Papa pushon në Shtëpinë e Shën Martës, kremton meshën dhe vazhdon terapitë
R.SH. – Vatikan
Pushimi i Papës, pas daljes nga spitali - që mund dhe duhet të zgjasë "dy muaj", sipas deklaratave të mjekëve Sergio Alfieri dhe Luigi Carbone në konferencën për shtyp të së shtunës në Poliklinikën Gemelli - vazhdon me terapi farmakologjike, fizioterapi për frymëmarrjen dhe lëvizjen, lutje personale dhe meshë në kapelën e Stëpisë së Shën Martës.
Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë dha sot disa hollësi mbi shëndetin e Papës, i cili doli të dielën nga spitali, pas 38 ditësh. Françesku, pasi u duk nga një ballkon i vogël i Poliklinikës për të përshëndetur tre mijë njerëzit e mbledhur në shesh dhe pasi u ndal shkurtimisht para bazilikës së Shën Marisë së Madhe, u kthye në banesën e tij në Vatikan, për të rimarrë forcat.
Terapi, fizioterapi, oksigjenim
"Po vijon pushimin sipas mënyrës së përshkruar nga mjekët të shtunën", shpjegon Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Alfieri dhe Carbone (përkatësisht, kreu i ekipit që ndoqi Papën gjatë shtrimit të tij në spital dhe mjeku personal i Atit të Shenjtë) shpjeguan se Papa duhet të vazhdojë pjesërisht terapinë farmakologjike, "akoma për shumë kohë e nga goja”, si edhe plotësisht, fizioterapinë për lëvizjen e frymëmarrjen. Më pas, këshilluan të shmangen takimet, si ato personale, ashtu edhe ato në grup, të parashikohet një asistencë 24-orëshe për të plotësuar të gjitha nevojat, duke filluar nga oksigjeni e deri tek ndërhyrja në raste emergjence. Ky shërbim garantohet nga Drejtoria e Shëndetit dhe e Higjienës në Vatikan.
Pranë Papës, ndodhet gjithnjë një ekip mjekësor. Oksigjenimi i tij vazhdon me të njëjtën mënyrë si në ditët e fundit të shtrimit në spital: pra, gjatë natës, oksigjenimi me fluks të lartë me kanula hundore, i cili vijon gjatë ditës, por më i reduktuar.
Meshë dhe veprimtari
Siç pati bërë edhe në spitalin Gemelli, ku bashkëkremtoi meshën në kapelën e katit të dhjetë, edhe në Shtëpinë e Shën Martës, Papa e ka mundësinë të shkojë në kapelën e katit të dytë për të kremtuar meshën. Françesku vazhdon punën në formën e përshkruar ditët e kaluara. Pikërisht sot, buletini i mesditës i Sallës së Shtypit njofton për emërimin e nuncit apostolik në Bjellorusi, imzot Ignazio Ceffalia dhe Mbrojtësit të lidhjes martesore në Gjykatën Rota Romana, imzot Francesco Ibba.
Ende nuk ka ndonjë vendim për programin e ditëve në vijim dhe aq më pak, për kremtimet e ardhshme të Jubileut dhe për ritet e Javës Shenjte. Ato do të vlerësohen në bazë të përmirësimeve të Papës në javët e ardhshme, sqaron Salla e Shtypit e Vatikanit.
Do të publikohet teksti i katekezës së audiencës së përgjithshme
Nesër, e mërkurë 26 mars, u njoftua më tej, audienca e përgjithshme nuk do të mbahet, por do të botohet teksti i përgatitur i katekezës, siç ndodhi gjatë katër të mërkurave të fundit. Ka të ngjarë që e njëjta gjë të ndodhë të dielën me Engjëllin e Tënzot, por për këtë priten ende përditësime. Tani për tani, Papa Françesku është takuar vetëm me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Nuk ka asnjë parashikim për vizitat e planifikuara të krerëve të shteteve dhe të qeverive.
Fjalët e doktor Alfierit
Nga sa kuptohet, Ati i Shenjtë është i lumtur që është kthyer në shtëpi. Të dy mjekët, Alfieri dhe Carbone, e patën thënë në konferencën për shtyp, duke nënvizuar edhe "humorin e mirë" të Papës. Faza më e rrezikshme e sëmundjes sigurisht ka kaluar, theksuan ata të shtunën. Edhe sot, në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Alfieri tregon se kriza më e keqe ka qenë ajo e pasdites së 28 shkurtit, kur gjendja e Françeskut u keqësua, për shkak të bronkospazmave. "Për herë të parë pashë lot në sytë e disa prej njerëzve, që i qëndronin pranë. Njerëz që - e kuptova gjatë kësaj periudhe të shtrimit - e duan sinqerisht, si të ishte babai i tyre. Të gjithë ishim të vetëdijshëm se situata ishte keqësuar më tej dhe kishte rrezik të mos ia dilte". "Duhej të vendosnim nëse do të ndaleshim e do ta linim të shkonte, ose do të vazhdonim forcërisht duke provuar të gjitha ilaçet dhe terapitë e mundshme, me rrezikun tejet të lartë për të dëmtuar organet e tjera. Së fundi, ndërmorëm këtë rrugë", shpjegon Alfieri në intervistë, duke nënvizuar se vendimin e mori Papa.
Siç ndodhi edhe në shumë raste të tjera: “Që nga dita e parë, na kërkoi t'i thoshim të vërtetën dhe donte që t’i tregonim të vërtetën për gjendjen e tij”. Edhe përsa i përket komunikimit, pohon mjeku, "ne i njoftonim sekretarët për anën mjekësore dhe ata shtonin informacionet e tjera, që Papa i miratonte më pas, asgjë nuk u ndryshua e asgjë nuk u hoq. Ai ka njerëz që janë si familje tashmë, janë gjithmonë me të".