Papa dhe 38 ditët e veprimtarisë nga Gemelli, me mesazhe e thirrje për paqe
R.SH. – Vatikan
Pesë vjet më parë, pikërisht në mbrëmjen e kësaj dite (27 mars), Papa ecte në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u ngjitur drejt tremes, pa njerëz përreth, nën një shi të imtë, ndriçuar nga dritat e fenerëve, nën jehonën e sirenave të ambulancave të Romës. I gjithë njerëzimi ishte mbyllur në shtëpi, për shkak të pandemisë Covid-19, por Françesku ishte aty, në zemër të krishterimit, i vetëm, edhe pse i shoqëruar nga vështrimet e njerëzve që e shihnin në televizor e nga lutjet e të gjithëve. “Kuptuam se jemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por, njëkohësisht, të rëndësishëm dhe të nevojshëm, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku, të gjithë me nevojën për ta ngushëlluar njëri-tjetrin. Në këtë barkë... jemi të gjithë", pati thënë atëherë Ati i Shenjtë.
Ndërkaq, pesë vjet më vonë, Papa ndodhet “i izoluar” në shtëpinë e tij, në Shën Martë, për të ndjekur terapitë e dhëna nga mjekët, pas pneumonisë nga të dyja krahët, që e vuri jetën e tij në rrezik dy herë dhe e detyroi të shtrohej në spital për 38 ditë. I vetëm, por i shoqëruar fizikisht nga ekipi mjekësor dhe nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe, shpirtërisht, nga lutjet e shumë njerëzve. I brishtë e, megjithatë, i patundur - edhe në këtë 27 mars 2025, ashtu si më 2020 - pikë referimi për njerëzimin, që duket se e ka humbur udhën. Stuhia e radhës nuk është më pandemi, por luftë e krizë, garë armatimi dhe dhunë e pasiguri. E sërish, "në këtë barkë... jemi të gjithë".
Vështrimi mbi botën e Kishën
Jorge Mario Bergoglio vijon ta drejtojë këtë barkë e nuk reshti as gjatë kësaj “kreshme” të tij në Poliklinikën Gemelli të Romës, mes emergjencës së frymëmarrjes, terapive farmakologjike e fizioterapisë. Duart mbi timonin e Kishës, sytë drejt horizontit të Evropës, Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë Juglindore, të gjitha nën terrorin e luftës, e cila, “prej këtej” – shkroi Papa në tekstin e Engjëllit të Tënzot, më 2 mars – pra, nga kati i dhjetë i spitalit, “duket edhe më absurde”. Fjalë, që mbetën të skalitura në kujtesën kolektive.
Ai i datës 2 mars ishte i dyti nga gjashtë meditimet e botuara gjatë gjashtë të dielave duke filluar nga 14 shkurti, dita e shtrimit në spital, kur dritarja e studios private të Pallatit Apostolik të Vatikanit mbeti e mbyllur. Në çdo reflektim papnor nuk mungoi kurrë thirrja për ndalimin e konflikteve, duke filluar nga meditimi i parë i 16 shkurtit dhe, më pas, tek ai i së dielës 23 shkurt, në prag të 3-vjetorit të fillimit të agresionit në shkallë të gjerë kundër Ukrainës. “Përvjetor i dhimbshëm dhe i turpshëm për mbarë njerëzimin”, e quajti Ati i Shenjtë, duke kërkuar të kujtohen “viktimat e të gjitha konflikteve të armatosura” dhe të bëhen “lutje për dhuratën e paqes në Palestinë, në Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme, në Mianmar, në Kivu dhe në Sudan”. Ftesë, që u përsërit në Engjëllin e Tënzot të 9 marsit, para Kreshmëve, me "shqetësimin" për rindezjen e dhunës në Siri dhe me shpresën e "respektit të plotë për të gjitha grupet etnike dhe fetare të shoqërisë, veçanërisht për civilët".
