Papët dhe makthi i armëve: përbindësh, që përpin njerëzimin
R.SH. - Vatikan
“Drejtësia e hap rrugën me forcën e arsyes, jo me atë të armëve” (Piu XII, radiomesazh drejtuar qeverive dhe popujve, 24 gusht 1939). “Rrugët e paqes janë rrugët e Zotit” (Gjoni XXIII, mesazh radioje drejtuar mbarë botës për harmoninë e popujve, 10 shtator 1961). “Përgjigja ndaj luftës, nuk është luftë tjetër, as përgjigja ndaj armëve nuk janë armë të tjera” (Françesku, audienca e përgjithshme e 10 marsit 2021). Në magjisterin papnor, fjalët e Papëve, në shumë raste, shkojnë përtej kontekstit historik në të cilin u konceptuan dhe u shqiptuan. Duke e ngushtuar fokusin e reflektimeve mbi luftën, mund të shihet një horizont i gjerë dhe i hapur: ato nuk janë të ankoruara vetëm në data që dallohen në librat e historisë ose në një ngjarje specifike lufte. Thirrjet e Papëve për të shmangur përdorimin e armëve e tejkalojnë kohën: ato mund t'i takojnë së shkuarës, së ardhmes dhe, mbi të gjitha, së tashmes. Pikërisht në kohët tona, në këtë epokë të tronditur nga luftërat shkatrrimtare jo vetëm në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, fjalët e Papës për prodhimin dhe përdorimin e armatimeve duhen mirëpritur e duhen dëgjuar: janë zëra, gjithmonë aktualë, që e nxisin njeriun të çmontojë logjikat vëllavrasëse dhe të jetojë ato të vëllazërimit.
Piu XII: të përdorim fuqinë e arsyes
Rrugët e drejtësisë nuk janë ato të armëve. Kur bota është në prag të luftës, me ushtritë gati për të përdorur armët e tyre, fjalët e Papëve bëhen thirrje e fuqishme për paqe. Më 1 shtator 1939, trupat gjermane kaluan kufirin polak, duke shënuar fillimin e Luftës II Botërore. Pak ditë më parë, më 24 gusht të atij viti, Papa Piu XII, në një mesazh radiofonik, u drejtonte këto fjalë qeverive dhe popujve:
Piu XII: me luftë mund të humbasë gjithçka
Drejtësia e bën rrugën e saj me forcën e arsyes, jo me atë të armëve. Perandoritë që nuk janë themeluar mbi drejtësinë nuk janë të bekuara nga Zoti. Politika e emancipuar nga morali i tradhton pikërisht ata njerëz, që e duan. Rreziku është i pashmangshëm, por ka ende kohë. Asgjë nuk humbet me paqen. Çdo gjë mund të ndodhë me luftën. Lërini burrat të kthehen e ta kuptojnë njëri-tjetrin. Le të rifillojnë negociatat. Duke biseduar me vullnet të mirë dhe me respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, do ta kuptojnë se bisedimet e sinqerta dhe aktive nuk përjashtohen kurrë nga një suksesi i nderuar.
Gjoni XXIII: nga Papët fjalë paqeje, derisa ka ende kohë
Në vazhdën e historisë, fjalët e Papëve janë dëshmi dorëzuar tashmë historisë, me "shqetësimin dhe thirrjen e shqetësuar". Këtë thekson Gjoni XXIII, duke kujtuar paraardhësit e tij, në radiomesazhin drejtuar më 10 shtator 1961 mbarë botës për harmoninë e popujve.
Gjoni XXIII: Rrugët e Zotit janë ato të paqes
Kemi para vetes kujtimin e Papëve paraardhës më afër Nesh, dëshmia, kujdesi dhe ankthi i të cilëve tashmë i është dorëzuar historisë. Nga Nxitjet e Piut X, në prag të flakës së parë evropiane, pak ditë para vdekjes së tij shenjte, te Enciklika e Benediktit XV «Pacem, Dei Munus pulcherrimum»; nga paralajmërimi i Piut XI, i cili uronte paqen e vërtetë «non tam tabulis inscriptam, quam in animis consignatam», deri te thirrja emocionale dhe përfundimtare e Piut XII, më 24 gusht 1939: «Drejtësia e bën rrugën e saj me forcën e arsyes, jo me atë të armëve», kemi një varg ftesash, herë zemërthyera e herë-herë të vrullshme, drejtuar botës, duke e siguruar se me paqen asgjë nuk do të humbasë kurrë. Rrugët e paqes janë rrugët e Zotit dhe të fitoreve të vërteta.
