Papa Françesku jashtë rrezikut, por gjithnjë në spital. Nata, e qetë
R.SH. – Vatikan
“Nata kaloi e qetë, Papa u zgjua rreth orës 8.00”: kjo është deklarata e sotme (11 mars) e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë mbi gjendjen shëndetësore të Françeskut, i cili ndodhet i shtruar në Poliklinikën Gemelli të Romës, që prej datës 14 shkurt. Mbrëmë, në buletinin mjekësor nënvizohej se më në fund, është jashtë rrezikut për jetën. Sot paradite, Ati i Shenjtë vazhdoi terapitë farmakologjike, si edhe fizioterapinë për frymëmarrjen dhe lëvizjen. Gjithashtu, ndoqi në videokonferencë ushtrimet shpirtërore të drejtuara nga françeskani kapuçin, atë Roberto Pasolini, në Sallën Pali VI, në Vatikan. Pastaj, u lut në kapelën e vogël pranë dhomës së tij.
Nuk ka buletin mjekësor në mbrëmjen e sotme, por Salla e Shtypit, si gjithmonë, jep disa informacione të përgjithshme për gazetarët. Mësohet se Papa është më mirë dhe e ruan gjithnjë humorin. Edhe pse mjekët e kanë deklaruar jashtë rrezikut, gjithsesi, rezervojnë të drejtën për ta vlerësuar më tej kuadrin e ndërlikuar klinik. Sonte, pas meditimit të Kreshmëve të atë Pasolinit, Rruzarja për shërimin e Atit të Shenjtë drejtohet nga prefekti i Dikasterit për Nxitjen e Unitetit ndërmjet të Krishterëve, kardinali Kurt Koch.
Buletini i djeshëm
Dje, buletini mjekësor njoftonte për “përmirësime, që janë konsoliduar më tej”. Analizat e gjakut dhe reagimi i mirë ndaj terapisë e konfirmojnë këtë. Për këtë arsye, mjekët vendosën ta deklarojnë Papën jashtë rrezikut. “Megjithatë, duke pasur parasysh kuadrin e ndërlikuar klinik – thuhet në notë – dhe kuadrin e rëndësishëm infektiv në çastin e shtrimit, do të jetë e nevojshme të vazhdohet, edhe në ditët e tjera, terapia mjekësore farmakologjike në ambient spitalor”. Dje, si paradite, ashtu edhe pasdite, Papa mundi të ndiqte ushtrimet shpirtërore në lidhje video me Sallën Pali VI. Gjatë ditës, alternoi lutjen me pushimin.