Kërko

2023.10.07 Motër Simona Brambilla, M.C. 2023.10.07 Motër Simona Brambilla, M.C.

Motra Simona Brambilla është prefektja e parë femër në Vatikan

Papa Françesku zgjodhi murgeshën e Misionareve të Konsolatës për të udhëhequr Dikasterin për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, së bashku me Kardinalin Ángel Fernández Artime, i emëruar Pro-prefekt. Kështu, numri i grave në poste të rëndësishme në Vatikan po rritet

R.SH. / Vatikan

Motra Simona Brambilla, ish-eprore e përgjithshme e Misionareve të Zojës Ngushëlluese, në Itali, që do të mbushë 60 vjeç më 27 mars, u emërua nga Papa prefekte e Dikasterit të Vatikanit për Jetën e Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, sekretare e së cilës ishte duke nisur nga 7 tetori 2023; gruaja e dytë që e ka këtë pozitë në Kurien Romake pas emërimit, në vitin 2021, të motrës Alessandra Smerilli në Dikasterin për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Françesku zgjodhi si Pro-Prefekt të dikasterit Ángel Fernández Artime, 65 vjeç, i krijuar kardinal në Koncistorin e 30 shtatorit 2023.

Motra Simona Brambilla, prefekte e parë femër në Vatikan, krenohet me përvojën misionare në Mozambik, pasi mori një diplomë profesionale për infermierinë dhe hyri në Institutin e Motrave Misionare të Zojës Ngushëlluese, të cilin e drejtoi nga viti 2011 deri në vitin 2023. Me 8 korrik 2019, Papa emëroi për herë të parë shtatë gra anëtare të Dikasterit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Më pas zgjedhja e motrës Brambilla, fillimisht si sekretare e Dikasterit dhe sot si prefekte.

Që nga fillimi i papnisë së Françeskut, prania e grave është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave të përgjithshme që i referohen Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Vatikanit dhe që variojnë nga viti 2013 deri në vitin 2023, përqindja e femrave u rrit nga 19.2 në 23.4 për qind. Me rrugën e ndjekur nga Kushtetuta Apostolike Praedicate Evangelium të vitit 2022, Françesku bëri të mundur që në të ardhmen edhe laikët, e për rrjedhojë edhe gratë, të mund të drejtojnë një dikaster dhe të bëhen prefekte, rol që më parë i takonte  kardinajve dhe kryeipeshkvijve.

Në Shtetin e Qytetit të Vatikanit, Papa Françesku emëroi dy gra në poste të larta gjatë dhjetë vjetëve të papnisë: në vitin 2016, Barbara Jatta-n, drejtoreshë e Muzeve të Vatikanit, të cilët gjithmonë janë udhëhequr nga laikë. Ndërsa emërimi i motrës Raffaella Petrini, sekretare e përgjithshme e Guvernatorit, rol që zakonisht i caktohet një ipeshkvi, daton në vitin 2022.

Ka disa nënsekretare femra si Gabriella Gambino dhe Linda Ghisoni në Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën, ndërsa në Dikasterin për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike Motra Carmen Ros Nortes e Motrave të Zojës është nënsekretare, ndërsa Emilce Cuda, sekretare e Komisionit Papnor për Amerikën Latine; Nataša Govekar, drejtuese e drejtorisë teologjiko-baritore të Dikasterit për Komunikim; Cristiane Murray, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe Charlotte Kreuter-Kirchof, zëvendës koordinatore e Këshillit për Ekonominë. Edhe sekretaria e përgjithshme e Sinodit ka një nënsekretare femër, rregulltaren franceze Nathalie Becquart. Më 13 dhjetorin e kaluar, Papa emëroi anëtare të Këshillit të XVI të Zakonshëm të Sekretariatit të Përgjithshëm, motrën Simona Brambilla dhe María Lía Zervino, ish-presidente e Unionit Botëror të Organizatave të Grave Katolike (UMofc), emëruar në 2022 anëtare e Dikasterit për Ipeshkvijtë.

06 janar 2025, 15:11