Natë e qetë për Papën Françesku në Gemelli
R.SH. / Vatikan
“Papa kaloi një natë të qetë dhe u zgjua pak pas orës 8:00 të mëngjesit”. Kështu bën të ditur sot, 7 mars, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, në lidhje me gjendjen shëndetësore të Françeskut, që vijon të jetë i shtruar në Poliklinikën Gemelli që prej datës 14 shkurt.
Buletini i djeshëm
Në buletinin e djeshëm, Salla e Shtypit njoftoi se, në krahasim me ditët e mëparshme, gjendja klinike e Papës ishte e qëndrueshme. Megjithatë, mjekët mbajnë ende prognozë të rezervuar. Duke pasur parasysh qëndrueshmërinë e pasqyrës klinike, buletini mjekësor i radhës do të publikohet nesër. Turma e mbledhur mbrëmë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan u prek thellësisht kur, para fillimit të lutjes së Rruzares për shëndetin e Françeskut, u transmetua një audio incizim nga Gemelli, në të cilin Papa falënderonte njerëzit për lutjet dhe afërsinë e tyre.