Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Invito alla danza
Programe Podcast
Papa Françesku Papa Françesku
Editorial

Zëri i mekët dhe magjisteri i brishtësisë

12-vjetori i papnisë së Françeskut bie këtë vit në një kohë të veçantë për Papën, i cili prej gati një muaji jeton në një dhomë spitali, në katin e dhjetë të Poliklinikës romane Gemelli. Prej andej, me një zë ende të mekët, ditët e fundit, u bashkua me besimtarët, që thonë Rruzaren për shëndetin e tij, në Sheshin e Shën Pjetrit. Një zë, që vazhdon të kërkojë paqe e jo luftë, dialog e jo shtypje, dhembshuri e jo indiferencë

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

Nesër, e enjte, më 13 mars, Papa Françesku kremton 12-vjetorin e zgjedhjes së tij në fronin papnor. Konklavi filloi një ditë më parë. Ishte e martë, 12 mars 2013 dhe, në orën 16.30, siç ishte vendosur nga Kongregacioni i Përgjithshëm, kardinajtë u mblodhën në Konklav për zgjedhjen e Ipeshkvit të ri të Romës, siç parashikohet nga “Ordo rituum conclavis”. Nga Kapela Pauline e Pallatit Apostolik, të paraprirë nga kryqi dhe të ndjekur nga libri i Ungjijve, duke kënduar Litanitë e shenjtorëve, 115 kardinajtë me të drejtë zgjedhore ecën në procesion drejt Kapelës Sikstine për betimin. Më pas, Mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore, imzot Guido Marini, shqiptoi “Extra omnes”.

Po atë mbrëmje, rezultati i votimit të parë: pa sukses. Të nesërmen, në mëngjes, kardinajtë zgjedhës u mblodhën për votimin e dytë dhe të tretë. Sërish asgjë nuk ndodhi dhe nga oxhaku doli tym i zi. Puna ndryshoi pasdite, kur në votimin e pestë Bergoglio arriti shumicën e nevojshme për t'u bërë pasardhësi i 265-të i Shën Pjetrit. Tymi i bardhë u duk mbi Vatikan në orën 19.06. Rreth një orë më vonë, më 20.12, njoftimin për zgjedhjen e Papës së ri, ardhur “nga fundi i botës”, e dha kardinali protodiakon Jean-Louis Tauran nga Lozha e Bekimeve e Bazilikës së Shën Pjetrit. Filloi papnia e Françeskut.

12-vjetori i saj bie këtë vit në një kohë të veçantë për Papën Françesku, i cili prej gati një muaji jeton në një dhomë spitali, në katin e dhjetë të Poliklinikës romane Gemelli. Lajmet e buletineve të fundit mjekësore janë inkurajuese, Ati i Shenjtë është jashtë rrezikut e shpresohet që, së shpejti, të kthehet në Vatikan, por pa dyshim, ai që po përjeton Papa këto ditë është një përvjetor shumë i veçantë i papnisë së tij. Pikërisht periudha e karakterizuar nga udhëtimi më i gjatë ndërkontinental (në Indonezi, Papua Guinea e Re, në Timorin Lindor dhe në Singapor), nga përfundimi i Sinodit mbi Sinodalitetin dhe nga hapja e Portës Shenjte të Jubileut 2025, tani, regjistron edhe këtë kohë delikate.

Pasardhësi i Shën Pjetrit, i sëmurë mes të sëmurëve, vuan dhe lutet për paqe, i shoqëruar nga lutja korale e sa e sa njerëzve në mbarë botën. Ai, që, në këto dymbëdhjetë vjet, nuk e ka përfunduar kurrë një mbledhje, një katekezë apo Engjëllin e Tënzot, pa fjalët "Ju kërkoj një favor, mos harroni të luteni për mua", sot, ndien përqafimin e kaq shumë besimtarëve dhe jobesimtarëve, që e duan.

Është kohë, që zbulon zemrën. Është kohë, në të cilën s’është pa dobi të bëhen pyetje mbi natyrën e Kishës dhe mbi misionin e Ipeshkvit të Romës, aq i ndryshëm nga ai i drejtorit të përgjithshëm të një firme shumëkombëshe. Dymbëdhjetë vjet më parë, kardinali i atëhershëm Bergoglio foli në kongregacionet e përgjithshme duke përmendur jezuitin, teologun dhe kardinalin francez Henri De Lubac, që e quante “mendësinë shpirtërore të kësaj bote” si "të keqen më të madhe" në të cilën mund të bjerë Kisha. Rreziku i një Kishe që "beson se shkëlqen me dritën e vet", se mund të bazohet në forcën e vet, në strategjitë e veta, në efikasitetin e saj, duke pushuar së qeni "mysterium lunae", pra, duke harruar të reflektojë dritën e një Tjetri, të jetojë dhe të veprojë e mbështetur dhe e mbartur vetëm nga hiri i Atij, që tha: "Pa mua nuk mund të bëni asgjë".

Duke i kujtuar edhe një herë ato fjalë, sot, shikojmë me dashuri dhe shpresë dritaret e katit të dhjetë të spitalit Gemelli. E falënderojmë Papën Françesku për këtë magjister të brishtësisë, për atë zë ende të mekët, që ditët e fundit iu bashkua Rruzares në Sheshin e Shën Pjetrit. Një zë i brishtë, që vazhdon të kërkojë paqe e jo luftë, dialog e jo shtypje, dhembshuri e jo indiferencë. Gëzuar përvjetorin Atë i Shenjtë, ne kemi ende shumë nevojë për zërin tuaj.

12 mars 2025, 14:16
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031