“Do t’ju shoqëroj prej këtu”, 12 vitet e papnisë në Gemelli, por me shikimin mbi botën
R.SH. / Vatikan
Të duket pothuajse paradoksale që pas vitit të kaluar, ndoshta ndër më intensivët nga të dymbëdhjetët në fronin e Pjetrit, ndërmjet Jubileut, Sinodit, Koncistorit, audiencave, takimeve, tre udhëtimeve apostolike në Itali dhe tre udhëtimeve apostolike ndërkombëtare (përfshirë më të gjatin e papnisë së tij në Azi dhe Oqeani), Papa Françesku ta kremtojë përvjetorin e zgjedhjes në një dhomë të spitalit Gemelli e në një kohë të varur ndërmjet terapive dhe luftës kundër polmonitës së dyanshme, që ka goditur trupin e tij 88-vjeçar.
Shumëkush, duke përfshirë besimtarët, gazetarët dhe vëzhguesit, gjatë këtyre më shumë se njëzet e pesë ditëve të shtrimit të Papës në Poliklinikën romake Gemelli, përfytyrojnë një Jorge Mario Bergoglio të ligështuar, por njëkohësisht, të etur për ta braktisur së shpejti atë kat të dhjetë të spitalit dhe për të përqafuar përsëri popullin e tij. Atë popull të cilin, më 13 mars, dymbëdhjetë vjet më parë, në vitin 2013, e bekoi dhe i premtoi një rrugë të përbashkët: “Ipeshkvi dhe populli, bashkë...”. Populli, të cilit, vazhdimisht, në fund të çdo lutjeje të engjëllit të Zotit, predikimi, fjalimi, Papa Françesku i kërkon të lutet për të: "Sepse ka nevojë për lutje".
Përgjigja e botës ndaj kërkesës: "Lutuni për mua"
E nëse ka ndonjë gjë që nuk do të mungojë në këtë përvjetor për Papën "e ardhur nga fundi i botës", Argjentina, sigurisht që do të jenë lutjet, siç dëshmohet nga nismat e shumta që lindën spontanisht në dioqezat e ndryshme të botës e që i bashkuan në një fill të vetëm të kuq, të pesë kontinentet: nga Kina në Çad, nga Sri Lanka në Argjentinën “e tij”, nga Amerika në Romë, ku çdo ditë dhe çdo orë shihet sesi shtohet grupi i besimtarëve që luten nën shtatoren simbolike të Shën Gjon Palit II, në Sheshin Gemelli dhe ku çdo mbrëmje, në një shesh tjetër, atë të Shën Pjetrit në Vatikan, mblidhen qindra njerëz me rruzare në duar për t’u lutur, të prirë nga Kuria romake.
Lutje të lartuara nga sheshet, Kishat, famullitë, e edhe shtëpitë, pas transmetimit të drejtpërdrejtë. Lutje të shpeshuara pas njoftimeve për krizën që i shkaktoi pneumonia Papës e që, për fat të mirë, nuk u përsëritën kurrë dhe u mbushën me shpresë pas përditësimeve të fundit për përmirësimet e lehta dhe prognozën e dhënë nga mjekët.
"Në dalje"
Lutje (ose për ata që nuk besojnë, "mendimet e mira", siç kërkonte gjithnjë ai vetë) shkrirë në një thirrje të vetme: shërimin e një Pape, si Jorge Mario Bergoglio, i brishtë, por këmbëngulës, "që s’u rrëzua kurrë" (për të marrë hua një nga shprehjet e tij tipike), por u ngrit gjithnjë në këmbë, pas çdo vështirësie fizike, duke rifituar forcë e zë, duke shtegtuar, duke takuar, duke marrë, duke dhënë, duke shëtitur – edhe në karrikë me rrota - nëpër famullitë e Romës e dioqezat në veriun e Italisë ose duke fluturuar në anën tjetër të hemisferës.
