Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
La scala di seta
Programe Podcast
E Mërkura e Përhime ne Rome E Mërkura e Përhime ne Rome

Papa: e Mërkura e Përhime na kujton se jemi pluhur, por na jep edhe shpresën në jetën e amshuar

Ritet e së Mërkurës së Përhime u kremtuan nga kryependestari apostolik, kardinali Angelo De Donatis, i dërguar i Papës Françesku, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin Gemelli të Romës e nuk mundi t’i kryesojë ato. Në homelinë e shkruar nga Ati i Shenjtë nënvizohet se përhimja “na kujton se jemi pluhur, por na bën të ecim drejt shpresës për të cilën jemi të thirrur, sepse Jezu Krishti zbriti nga qielli në pluhurin e tokës dhe, me Ngjalljen e tij, na tërheq me vete në zemrën e Atit”

R.SH. - Vatikan

 Sot, në të Mërkurën e Përhime, kryependestari apostolik, kardinali Angelo De Donatis, i dërguar i Papës Françesku, kremtoi Statio në kishën e Shën Anselmit në Romë, në orën 16.30, për të vijuar me procesionin pendestar deri në bazilikën e Shën Sabinës, ku në orën 17.00, u kremtua mesha shenjte me përhimjen e besimtarëve. Homelinë e meshës e lexoi kardinali, por ajo është përgatitur nga Papa Françesku, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin Gemelli të Romës e nuk mundi të kryesojë ritet e kësaj së kremteje, me të cilën bota katolike fillon Kreshmët, periudhë agjërimi e pendese në përgatitje të Pashkëve.

Kardinali De Donatis në ritin e përhimjes
Kardinali De Donatis në ritin e përhimjes   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Kujtesa e shpresa

Përhimja, vë në dukje Ati i Shenjtë që në fillim të homelisë, “na gjallëron kujtesën e gjithçkaje jemi tani, por edhe shpresën për gjithçka do të jemi. Na kujton se jemi pluhur, por na bën të ecim drejt shpresës për të cilën jemi të thirrur, sepse Jezu Krishti zbriti nga qielli në pluhurin e tokës dhe, me Ngjalljen e tij, na tërheq me vete në zemrën e Atit”.

Pluhur jemi e pluhur do të bëhemi

Pikërisht “kujtesa e shpresa” ishte binomi mbi të cilin u përqendua krejt homelia. Nga hiri që na vendoset mbi krye, këtë të Mërkurë të Përhime, kujtohemi se jemi pluhur e pluhur do të bëhemi. Këtë, vëren Papa, “na e mëson përvoja e brishtësisë, të cilën e përjetojmë në lodhjen, në dobësitë me të cilat duhet të përballemi, në frikën, në dështimet që na djegin përbrenda, në kotësinë e disa ëndrrave, kur kuptojmë sa kalimtare janë gjërat që zotërojmë”. E kështu ndodh edhe me sëmundjen, varfërinë, vuajtjen, që ndonjëherë na godet papritur. Kujtohemi se jemi të brishtë edhe para botës së sotme plot me kundërvënie ideologjike, ku sundon logjika e më të fortit, ku kthehen ideologjitë e vjetra identitare, që teorizojnë përjashtimin e të tjerëve, shfrytëzimin e burimeve të tokës dhe dhunën e luftën ndërmjet popujve. Papa i quan të gjitha “pluhur toksik”, që e ndot ajrin, duke penguar bashkëjetesën paqësore e duke shtuar pasigurinë dhe frikën për të ardhmen. Hiri i kësaj së Mërkure, vijon më tej Françesku, na kujton edhe dramën e vdekjes, na kujton kush jemi në të vërtetë, pavarësisht nga maskat, që përdorim gjatë jetës.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Nga pluhuri i mëkatit në lavdinë e jetës së amshuar

“Por Kreshmët – kalon Ati i Shenjtë tek fjala e dytë e homelisë së tij – janë edhe ftesë për të rindezur shpresën brenda nesh. Nëse e përhijmë kryet e ulur për t’u kujtuar kush jemi, koha e Kreshmëve nuk na lë me kokën ulur, përkundrazi, na nxit ta ngremë kokën e ta shohim Atë, që ringjallet nga humnera e vdekjes, duke na tërhequr edhe neve nga pluhuri i mëkatit dhe i vdekjes në lavdinë e jetës së amshuar”.

 Përhimja na kujton, vazhdon më tej Papa, se Jezu Krishti u bë pluhur për ne deri në dhurimin e jetës për shpëtimin tonë. E kjo është shpresa që na mban, pavarësisht nga vështirësitë e jetës, pavarësisht nga trishtimi e dëshpërimi, që na kaplon nganjëherë. Prandaj, këshillon Françesku, në udhën drejt Pashkëve, “të kthehemi tek Hyji me gjithë zemër, ta vendosim përsëri në qendër të jetës sonë, që kujtesa e gjithçkaje jemi – të brishtë dhe të vdekshëm si hiri i shpërndarë nga era – të shndritet nga shpresa e të Ringjallurit”. Ati i Shenjtë përmend filozofin francez Jacques Maritain, i cili u thoshte katolikëve të bëhen "lypës të qiellit", pra, ta lusin Hyjin me shpresën se në fund të shtegtimit tokësor i pret një Atë krahëhapur. Prandaj, agjërimi i Kohës së Kreshmëve të na dëshmojë se nuk jetojmë vetëm për të kënaqur nevojat tona, por se jemi të uritur për dashurinë dhe për të vërtetën, që vetëm Zoti mund të na e japë.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Zoti dhe njeriu janë të lidhur nga një fat i vetëm

Së fundi, Papa uron: “Na shoqëroftë gjithmonë siguria se qëkur Zoti zbriti në pluhurin e botës, "historia e tokës u bë histori e qiellit. Zoti dhe njeriu janë të lidhur nga një fat i vetëm” dhe Hyji do ta fshijë përgjithmonë pluhurin e vdekjes për të na bërë të shkëlqejmë në jetë të re. Me këtë shpresë në zemrat tona, të nisemi për udhë. E të pajtohemi me Zotin”.

05 mars 2025, 14:42
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031