E pastaj, data 16, e diela e mbushur me praninë e fëmijëve të kombësive të ndryshme në sheshin para spitalit Gemelli, të cilëve u kërkoi të luten sidomos për “vendet e plagosura nga lufta”. E, edhe më 23 mars, ditën e daljes nga spitali, Françesku shprehu dhimbjen për rifillimin e bombardimeve izraelite në Gaza: «Kërkoj që armët të heshtin menjëherë – ngriti zërin Papa – me guxim, të rifillojë dialogu, që të lirohen të gjitha pengjet dhe të arrihet një armëpushim përfundimtar”, shkruante, duke denoncuar situatën humanitare “sërish shumë serioze” në Rrip e duke kërkuar “impenjimin urgjent të palëve ndërluftuese dhe të bashkësisë ndërkombëtare”.
"Të çarmatosen fjalët, mendjet, Toka”
E, jo vetëm në Engjëllin e Tënzot. Fjalët e paqes, thënë nga Papa Françesku nga spitali Gemelli, gjetën vend edhe në letrën dërguar drejtorit të gazetës italiane “Corriere della Sera”, Luciano Fontana, në përgjigje të një urimi për shërim të shpejtë. Letra u botua pikërisht në ditët e shpalljes së planit të diskutueshëm për “Riarmatosjen e Evropës”. Natyrisht, Papa bëri thirrje për çarmatosje, duke filluar nga çarmatosja e fjalëve, që – lexohet – «nuk janë kurrë vetëm fjalë: janë fakte që e krijojnë ambientin njerëzor. Mund të bashkojnë, ose të përçajnë; t'i shërbejnë së vërtetës, ose ta keqpërdorin atë". "Duhet t’i çarmatosim fjalët, t’i çarmatosim mendjet dhe ta çarmatosim Tokën", bëri thirrje Ati i Shenjtë, duke denoncuar se “lufta nuk bën tjetër, veçse i shkatërron bashkësitë dhe ambientin, pa ofruar zgjidhje për konfliktet”. “Diplomacia dhe organizatat ndërkombëtare kanë nevojë për limfë dhe besueshmëri të re", theksoi Françesku, i cili e nënshkroi personalisht letrën.
Mbi 40 emërime dhe një kirograf
Nënshkrim, me të cilin përfundojnë të gjitha dokumentet, që u nisën nga spitali. Dyzet e katër emërime u bënë nga Gemelli, duke përfshirë ipeshkvij, kryeipeshkvij, nuncë (Burkina Faso, Kili, Bjellorusi) dhe presidenten e Guvernatoratit të Vatikanit, motër Raffaella Petrini, më 15 mars, një ditë pas shtrimit në spital. Dhjetë ditë më vonë, Papa emëroi dy sekretarët e rinj të Guvernatoratit: imzot Nappa, deri tani sekretar ndihmës i Dikasterit për Ungjillëzimin dhe avokatin Puglisi-Alibrandi, deri tani zv.sekretar i përgjithshëm.
Papa nënshkroi edhe dokumente si Kirografi i botuar më 26 shkurt, i cili themelon “Commissio de donationibus pro Sancta Sede”, një organ i ri për të "inkurajuar donacionet me fushata të veçanta" ndërmjet besimtarëve, Konferencave Ipeshkvnore dhe bamirësve të tjerë të mundshëm.
Fillimi i një udhe sinodaliteti
Në 38 ditët në krye të barkës së Shën Pjetrit, gjatë stuhisë së sëmundjes dhe të situatës botërore, edhe katër katekeza të audiencave të përgjithshme të së mërkurës (19 dhe 26 shkurt - 5 dhe 19 mars), gjashtë mesazhe, përfshirë Mesazhin e Kreshmëve dhe letra dërguar Sekretarit të përgjithshëm të Sinodit, kardinalit Mario Grech, për fillimin e një itinerari, që do të çojë në një Asamble kishtare, në vitin 2028, në Vatikan, për të konsoliduar udhën e sinodalitetit deri në atë çast, pa thirrur një Sinod të ri.
Vendim ky, që e nis Kishën universale për udhë gjatë tri viteve të ardhshme, gjithmonë e shoqëruar nga Papa. Asnjëherë i vetëm, edhe kur është i izoluar; asnjëherë i pamundur, edhe kur pushon, ndërsa shërohet; pa munguar kurrë, edhe kur është fizikisht larg nga besimtarët, si për shkak të një epidemie globale, ashtu edhe për një sëmundje personale.