Një Papë, Françesku, i cili gjithmonë dhe menjëherë e ka shprehur dëshirën për të qenë gjithnjë "në dalje", kur disa ditë pas zgjedhjes, nisi të banojë në shtëpinë e Shën Martës, kur në fluturimin e kthimit nga Iraku, udhëtimi i tij i parë apostolik ndërkombëtar pas bllokimit të Covid-it, tha se në Vatikan ndihej si "në kafaz", kur në intervistat pas shtrimeve në spital dhe operacioneve, rrëfeu se i kishte numëruar ditët që kishte qenë në spital.
Audioja kumbonte në sheshin e Shën Pjetrit
Më 13 mars 2025, Papa Françesku e fillon rishtas vitin e trembëdhjetë të papnisë në spital. Deri në këtë çast, dëshmia e tij e vetme vokale është një audio, që jehoi më 6 marsin e kaluar ndërmjet besimtarëve të mbledhur për lutjen e Rruzares në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan: “Ju falënderoj nga zemra për lutjet tuaja kushtuar shëndetit tim, nga Sheshi. Ju shoqëroj prej këndej! Zoti ju bekoftë e Virgjëra Mari ju ruajtë. Faleminderit”. Fare pak fjalë, të regjistruara në spanjisht në banesën private të spitalit Gemelli, mes fizioterapisë së frymëmarrjes dhe oksigjenimit me flukse të larta, për të falënderuar ata që këto ditë e përshëndetën me përzemërsi dhe afërsi.
Vija e përfundimit të udhëtimit më të gjatë
Tri fraza dhe një falënderim, pas dymbëdhjetë muajsh - duke nisur nga 13 marsi 2024 - gjatë të cilit Papa Françesku kremtoi 45 lutje kushtuar Engjëllit të Tënzot dhe Mbretëreshës Qiellore, kryesoi 32 audienca të përgjithshme, mbajti gati 230 takime brenda dhe jashtë Vatikanit, kremtoi 30 Meshë... Paradoksale, thuhej! Ashtu si duket paradoksal fakti që Françesku thyen "rekordin" për qëndrimin më të gjatë në spital (të papnisë së tij, jo të ndonjë Pape: tani për tani ai rekord i takon Papës Wojtyla për 55 ditët e kaluara në spitalin Gemelli në qershor-gusht 1981, për shkak të komplikimeve nga citomegalovirusi) pesë muaj pas rekordit më të gjatë.
Dy javë shtegtim: Indonezi, Papua Guinea e Re, Timor-Leste, Singapor. Katër shtete, dy kontinente. Ishte 2-13 shtator 2024, gjashtë muaj më parë, por është ende i gjallë kujtimi i asaj ndërmarrjeje sfiduese, i cili shkaktoi shqetësim tek shumë për shkak të frikës që lidhej me shëndetin, katër zona të ndryshme kohore, distancën e gjatë të fluturimit. Një lojë e suksesshme për 87-vjeçarin e atëhershëm Françeskun, i cili u shpërblye për të gjitha përpjekjet e tij me një pritje të paharrueshme në rrugë me këngë e valle nga fise, gra, fëmijë dhe njerëz që ngjiteshin nëpër pemë dhe ndërtesa për të valëvitur flamujt me fytyrën e tij. Një tjetër moment historik ishte arritja e fluturimit, në bordin e një avioni ushtarak të siguruar nga Australia, nga Port Moresbi në Vanimo, në kufirin e Papua Guinesë së Re, për të takuar misionarët argjentinas që shpallin Ungjillin në pyje midis njerëzve indigjenë. Vetëm ata që ishin atje mund të përshkruajnë sytë e ngazëllyer të Papës teksa vëzhgonte një kishë duke bërë hapat e saj të parë, si ato të treguara në Veprat e Apostujve.
