruaja, sikur të ndjente nevojën për të na kujtuar se Perëndia u bë me të vërtetë njeri, përmes barkut të njeriut. Është një tundim, që i mahnit sot shumë njerëz, por që mund të joshë edhe shumë të krishterë: përfytyrojeni ose fabrikojeni një Zot "abstrakt", të lidhur me një ide të paqartë fetare, a nga ndonjë emocion të mirë kalimtar. Ndërsa ai lindi nga një grua, ka një fytyrë dhe një emër e na thërret të kemi marrëdhënie me Të!
Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, lindi nga gruaja; ka mish e gjak; vjen nga gjiri i Atit, por mishërohet në barkun e Virgjërës Mari; vjen nga lartësitë qiellore, por banon në thellësi të tokës; është Biri i Zotit, por u bë Bir i njeriut. Ai, shëmbëlltyra e Zotit të Plotfuqishëm, erdhi në ligështi; e megjithëse ishte i panjollë, “Zoti e bëri mëkat në favor tonë” (2 Kor 5:21). U lind nga një grua dhe është një nga ne: pikërisht për këtë arsye mund të na shpëtojë.
I lindur nga gruaja. Kjo shprehje na flet edhe për natyrën njerëzore të Krishtit, për të na thënë se Ai zbulohet në brishtësinë e mishit. Nëse zbriti në barkun e një gruaje, duke lindur si të gjitha krijesat, Ai paraqitet në brishtësinë e një fëmije. Për këtë arsye barinjtë duke shkuar ta shohin me sytë e tyre atë që u njoftoi Engjëlli, nuk gjejnë shenja të jashtëzakonshme apo dukje madhështore, por “gjejnë Marinë, Jozefin dhe foshnjën të shtrirë në grazhd” (Lk 2,16). Gjejnë një të porsalindur të pafuqishëm, të brishtë, nevojtar për kujdesin e nënës, për fashat e qumështin, përkëdheljet e dashurinë. Shën Luigi Maria Grignion de Montfort thotë se Dija hyjnore "nuk donte, megjithëse mundte, t'u jepej drejtpërdrejt njerëzve, por ai deshi t'u jepej nëpërmjet Virgjërës së Shenjtë. As deshi të vinte në botë në moshën e një njeriu të përsosur, të pavarur
nga të tjerët, por si një fëmijë i varfër dhe i vogël, në nevojë për përkujdesjen dhe ushqimi e Nënës"(Traktat i devocionit të vërtetë ndaj Virgjërës së Shenjtë,139). Dhe në të gjithë jetën e Jezusit mund ta shohim këtë zgjedhje të Zotit, zgjedhje e vogëlsisë dhe fshehjes; Ai nuk do të paraqitej kurrë me hijeshinë e fuqisë hyjnore për të kryer shenja të mëdha dhe për t'iu imponuar të tjerëve, siç e kishte këshilluar djalli, por do ta zbulonte dashurinë e Perëndisë në bukurinë e natyrës së tij njerëzore, duke jetuar mes nesh, duke jetuar jetën e zakonshme, me mundimin e ëndrrat, duke treguar dhembshuri për vuajtjet e trupit dhe të shpirtit, duke hapur sytë e të verbërve dhe duke inkurajuar të humburit e zemrës. Jezusi na tregon Zotin përmes njerëzimit të tij të brishtë, që kujdeset për të brishtët!
Vëllezër dhe motra, është e bukur të mendosh se Maria, vajza nga Nazareti, na çon gjithmonë te misteri i Birit të saj, Jezusit. Ajo na kujton se Jezusi mishërohet e, si rrjedhim, vendi i privilegjuar për ta takuar është, para së gjithash, jeta jonë, njerëzimi ynë i brishtë, ai i atyre që çdo ditë kalojnë pranë nesh. Duke e thirrur atë Nënë e Zotit, pohojmë se Krishti u krijua nga Ati, por lindi vërtetë nga barku i një gruaje. Pohojmë kështu se Ai është Zoti i kohës, por jeton në kohën tonë, edhe në këtë vit të ri, me praninë e tij të dashurisë. Pohojmë se është Shëlbuesi i botës, por mund ta takojmë dhe duhet ta kërkojmë në fytyrën e çdo krijese njerëzore.
E nëse Ai, që është Biri i Perëndisë, u bë i vogël për t'u kujdesur e për t’u mëkuar nga një nënë, atëherë do të thotë se edhe sot Ai vjen ndër të gjithë ata, që kanë nevojë për të njëjtin kujdes: në çdo motër e çdo vëlla që takojmë dhe që ka nevojë për vëmendje, për dëgjim, për dashuri!
Këtë vit të ri që fillon, pra, le t'ia besojmë Marisë, Nënës së Zotit, sepse edhe ne mësojmë si ajo të gjejmë madhështinë e Zotit, në vogëlsinë e jetës; të mësojmë të kujdesemi për çdo krijesë të lindur nga gruaja, para së gjithash duke ruajtur dhuratën e çmuar të jetës, siç bën Maria: jetën në barkun e nënës, atë të fëmijëve, të atyre që vuajnë, jetën e të varfërve, jetën e të moshuarve, të atyre që janë vetëm, atyre që janë në fill të mortjes. E sot, në Ditën Botërore të Paqes, këtë ftesë që del nga zemra amtare e Marisë, jemi të të thirrur ta bëjmë tonën të gjithë: ta mbrojmë jetën, të kujdesuni për jetën e plagosur, t’i rikthejmë dinjitetin jetës së çdo “të linduri nga gruaja”, që është bazë themelore për ndërtimin e qytetërimit të paqes.
Prandaj “kërkoj angazhim të vendosur për të mbrojtur respektin për dinjitetin e jetës njerëzore, nga zënia deri në vdekjen natyrore, sepse çdo njeri mund ta dojë jetën e vet dhe ta shikojë të ardhmen me shpresë" (Mesazhi për Ditën Botërore të 83-të të Paqes, 1 janar 2025).
Maria, Nëna e Zotit dhe Nëna jonë, na pret pikërisht atje, në Shpellën e Betlehemit! E na tregon edhe ne, ashtu si barinjve, Zotin, që na befason
gjithmonë, që nuk vjen në shkëlqimin e qiejve, por në vogëlsinë e një grazhdi. Ia besojmë Asaj këtë vit të ri jubilar, ia dorëzojmë pyetjet, shqetësimet, vuajtjet, gëzimet dhe gjithçka kemi në zemrat tona. Ia besojmë Asaj botën mbarë, që të rilindë shpresa e që, më në fund, të mungullojë paqja për të gjithë popujt e Tokës.