Papa: lufta është absurde, të çarmatosim Tokën
R.SH. – Vatikan
I dashur drejtor,
dëshiroj t'ju falënderoj për fjalët e afërsisë, me të cilat deshët të ishit të pranishëm me mua në këtë kohë sëmundjeje, në të cilën, siç kam pasur rastin të them edhe herë të tjera, lufta duket edhe më absurde. Vërtet, brishtësia njerëzore ka forcën për të na e bërë më të qartë se çfarë i qëndron kohës e çfarë kalon, çfarë na bën të jetojmë e çfarë na vret. Ndoshta, kjo është arsyeja pse, shpesh, priremi t’i mohojmë kufizimet dhe t'u shmangemi njerëzve të brishtë e të plagosur: ata kanë pushtetin për ta vënë në diskutim drejtimin, që kemi zgjedhur, si individë dhe si bashkësi.
Dëshiroj t'ju inkurajoj ju dhe të gjithë ata, që i kushtojnë punë dhe inteligjencë informimit, nëpërmjet mjeteve të komunikimit, të cilat, tashmë, e bashkojnë botën në kohë reale: ta ndjeni gjithë rëndësinë e fjalëve. Ato nuk janë kurrë vetëm fjalë: janë fakte, që ndërtojnë ambiente njerëzore. Mund të bashkojnë, ose të përçajnë; t'i shërbejnë së vërtetës, ose ta përdorin atë. Duhet t’i çarmatosim fjalët, të çarmatosim mendjet dhe të çarmatosim Tokën. Ka shumë nevojë për reflektim, për gjakftohtësi, për t’i kuptuar ndërlikimet.
Ndërsa lufta s’bën tjetër, veçse shkatërron bashkësitë dhe ambientin, pa dhënë zgjidhje për konfliktet, diplomacia dhe organizatat ndërkombëtare kanë nevojë për limfë të re e duhet të jenë më të besueshme. Gjithashtu, fetë mund të marrin nga përshpirtëria e popujve për ta rindezur dëshirën për vëllazërim e drejtësi, shpresën për paqe.
E gjithë kjo kërkon impenjim, punë, heshtje, fjalë. Të ndihemi të bashkuar në këtë përpjekje, të cilën Hiri qiellor nuk do të pushojë së frymëzuari dhe së shoqëruari.
Françesku
Romë, Poliklinika “Gemelli”, 14 mars 2025