Në spitalin Gemelli, përkëdhelja e fëmijëve, për Papën Françesku
R.SH. / Vatikan
“Kthehu tek ne!”, “Kthehu tek ne!”.
Nuk është libër, as një playstation, siç patën kujtuar pak ditë më parë pacientët e vegjël të Spitalit të Fëmijëve Bambino Gesù, në Romë. Dhurata që zgjodhën sot, më 16 mars, fëmijët për Papën Françesku, ishte përkëdhelje. Gjest i butë, e njëkohësisht edhe i fuqishëm, i mbartur nga fryma e zërave të tyre, pothuajse "urdhër dhënë zërave" - për t'u siguruar se do të arrijnë - nga sheshi i Poliklinikës Gemelli në Romë - atje ku Papa është shtruar që nga 14 shkurti.
Prandaj, këndvështrimi është i kundërt, siç e thekson një nënë e pranishme për të shoqëruar dy vajzat e saj. Nëse dikur ishte Papa Gjoni XXIII që, në “Fjalimin drejtuar Hënës”, u kërkoi të rriturve t’ua çonin një përkëdhelje të vegjëlve - sot ishin vetë të vegjlit që ia çuan përkëdheljen plot dashuri Papës. Ia çuan me duart e tyre të brishta, por të sigurta, me atë gëzim të kulluar, që është “shëndet për shpirtin”.
Një dashuri prekëse
Në orën 11:30, gjysmë ore para transmetimit të fjalëve të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele, një përqafim zërash dhe ngjyrash mbështillte monumentin kushtuar Gjon Palit II, me titull “Mos ki frikë”. Mëngjesi - në të cilin disa pika shiu luanin me rrezet e diellit, që dukej e zhdukej nga retë - i organizuar nga Komiteti Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve, udhëhequr nga Atë Enzo Fortunato – ishte mozaik realitetesh, mbledhur rreth Papës: nga Shkollat e Paqes të Bashkësisë së Shën Egjidit, tek skautët e Shoqatës Castorini e tek fëmijët e budistëve italianë. Me ta, edhe më të vegjlit e kooperativës Auxilium, shtëpitë familjare të lidhura me Spitalin Bambino Gesù në Romë, së bashku me delegacionet e UNICEF-it dhe Urdhrit të Buzëqeshjes.
“Papa i ndihmon të gjithë”, “Shkolla katolike është tifoze për ty” - shkruhej në parrullat që sot e mbushën përplot oborrin e Gemellit.
Dorë për dore
Protagonistët e vegjël - rreth treqind - mbërrijën të lidhur dorë për dorë me prindërit e tyre, duke ecur me hapa të vegjël, pranë më të mëdhenjve. Si hapat e një fëmije që mban vizatimin e Papës dhe, përpara se ta vendosë tek këmbët e shtatores së Papës Wojtila, ia tregon gjyshes: ajo buzëqesh e ngre gishtin e madh, në shenjë miratimi. Portreti i Françeskut, me krahun ngritur në shenjë përshëndetjeje dhe me një buzëqeshje të ëmbël, bashkohet me një seri të gjatë vizatimesh dhe letrash, brenda të cilave rrahin simbolikisht, një mori zemrash miturake!
Që nga pranimi në Gemelli, ka pasur një rritje të jashtëzakonshme në vëllimin e postës që i dërgohet Papës, edhe me mesazhet, shpesh të shoqëruara me vizatime, ardhur nga e gjithë bota. Ja një prej tyre, që duket sikur u drejtohet punonjësve të spitalit:
"Shërojeni Papën Françesku!".
Pastaj, jehona e një kori: "Papa Françesku, Papa Françesku!".
Është kori i zërave që ngrihet në mesditë, kur Atë Fortunato i fton të thonë lutjen e Engjëllit të Zotit. Në një tullumbace të bardhë që valëvitet - dhe një tullumbace të artë, që rrëshqet nga duart dhe ngrihet në qiell, lexohen mesazhet e dashurisë për Papën. Pastaj, në heshtjen e lutjes, kumbojnë fjalët që Françesku donte t'ua kushtonte atyre në tekstin e dorëzuar për këtë rast:
"Faleminderit të dashur fëmijë! Papa ju do dhe gjithmonë pret t'ju takojë."
Një shpërthim gëzimi përgjigjet, si melodi moti: nuk është përkëdhelje, por dashuri e pastër, e vetvetishme, gjuhë e sinqertë fëmijërie.
Gjesti i fundit
Së fundi - gjesti i fundit: një grup fëmijësh, të shoqëruar nga Imzot Claudio Giuliodori, asistent i përgjithshëm kishtar i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, vendos një buqetë me lule të bardha në kapelën Gemelli. Me të, një letër e vogël, sa e thjeshtë, aq edhe e thellë, sa mund ta shkruajë vetëm një fëmijë:
"Zoja Mëri, të lutem shëroje Papën Françesku!".