Shtegtarë në Evropë e në Itali
E, pas misionit deri në skajet e globit, Papa rifilloi shtegtimin, përsëri në shtator 2024, por këtë herë në zemër të Evropës, fillimisht në Luksemburg, më pas në Belgjikë. Shtegtim më i shkurtër, por po aq i ngarkuar me veprimtari, takime të paplanifikuara me të varfërit dhe të rinjtë, çastet e vështira në Universitetin e Louvain dhe thelbi i skandaleve të abuzimit.
Në dhjetor Papa fluturoi përsëri, këtë herë në Korsikë, një nga ishujt më të mëdhenj të Mesdheut, ku për më pak se dhjetë orë u takua me fëmijë dhe priftërinj, vëllazëri dhe familje e, më në fund, edhe me presidentin francez Macron.
Ndërmjet majit dhe korrikut, Papa u kthye, për të udhëtuar sërisht në Itali. Vizitoi Venecian, Veronën e Trieshtën. Tri skena me korniza të paharrueshme, takime simbolike, mjedise (mbi të gjitha, Kanali i Madh i lundruar me motobarkë dhe Arena e Veronës) nga të cilat rinisin thirrjet për paqe, vëllazëri, demokraci.
Dera e Shenjtë e Shën Pjetrit dhe Rebibbia, "bazilikë" për një ditë
Edhe viti i dymbëdhjetë i papnisë pati etapa themelore për jetën e Kishës, si hapja e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, mbrëmjen e 24 dhjetorit, për të nisur Jubileun e madh të Shpresës. Dy ditë më vonë, më 26 dhjetor, u hap Porta Shenjte në burgun Rebibbia, në Romë, burg që, për një ditë, u shndërrua në "bazilikë" të gardianëve dhe të burgosurve të prekur thellë në shpirt! E pastaj, përsëri, Sinodi i Ipeshkvijve mbi Sinodalitetin e Kishës gjatë gjithë tetorit 2024, faza e dytë në Vatikan e një rrugëtimi tre-vjeçar që filloi në dioqeza, me baballarë dhe nëna sinodale - laikë dhe të shuguruar - të mbledhur së bashku nga kontekste dhe gjerësi të ndryshme, për të nisur procese dhe për të zhvilluar ndryshime.
Sinodi, Koncistori, enciklika, thirrje, letra, takime…
Në vitin e dymbëdhjetë në fronin e Shën Pjetrit “lind” edhe një enciklikë, Dilexit Nos, e katërta e papnisë për t’ia rikthyer "zemrën e Jezu Krishtit" një bote "që duket se e ka humbur zemrën" dhe Koncistori i dhjetë për krijimin e 21 kardinajve të rinj, ardhur nga territoret e largëta - nga Irani, Filipinet, Algjeria, për të përmendur vetëm disa – e për ta paraqitur fytyrën e Kishës në një mënyrë edhe më universale.
Dymbëdhjetë muaj, këto të vitit të dymbëdhjetë të papnisë, të ngarkuar me thirrje telefonike për presidentët dhe njerëzit e zakonshëm, me letra dhe telegrame për nuncët apostolik në vendet në luftë ose për ipeshkvijtë e tokave të rrënuara nga katastrofat natyrore; me intervista dhe biografi, takime me përfaqësues politikë, siç ishte takimi i G7, në Puglia të Italisë, ose me popujt e martirizuar të Ukrainës dhe të Lindjes së Mesme, me thirrjet e vazhdueshme për paqe, edhe kur i ngjirrej zëri!
Shpresat dhe siguritë
Më pas, nga mesi i shkurtit 2025, ndalesa, pauza, sëmundja, mungesa në sheshet dhe dritaret, zëvendësimi nga kardinaj të tjerë për të kryesuar kremtimet jubilare... E, megjithatë, shpresa e shujtuar nga lutja për shërimin dhe sigurinë e pranisë së shikimit të tij prej bariu që, ndërmjet terapive dhe fizioterapisë, pushimit dhe lutjeve, është papushuar kurrë në krye të grigjës, me premtimin: "Do t’ju shoqëroj prej këtu!”