Papa: kush ndjek Zotin, e dëgjon britmën e të lënduarve e të të përjashtuarve
R.SH. - Vatikan
Të dhurosh jetën bujarisht. Kjo ftesë i paraprin Mesazhit të Papës kushtuar Ditës së 62-të Botërore të Lutjes për thirrjet, që do të festohet të dielën, më 11 maj. Mesazhi përshkohet nga inkurajimi për ta pranuar me shpresë prirjen për të cilën ndjehemi të thirrur. Çdo thirrje në Kishë - pohon Papa - qoftë laikale, apo e shuguruar, është "shenjë e shpresës, që Zoti ushqen për botën".
Zoti nuk zhgënjen, as nuk braktis
Përballë përhumbjes drejt së ardhmes, që po e përjetojnë brezat e rinj, qëndrimi që këshillon Papa është ai i besimit në Provaninë Hyjnore, "në atë Zot, që nuk të zhgënjen":
Ata shpesh përjetojnë pasiguri në lidhje me perspektivat e punës dhe, më thellë akoma, krizë identiteti, që është krizë kuptimi dhe vlerash dhe që konfuzioni dixhital e bën edhe më të vështirë për t’u tejkaluar. Padrejtësitë ndaj të ligshtëve dhe të varfërve, indiferenca e mirëqenies egoiste, dhuna e luftës kërcënojnë projektet e një jete të mirë, që lulëzojnë në shpirtin e tyre. E pra Zoti, që njeh zemrën e njeriut, nuk na braktis në pasiguri! Përkundrazi! Ai dëshiron të frymëzojë te çdo njeri dëshirën për të qenë i dashur, i thirrur e i dërguar si shtegtar i shpresës.
Duhen udhërrëfyes të mençur dhe hapësira të përshtatshme
Ta mirëpresësh, ta dallosh dhe ta shoqërosh rrugën e thirrjes: këto janë fjalët kyçe të kushtimit baritor që - sipas Papës - duhet të forcohet me energji, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, me të cilin duhet të ndihemi bashkëprotagonistë. Ftohemi, kështu, të mësojmë jetët e shenjtorëve dhe të lumve të rinj, që "e jetuan thirrjen e tyre si rrugë drejt lumturisë së plotë, në marrëdhënie me Jezusin e gjallë".
E duhet të jemi për ta njerëz të aftë për t'i dëgjuar dhe për t'i mirëpritur me respekt; njerëz, të cilëve mund t'u besojnë, udhërrëfyes të mençur, të gatshëm për t'i ndihmuar dhe të vëmendshëm për të njohur shenjat e Zotit në udhën e tyre. Ndaj kërkoj të tregohet kujdes ndaj thirrjes së krishterë në sferat e ndryshme të jetës dhe të veprimtarisë njerëzore, duke e nxitur secilin ta hapë shpirtin për të dëgjuar zërin e Zotit. Prandaj është e rëndësishme që programet edukative dhe baritore të ofrojnë hapësira të përshtatshme për shoqërimin e thirrjeve.
Çdo thirrje duhet të jetë përgjigje ndaj nevojës për ngushëllim
"Heshtja e lutjes është e domosdoshme për ta kuptuar thirrjen" - kujton Françesku. Është e rëndësishme që edhe çdo thirrje të konsiderohet jo aq si vetëpohim, por si përgjigje "e lirë dhe e vetëdijshme" ndaj një shërbimi. Në këtë këndvështrim, thirrja duhet të zbulohet me ndihmën e bashkësisë. Sepse thirrja “nuk është kurrë thesar, që mbetet i mbyllur në zemër, por rritet dhe forcohet në bashkësinë që beson, që dashuron, që shpreson” - thekson Pasardhësi i Pjetrit.
Kush e dëgjon Zotin që thërret, nuk mund ta injorojë thirrjen e kaq shumë vëllezërve dhe motrave që ndihen të përjashtuar, të lënduar, të braktisur. Çdo thirrje ia hap zemrën misionit për të qenë prania e Krishtit, aty ku ka më shumë nevojë për dritë dhe ngushëllim. Besimtarët laikë, në veçanti, thirren të jenë “kripë, dritë e tharm” i Mbretërisë së Hyjit, nëpërmjet angazhimit shoqëror dhe profesional.