Një aerogram për martirët dhe heronjtë e pandemisë
R.SH. - Vatikan
Pulla, kartolina, një broshurë filatelike dhe një aerogram për të treguar dhe vlerësuar ngjarjet, që karakterizojnë jetën e Papës dhe të Kishës, por jo vetëm kaq. Që dje, Posta e Vatikanit ka emetuar disa produkte, të cilat shërbejnë si një lloj kujtese historike, për të mos harruar ç’kemi përjetuar të gjithë, në muajt e bllokimit, për shkak të pandemisë.
Në kujtim të heronjve
“Edhe vende të tjera – deklaron don Francesco Mazzitelli i Veprës së Don Orionit, zv.drejtor i Zyrës Postare të Vatikanit - i kanë kushtuar emetime temës së pandemisë”. Frymëzuar nga fjalët e Papës Françesku në meshët e kremtuara në Shtëpinë e Shën Martës, u mendua për një homazh kushtuar heronjve dhe martirëve të koronavirusit përmes pasqyrimit të një infermiereje, një mjeku dhe një meshtari, ndërsa ndihmojnë një të sëmurë, në kujtim të atyre, që humbën jetën, duke u kujdesur për të prekurit nga koronavirusi. “Papa i ka përmendur këta heronj, duke filluar nga pastruesit e reparteve të spitalit e deri tek vetë gazetarët. Nëse më kujtohet saktë - shpjegon don Mazzitelli - ishte pikërisht 6 maj, kur tha se ata përballeshin me situata të rrezikshme për të përhapur lajmet dhe për të komunikuar aktualitetin”. U zgjodh një aerogram, “sepse ky produkt filatelik - nënvizon zv.drejtori i Postës së Vatikanit - është një emetim i veçantë e jo pullë poste”. Përbëhet nga një zarf i vetëm me pullë fikse të printuar së bashku me fletën, që mund të dërgohet vetëm me rrugë ajrore.
Pullat e tjera
Emetimet e tjera filatelike kanë të bëjnë me 100-vjetorin e shpalljes së Shën Efrehem Siriakut, dijetar i Kishës, me Vitin e veçantë kushtuar enciklikës “Laudato si’”, me 100-vjetorin e themelimit të Apostullimit të Detit dhe me 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bregut të Fildishtë. Ky emetim i fundit përfaqëson një risi “sepse - shpjegon don Francesco Mazzitelli - është pulla e parë e përbashkët ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe një vendi afrikan. Një pullë që - siç tha Papa, kur iu paraqit në audiencë, të mërkurën e kaluar - shërben për të krijuar marrëdhënie miqësore, për të përhapur dashurinë, që përfshin e nuk përjashton”. “Filatelia - nënvizon në përfundim zv.drejtori i Postës së Vatikanit - ka për detyrë të komunikojë dhe të përhapë magjisterin e Papës”, prandaj, edhe një pullë postare mund të bëhet simbol i një mesazhi për t’u transmetuar në çdo vend të botës.