Papa në Gemelli, me përmirësime të vogla në frymëmarrje e lëvizje
R.SH. – Vatikan
Gjendja shëndetësore e Papës Françesku mbetet e qëndrueshme, me disa përmirësime të vogla në lëvizje dhe frymëmarrje. Lajmi është bërë i ditur nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila jep të rejat për situatën e Papës, që ndodhet i shtruar në Poliklinikën Gemelli të Romës, nga data 14 shkurt.
Ditët e Atit të Shenjtë kalojnë me terapitë farmakologjike, fizioterapinë për lëvizjen dhe frymëmarrjen, lutjen dhe pak punë. Françesku nuk pret vizitorë. Natën nuk e përdor më maskën, por kanulat në hundë për oksigjenimin me fluks të lartë, për të cilin, gjatë ditës, ka nevojë gjithnjë e më pak.
Tani për tani, Engjëlli i Tënzot i së dielës është planifikuar në të njëjtën mënyrë si gjatë të dielave të mëparshme, pra, teksti do të botohet. Në rast ndryshimi, Salla e Shtypit do të lajmërojë nesër.
Mjekët nuk kanë dhënë ende asnjë datë për daljen nga spitali. Buletini mjekësor i radhës pritet jo më parë se të hënën.