Kërko

cenacolo, ultima cena  cenacolo, ultima cena  

Koronavirus, normat për kremtimin e Javës së Shenjtë të Pashkëve

Kongregata e Vatikanit për Kultin Hyjnor përcakton në çfarë mënyre duhet të organizohen ritet e festës themelore të fesë së krishterë, Pashkëve, në vendet e prekura nga Kovidi-19. Aty ku janë vendosur kufizimet, nuk është e mundur t'i mbledhim besimtarët në asamble.

R.SH. - Vatikan

"Në kohën e vështirë qё po jetojmë për shkak të pandemisë Kovid-19, duke konsideruar rastin e masave kufizuese për parandalimin e luftimin e Covid-19, këndej edhe të vështirësive qё kanë shumë vende për kremtimet komunitare tё Meshëve e të riteve tjera liturgjike, Kongregata e Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve u transmeton Konferencave Ipeshkëvnore dhe dioqezave udhëzimet përkatëse" Janë "udhëzime të përgjithshme" e "sugjerime" që përmban Dekreti në kohën e Kovid-19 i datёs 25 marsit 2020, dërguar në emër të Papës Françesku nga kardinali Robert Sarah, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, të gjitha Konferencat Episkopale e ipeshkvijve dioqezan.

Kongregata e Vatikanit për Kultin Hyjnor përcakton në çfarë mënyre duhet të organizohen ritet e festës themelore të fesë së krishterë, Pashkëve, në vendet e prekura nga Kovidi-19. Aty ku janë vendosur kufizimet, nuk është e mundur të mblidhen besimtarët në asamble.

                                                                  DEKRETI QUOD MAGIS 

                                                                  Në kohën e Kovidit-19 (II)

Duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të pandemisë nga Covid-19 e duke marrë parasysh vërejtjet e ardhura nga Konferencat Episkopale, kjo Kongregatë jep një përditësim me udhëzime të përgjithshme e sugjerimeve që u janë dhënë tashmë Ipeshkvijve në dekretin e mëparshëm të 19 marsit 2020.

Nga momenti që data e Pashkëve nuk mund të transferohen, në vendet e prekura nga sëmundja, aty ku ka kufizime lidhur me mbledhjen dhe lëvizjen e personave, Ipeshkvijtë e Meshtarët t’i kremtojnë ritet e Javës së Shenjtë pa pjesëmarrje të popullit dhe në një vend të përshtatshëm, duke iu shmangur bashkëkremtimeve e duke lënë pa bërë shkëmbimin e shenjës së paqes.

Besimtarët të paralajmërohen me kohë për orën a kohën e fillimit të kremtimeve, në mënyrë që ata të mund të bashkohen në lutje në shtëpitë e tyre. Do të jenë një ndihmë e çmueshme mjetet telematike të komunikimit për transmetimin e drejtpërdrejt të kremtimeve, jo të paragjistruara. Në çdo rast, është e rëndësishme t'i kushtohet një kohë e arsyeshme lutjes, duke vlerësuar veçanërisht Liturgia Horarum (Liturgjinë e Orëve).

Konferencat Episkopale dhe dioqezat e veçanta të mos mungojnë së ofruari besimtarëve material ndihmës për t’i ndihmuar në lutjen familjare e personale.

1- E Diela e Larit. Përkujtimi i hyrjes së Zotit në Jeruzalem të kremtohet brenda ndërtesës së shenjtë; në Kishat Katedrale të përdoret trajta e dytë e parashikuar nga Meshari Romak, në Kishat Famullitare dhe në vende të tjera, trajta e tretë.

2-Mesha e Bagmit a Mesha e Krizmës. Duke konsideruar e vlerësuar rastin konkret sipas vendeve të ndryshme, Konferencat Episkopale mund të japin udhëzime rreth transferimit të mundshëm të kremtimit në një datë tjetër.

3-E Enjtja e Shenjtë e Pashkëve. Larja e këmbëve, tashmë jo e detyrueshme, të lihet. Në fund të Meshës në përkujtim të Darkës së Zotit të lihet procesioni e edhe i Shenjtueshmit Sakrament të ruhet në tabernakull. Në këtë ditë, meshtarëve u jepet në mënyrë të jashtëzakonshme leja për të kremtuar Meshën pa pjesëmarrje të popullit, në një vend të përshtatshëm.

4-Të Premten e Shenjtë e Pashkëve. Në lutjen universale Ipeshkvijtë të kujdesen për të përgatitur një qëllim të veçantë urate për ata që janë në një situatë hutimi, turbullimi, për të sëmurët, të vdekurit (krh. Missale Romanum). Akti i adhurimit të Kryqit, përmes puthjes, të kufizohet vetëm për kremtuesin.

5-Vigjilja e Pashkëve në Natën e Shenjtë. Të kremtohet ekskluzivisht në Kishat Katedrale dhe famullitare. Për liturgjinë pagëzimore, të mbahet vetëm përtëritja e premtimeve pagëzimore (krh. Missale Romanum).

Seminaret, kolegjet meshtarake, kuvendet dhe komunitetet rregulltare, t’u përmbahen e të ndjekin udhëzimet e këtij Dekreti.

Shprehjet e devotshmërisë popullore e procesionet që pasurojnë ditët e Javës së Shenjtë dhe Treditëshin e Pashkëve, sipas gjykimit të ipeshkvit dioqezan, mund të transferohen në një ditë të tjera të përshtatshme, për shembull më 14 e 15 shtator.

De mandato Summi Pontificis pro hoc tantum anno 2020

Nga Selia e Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, 25 Mars 2020, solemniteti i Lajmërimit të Zotit.

                                        Robert Kard. Sarah

                                                Prefekt

                                           X Arthur Roche

                                        Kryeipeshkëv Sekretar

 

25 mars 2020, 15:47