Papa, Kishës braziliane: ta lëmë natyrën "të pushojë" nga shfrytëzimi
R.SH. – Vatikan
“Kthesa personale e çdo besimtari në Krishtin”, paralelisht me atë komunitare, që ka si horizont promovimin e një “ekologjie të gjithanshme”, në mënyrë që natyra të pushojë nga “shfrytëzimi lakmitar” i shkaktuar nga njeriu. Kjo është shpresa e Papës Françesku, shprehur në një mesazh të nënshkruar më 11 shkurt për Kishën braziliane, me rastin e fillimit të Kreshmëve.
"Vëllazërim dhe ekologji e gjithanshme"
Papa Françesku vlerëson impenjimin e Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit, në veçanti Fushatën tradicionale të Vëllazërimit, e cila këtë vit ka si temë “Vëllazërimin dhe Ekologjinë e Gjithanshme”, me moton e marrë nga Libri i Zanafillës: "Dhe Hyji pa se ishte gjë mirë". Nisma e ipeshkvijve brazilianë synon t’i udhëheqë besimtarët në rrugën e kthesës, që frymëzohet nga enciklika “Laudato si'”.
Shpresat për COP30-ën e ardhshme
Papa kujton se në atë dokument nënvizohet nevoja për një "kthesë të thellë të brendshme". Domosdoshmëri e theksuar edhe nga Papa shenjt Gjon Pali II, i cili pati folur për një "kthesë ekologjike", që e bën njerëzimin më të ndjeshëm ndaj "shtëpisë së përbashkët". Françesku lavdëron vëmendjen e Kishës braziliane për çështjet e ambientit, duke nënvizuar rolin vendimtar të Brazilit, i cili në nëntor do të mirëpresë COP30-ën, edicionin e tridhjetë të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Takimi do të mbahet në Belém, kryeqendra e shtetit amazonian të Parà-së, zemra e "mushkërive të gjelbërta" të Tokës. Papa Françesku uron që të miratohen "praktika, të cilat ndihmojnë në kapërcimin e krizës klimatike" dhe në ruajtjen e "veprës së mrekullueshme të Krijimit, të cilën Zoti na e ka besuar, me përgjegjësinë për t'ua përcjellë brezave të ardhshëm".
Frytet e udhës së Kreshmëve
Së fundi, Papa i rikthehet Fushatës së Vëllazërimit, duke uruar që ajo të jetë "ndihmë e fuqishme për njerëzit dhe për bashkësitë" e Brazilit, "në procesin e tyre të kthimit në Ungjillin e Zotit tonë Jezu Krisht dhe në impenjimin e tyre konkret në favor të ekologjisë së gjithanshme". Letra përfundon duke ia besuar këto shpresa Zojës së Aparesidës.
“Shpresoj që kjo udhë kreshmore të japë shumë fryte dhe të na mbushë të gjithëve me shpresë, shtegtarët e së cilës jemi në këtë Jubile”.