Pali VI: armët lindin ëndrra të këqija
Në radiotransmetimin e vitit 1939 të mesazhit të Papës Pacelli, që dridhej sa nga forca, aq nga ankthi, mori pjesë edhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, i cili kontribuoi në hartimin e atij teksti. Ishte Imzot Giovanni Battista Montini i cili, pas zgjedhjes në fronin e Pjetrit, do të merrte emrin Pali VI. Si Papë, në një kohë të tronditur nga erërat kërcënuese të Luftës së Ftohtë - e cila në vitin 1962 me krizën e raketave kubane do të krijonte rrezikun e ndezjes së Luftës III Botërore - Pali VI shqiptoi këto fjalë drejtuar qeverive. Rasti ishte vizita historike më 4 tetor 1965, në Kombet e Bashkuara:
Pali VI: lëshojini armët!
“Nëse doni të jeni vëllezër, lëshojini armët! Nuk mund të dashurosh me armë sulmuese në dorë. Armët, ato të tmerrshmet sidomos, që ju dha shkenca moderne, edhe para se të prodhojë viktima dhe rrënoja, lindin ëndrra të këqija, ushqejnë ndjenja të këqija, krijojnë ankthe, mosbesim dhe synime trishtuese, kërkojnë shpenzime të mëdha, ndalojnë projekte solidariteti dhe pune të dobishme, shtrembërojnë psikologjinë e njerëzve. Për sa kohë që njeriu mbetet qenie e ligshtë, e paqëndrueshme e madje, edhe e keqe, gjë që e provon shpesh, armët e mbrojtjes do të jenë të nevojshme; por ju, të guximshëm dhe trima siç jeni, po studioni se si të garantoni sigurinë e jetës ndërkombëtare pa përdorur armë: ky është qëllim shumë fisnik, është çka popujt e presin nga ju, e kjo duhet të arrihet!”.
Gjon Pali II: jo armë, por këngët e vëllazërisë
Armët i verbojnë sytë e njeriut. Në vitin 1991, ishte tronditëse të shihje, qoftë edhe drejtpërdrejt a nëpërmjet raporteve nga kanalet kryesore televizive, sasinë e armëve të përdorura në luftën e tërbuar, në rajonin e Gjirit. Papa Gjon Pali II, më 2 shkurt 1991, shkroi këtë lutje për paqen, që të shuhej gjëmimi i armëve.
Lutja e Gjon Palit II për paqe
(...) Pranoje, o Atë,
lutjen që Kisha
po e larton drejt Teje
së bashku me Marinë,
Mbretëreshën e Paqes:
dikoje mbi sundimtarët
e të gjitha kombeve
Shpirtin e unitetit
e të harmonisë,
Shpirtin e dashurisë
e shpirtin e paqes:
që të arrijë shpejt-e-shpejt
ndër të gjithë kufijtë
kumti i shumëpritur:
“Mori fund lufta!
E heshti ulërima e armëve!”.
Ndërsa në të gjithë tokën kumbojnë
këngët e vëllazërisë dhe paqes.
Benedikti XVI: Ne duhet të importojmë ide paqeje, jo armë
Armët ngurtësojnë zemrën e njeriut dhe gara e armatimeve i detyron qeveritë të jenë gjithmonë gati, të furnizojnë ushtritë me mitralozë, pastaj tanke, pastaj drone, avionë luftarakë dhe madje edhe bomba atomike. Duhen armë gjithnjë e më të fuqishme për të bërë luftë! E duhen dhe armë gjithnjë e më të sofistikuara - argumentojnë ithtarët e logjikës së parandalimit - për të shmangur shpërthimin e një konflikti. Armët, edhe ato “të fjeturat”, por të përdorshme sakaq, janë “sigureca” që mund të ndizen në çdo kohë. Për të siguruar paqen, nuk duhet të pajisen ushtritë, por të zbrazen arsenalet. Kështu iu gjegj Benedikti XVI pyetjeve të gazetarëve, gjatë fluturimit për në Liban më 14 shtator 2012.
