Kërko

2020.05.16-Laudato-si-1.jpg

Një lutje për Gjithësinë. Fillon Viti i Veçantë kushtuar enciklikës “Laudato si’”

Të dielën e ardhshme, më 24 maj, me “Lutjen e përbashkët për tokën dhe njerëzimin”, fillon një Vit i Veçantë kushtuar Enciklikës “Laudato Si’”. Promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, do të karakterizohet nga takime të shumta për t’u thelluar në temën e ekologjisë së gjithanshme.

R.SH. - Vatikan

Ekologjia e gjithanshme të bëhet paradigmë e re e drejtësisë, sepse natyra nuk është një “kornizë e thjeshtë” e jetës njerëzore: ky, thelbi i Enciklikës së dytë të Papës Françesku, “Laudato si’”, që i kushtohet kujdesit për globin, shtëpinë tonë të përbashkët. Nënshkruar nga Papa më 24 maj 2015, në solemnitetin e Rrëshajëve, e botuar më 18 qershor të po atij viti, deri të dielën e ardhshme, dokumenti është në qendër të “Javës së Veçantë”, që përkujton përvjetorin e tij të pestë.

2020-2021: një Vit i Veçantë

         Por, ka edhe më. Pikërisht të dielën, më 24 maj, me një “lutje të përbashkët për tokën dhe njerëzimin”, do të fillojë një Vit i Veçantë, kushtuar “Laudato si’”, promovuar nga Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Të gjitha ngjarjet e takimet e tij do të përqendrohen mbi temën e ekologjisë integrale, që përfshin njeriun me 360 gradë e jo vetëm natyrën. Ky Vit i Veçantë, i cili do të përfundojë më 2021, ka si objektiv të propozojë impenjimin e përbashkët drejt një zhvillimi të qëndrueshëm global, për t’u realizuar brenda 7 viteve. Të shumtë, protagonistët e tij: familjet, dioqezat, urdhrat fetare, universitetet, shkollat, institucionet shëndetësore dhe bota e biznesit, me vëmendje të veçantë për ndërmarrjet bujqësore.

Në gjurmët e Këngës së Krijesave

Kujtojmë se Enciklika, e ndarë në gjashtë kapituj, e merr titullin nga fjalët e Shën Françeskut të Asizit e nga “Kënga e Krijesave” në Bibël.  Shën Françesku lëvdonte Zotin për motrën Tokë e Papa Françesku vihet për udhë bashkë me Të Vobektin e Asizit për të shpjeguar rëndësinë e ekologjisë së gjithanshme, e cila duhet të kthehet në paradigmë të re për drejtësinë, duke bashkuar shqetësimin për natyrën me barazinë shoqërore për të varfërit e me impenjimin në shoqëri.

Të kujdesemi për Gjithësinë, për të shpëtuar bukurinë e krijuar nga Zoti

Në Enciklikë, Ati i Shenjtë nënvizon se duhet investuar në formimin për një ekologji të gjithanshme, që njerëzit ta kuptojnë më mirë se ambienti është dhuratë e Zotit, trashëgimi e përbashkët, e cila duhet administruar e jo shkatërruar. Janë të mjaftueshme, edhe gjestet e vogla të përditshme: mbledhja e diferencuar e mbeturinave, përdorimi i mirë i ujit dhe i ushqimeve, fikja e dritave të panevojshme, veshja e një rrobe më shumë, në vend të ndezjes së ngrohjes, sidomos aty ku dimri nuk është aq i acartë. Kështu, mendon Papa Bergoglio, do ta ndiejmë se “kemi përgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj botës”. Enciklika fton edhe t’i kthejmë sytë kah Sakramentet, në veçanti, kah Eukaristia, e cila “bashkon qiellin me tokën dhe na orienton të bëhemi kujdestarë të gjithë Krijimit të Zotit”. Pikërisht për këtë e lëvdojmë Hyjin me atë “Laudato si’”, përfundon Papa Françesku, sepse “përtej diellit, në fund të fundit, do të takohemi ballë për ballë me bukurinë e Zotit”.

