Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
PROGRAMI SHQIP
Programe Podcast
Fëmijët në spiatlin romak Gemelli (AFP ose licencuesit) Fëmijët në spiatlin romak Gemelli (AFP ose licencuesit)

Françesku: pranë të sëmurëve, të brishtë si unë. Faleminderit fëmijë, Papa ju do

Në tekstin e Engjëllit të përgatitur nga Papa, Françesku kujton se gjatë sëmundjes asgjë nuk mund të na pengojë të duam dhe të lutemi. E edhe na nxit ta shikojmë në njeriun që është pranë nesh në provë, pasqyrimin e dritës së Zotit. Në zemrën e Papës, edhe vendet e shkatërruara nga lufta.

R.SH. / Vatikan

Është drita, ajo që transformon, që verbon, që ledhaton në dhimbje e që drejton mendimet e Papës në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, përgatitur prej tij, në këtë të dielë të dytë të Kreshmëve. Është drita e Shndërrimit të Jezusit, që e bën të dukshme një nga të vërtetat më të mëdha për dishepujt, të cilët e ndjekin pas në mal: “prapa gjesteve - thekson Françesku - që Ai kryen mes tyre”, është “drita e dashurisë së tij të pafundme”.

Periudha e provës

Dashuri që Papa e ndjen fort! "Ndërsa unë po përballoj - shkruan - një periudhë prove, bashkohem me shumë vëllezër e motra, të sëmurë: të brishtë, në këtë çast, si unë".

Trupi ynë është i ligësht, por edhe kështu, asgjë nuk mund të na pengojë të duam, të lutemi, të dhurojmë vetveten, të jemi për njëri për tjetrin, në fe e në shenjat e shndritshme të shpresës.

Rrezet e dashurisë së Jezusit

Të jeni dritë, edhe në viset ku lëngon vuajtja. Dritë - shton Papa - e cila gjendet edhe tek njerëzit që Zoti i dërgon pranë nesh.

Sa dritë shkëlqen, në këtë kuptim, në spitale dhe në vendet e kujdesit! Sa vëmendje e ëmbël ndriçon dhomat, korridoret, klinikat, vendet ku kryhen shërbimet më modeste! Prandaj sot dua t'ju ftoj të bashkoheni me mua për të lavdëruar Zotin, që nuk na braktis kurrë e që, në çastet e dhimbjes dërgon pranë nesh njerëz, të cilët pasqyrojnë rreze të dashurisë së tij.

Lutja e fëmijëve

Françesku falënderon ata që e ndihmojnë “me kaq përkushtim”, ndjen pranë një popull që lutet pandërprerë për shëndetin e tij; nga më të vegjlit – tek më të mëdhenjtë.

E di se shumë fëmijë luten për mua; disa prej tyre erdhën sot këtu në “Gemelli” në shenjë afërsie. Faleminderit fëmijë të dashur! Papa ju do dhe pret gjithmonë t'ju takojë.

Kujtimi i vendeve të plagosura nga konfliktet

Edhe nga Poliklinika Gemelli, në Romë, Papa ka në zemër vendet e “plagosura nga lufta”: Ukrainën e martirizuar, Palestinën, Izraelin, Libanin, Mianmarin, Sudanin, Republikën Demokratike të Kongos”.

Një Kishë gjithnjë e më sinodale

Në vijim të lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, Papa kujton rrugën e miratuar nga ai vetë, për të shoqëruar Kishat në zbatimin e dokumentit përfundimtar të Sinodit të vitit 2024 dhe për të ecur drejt një Asambleje Kishtare, në vitin 2028.

E edhe na fton të lutemi për Kishën, e thirrur për ta shndërruar në zgjedhje konkrete gjykimin e bërë në Asamblenë e fundit Sinodale. Falënderoj Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, që do t’i shoqërojë Kishat vendase në këtë angazhim, në tre vitet e ardhshme. Në përfundim, lutja e përhershme, plot  devocion e besim amtar, drejtuar Marisë, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit:

“Virgjëra Mari na mbroftë dhe na ndihmoftë që të jemi, si ajo, bartëse të dritës dhe të paqes së Krishtit”.

16 mars 2025, 13:17
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031