Benedikti XVI: Importimi i armëve është mëkat mortar
Do të thosha edhe se importi i armëve duhet të ndalohet përfundimisht: sepse pa importin e armëve lufta nuk do të mund të vazhdonte. Në vend që të importojmë armë, gjë që është mëkat i rëndë, duhet të importojmë ide paqeje, krijimtarie, zgjidhjesh për t’i pranuar të gjithë në larminë e tyre. Prandaj duhet ta bëjmë të dukshëm në botë respektin për fetë, për njëri-tjetrin, respektin për njeriun si krijesë e Zotit e dashurinë për të afërmin, si themelore për të gjitha fetë.
Françesku: jo armë, por vëllazëri
“Armët janë mbjellës të vdekjes. E shkatërrojnë edhe çka krijoi Zoti! Gjatë Luftës II Botërore, për shembull, ato shkaktuan dëme serioze, duke përfshirë shkatërrimin e ekosistemeve dhe ndotjen e tokës e të ujit. Këto janë gjuhë, të cilat i kundërvihen asaj që Françesku shpresonte në Laudato si', enciklikë në të cilën nënvizon se si rreziqet mund të bëhen "të mëdha kur mendohet për armë bërthamore dhe biologjike". Përdorimi "i vazhdueshëm dhe spazmatik" i armëve nuk mund të garantojë të ardhme paqeje”.
Është ky një nga çelësat e fjalimit të mbajtur nga Papa Françesku përpara Memorialit të Paqes në Hiroshima gjatë udhëtimit të tij apostolik në Japoni, në vitin 2019: “përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është imoral, ashtu siç është imorale mbajtja e armëve atomike”. Lufta është përbindësh e armët, mjetet e tij. Në audiencën e përgjithshme të 10 marsit 2021, Françesku flet pikërisht për këtë gjigant muskuloz e të pashpirt, të ushqyer çdo vit në botë nga shpenzimet e tepruara ushtarake, që vazhdon ta “kapërdijë njerëzimin”.
Françesku: armëve nuk duhet t’u përgjigjemi me armë!
Lufta është gjithmonë përbindësh e, ndërsa moshat ndryshojnë, transformohet dhe vazhdon ta kapërdijë njerëzimin. Por përgjigja ndaj luftës nuk është luftë tjetër e përgjigjja ndaj armëve, nuk është më armë. E pyes veten: kush u shet sot armë terroristëve? Është pyetje, e do të doja që dikush të përgjigjej. Përgjigja nuk është lufta, por vëllazëria. Kjo (...) është sfida për shumë rajone konflikti dhe, në fund të fundit, sfidë për gjithë botën: vëllazëria. A do të jemi të aftë të krijojmë vëllazëri ndërmjet nesh, të krijojmë kulturë vëllezërish? Apo do të vazhdojmë me logjikën e nisur nga Kaini, me luftë? Vëllazëri, vëllazëri.
Bota të dëgjojë zërat e Papëve
Në këtë epokë të karakterizuar nga përparimi, ndërmjet dritave dhe hijeve të inteligjencës artificiale, frika më e madhe, sipas disa ekspertëve jo të pabazë, ka të bëjë me aplikimet e mundshme të këtyre teknologjive në fushën ushtarake. Rreziku është të shohësh inteligjencën artificiale në punë, në një mënyrë gjithnjë e më dramatike dhe më të përshtatshme, madje edhe në teatrot e luftës. Pas njeriut, i cili tashmë ka dëshmuar me tepri sa shumë shkatërrim mund të sjellin armët, edhe inteligjenca artificiale është gati të shpërthejë tragjikisht në skenë, në fatin e njerëzimit. Ndoshta, në të ardhmen, ndonjë historian do të jetë në gjendje të shkruajë se inteligjenca artificiale tregoi "brutalitetin e saj artificial". Por ndërsa ka kohë, të dëgjojmë zërat e luftëtarëve të Paqes dhe të Papëve.
Ta dëgjojmë thirrjen e Papës Françesku në vitin 2019, në Japoni:
“Kurrë më luftë, kurrë më shkrehje armësh, kurrë më vuajtje aq të tmerrshme!”.