Laudato si'
Laudato si'

Ndryshim rrënjësor

         Në Enciklikë, Papa Françesku kërkon një ndryshim rrënjësor të jetës së përditshme, ndryshim, që bëhet urgjent sidomos në këto kohë pandemie, siç shpjegon në mikrofonin tonë, koordinatori i sektorit Ekologjia të Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, atë Joshtrom Kureethadam:

         Gjithë Viti i Përvjetorit të Veçantë, që fillon këtë muaj muaji, shpresojmë të shndërrohet në kohë hiri për të kthyer rrugë! Ajo, që na tronditi edhe përsa i përket Covid-19, është se nuk mund të kthehemi në mënyrën e vjetër të jetesës, por duhet të krijojmë një botë më të drejtë, më të barabartë, më vëllazërore e më të qëndrueshme.

         Ka shumë nisma për mbrojtjen e Gjithësisë. Cilat janë ato më thelbësoret, sipas Dikasterit tuaj? Si do të zhvillohet ky Vit i Veçantë?

         Mund ta ndajmë në tri etapa. Së pari, kemi Javën “Laudato Si’”, që po zhvillohet nga 16 deri më 24 maj, e cila, në një farë mënyre, e promovon këtë përvjetor të veçantë. Ka disa nisma. Na bëri përshtypje edhe pjesëmarrja e madhe: qindra organizata, mijëra njerëz, madje, me ngjarje e takime të shumta. Që më 24 maj, propozuam një Lutje, që do të lexohet në mesditë, në të gjithë botën. Pastaj vjen Koha e Gjithësisë, nga 1 shtatori deri më 4 tetor e, më pas, nga mesi i qershorit, po mendojmë për një webinar (bashkim i fjalëve web dhe seminar). Gjithnjë në qershor duhet të dalë edhe një tekst ndërdikasterial e, pastaj, në tetor, do të organizojmë këtë takim të shumëpritur për aleancën arsimore, që u shty, për shkak të koronavirusit. Në nëntor, një takim tjetër shumë i rëndësishëm, edhe ky i shtyrë, “Ekonomia e Françeskut”. Kulmi do të arrijë nga maji i vitit të ardhshëm, kur do të kemi një konferencë ndërkombëtare. Gjatë këtij përvjetori, do të fillojmë shumë projekte të tjera, si kapela “Laudato si’”, e cila është pothuaj gati këtu në Romë, për të udhëtuar pastaj nëpër botë. Por, edhe projekte shumë-vjeçare, si për shembull, një rrugëtim 7-vjeçar me familjet, dioqezat, shkollat, universitetet, spitalet, botën e biznesit (sidomos me ndërmarrjet bujqësore) e me urdhrat fetare. Kemi menduar edhe për çmime “Laudato si’”, që vlerësojnë impenjimin e njerëzve në projektet shumëvjeçare. Gjithçka, për të promovuar veprime konkrete dhe gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh situatën e planetit.

         Në qendër të ekologjisë së gjithanshme është njeriu. Edhe pandemia na dëshmoi se njerëzit varen nga njëri-tjetri. Cila është rruga për të arritur vëllazërimin njerëzor?

         Kriza e koronavirusit, nga njëra anë, nxorri në pah brishtësinë tonë, por edhe marrëdhëniet, lidhjen, ndërvarësinë. Solidariteti është i rëndësishëm: nuk mund ta kapërcejmë as këtë krizë a as ndonjë krizë tjetër, pa solidaritet, siç tha Papa Françesku në katekizmin, që mbajti për Ditën e Tokës. Nëse ecim së bashku dhe marrim përsipër përgjegjësinë për njerëzit më të brishtë ndërmjet nesh, vetëm atëherë, mund t’i përballojmë krizat globale.

19 maj 2020, 14:41