84733775_520335031947222_6766322363228225536_n.jpg

Pakti edukativ, Zani: Papa na fton të ecim së bashku

Sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik, kryeipeshkvi Vincenzo Zani, flet për takimin e 15 tetorit në Universitetin Lateranens, gjatë të cilit, me një videomesazh, Papa Françesku do të ripropozojë Paktin Global për Edukimin. “Edukimi është një akt shprese. Vëllazërimi, paqja dhe drejtësia, nevojat më urgjente në kohë pandemie”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ripropozon projektin e një Pakti Global për Edukimin. Pati thirrur profesorë, ekspertë e studentë në Vatikan, më 14 maj, por për shkak të pandemisë, takimi për të nënvizuar urgjencën e arsimimit në një kuadër të ri dramatik, do të mbahet në Universitetin Papnor Lateranens, nesër, 15 tetor, në orën 14.30. Në lidhje të drejtpërdrejtë në internet, Ati i Shenjtë do të transmetojë, përmes një videomesazhi, idenë e tij mbi “Global Compact on Education”.

 Ngjarja, e promovuar nga Kongregata për Edukimin Katolik, i kushtohet posaçërisht botës akademike dhe mund të ndiqet në shumë gjuhë, drejtpërdrejt në internet, në portalin Vatican News dhe kanalet YouTube, si edhe përmes kanaleve të Vatican Media. Papa Françesku do t’u propozojë të gjithë njerëzve vullnetmirë të marrin pjesë në një Pakt, në gjendje ta ndryshojë arsimin dhe edukimin në shkallë planetare, në mënyrë që në të gjitha nivelet shkollore të hidhen bazat për vëllazërimin, paqen e drejtësinë. Fjalët e Atit të Shenjtë do të komentohen, në një videomesazh, nga drejtoresha e përgjithshme e Unesco-s, Audrey Azoulay, nga personalitete kishtare dhe kulturore, si edhe nga disa studentë. Sekretari i Kongregatës për Edukimin Katolik, kryeipeshkvi Vincenzo Zani, i shpjegon kështu objektivat e takimit, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Qëllimi i takimit do të jetë ripropozimi i mendimeve, që Papa i ka bërë të qarta në disa raste, duke filluar me mesazhin e tij të 12 shtatorit 2019, kur foli për herë të parë mbi Paktin Global për Edukimin. Françesku e ka përmendur edhe në pesë rrethana të tjera, në fjalime të pasura me ide dhe përmbajtje, që jemi përpjekur t’i mbledhim. Data e 15 tetorit bëhet kështu ditë promovimi, por në një situatë tjetër, karakterizuar nga dy elemente të reja. Së pari, jemi në mes të një pandemie, që nuk mund të krahasohet me gjendjen e një viti më parë. Së dyti, jemi në një çast të jetës së Kishës, në të cilin kemi një dokument të ri e të jashtëzakonshëm në duar: enciklikën “Fratelli tutti”, që Papa e nënshkroi në Asizi, më 3 tetor. Më duket se këto dy elemente na ndihmojnë ta inkuadrojmë në një mënyrë të re trashëgiminë e pasur të magjisterit të formuluar nga Françesku, gjatë papnisë së tij, mbi temën e arsimit, që më pas u përdor edhe për Paktin Edukativ. Objektivi i Papës më duket pikërisht t’i ftojë të gjithë të bëjnë hapa të përbashkëta në frontin edukativ, sepse sot realiteti ka ndryshuar. Të gjithë ndjekin drejtime të ndryshme dhe jemi dëshmitarë të asaj, që mund ta quajmë katastrofë arsimore.

E keni fjalën për gjendjen e krijuar nga pandemia e koronavirusit?

Sigurisht, është krizë me pasoja negative në të gjitha fushat, por veçanërisht në fushën e edukimit. Këtu, problemet ekzistuese, që kishin të bënin me përjashtimin e miliona djemve dhe vajzave nga arsimi, tani, marrin një përmasë shumë më të gjerë. Në fakt, është e qartë se kjo tragjedi nuk mund të zgjidhet me mësimdhënie në distancë: arsimi është çështje shumë më e ndërlikuar. Jam i sigurt se rruga e Atit të Shenjtë shkon në këtë drejtim. Në fakt, në mesazhin e vitit të kaluar, ai ripohoi një koncept themelor të magjisterit të tij: po përjetojmë një ndryshim epokal, jemi dëshmitarë të një metamorfoze, jo vetëm kulturore, por edhe antropologjike. Mendoj se sot, në mes të pandemisë, ky ndryshim epokal bëhet edhe më dramatik, aq sa mund të quhet katastrofë. Prandaj, e ardhmja është gjithnjë e më shumë në duart e edukimit, sepse arsimi është shenjë shprese. Edukim do të thotë të investosh gjithë energjinë e mundshme për t’i ndihmuar njerëzit të shohin përpara.

Prandaj, për takimin e 15 tetorit, keni nënvizuar në temë frazën: “Së bashku, për të parë përtej”?

Po, na intereson kjo përmasë e udhës së përbashkët e sidomos, të shikojmë përtej pengesave. Për ta bërë këtë, duhet t’i rimendojmë sistemet arsimore akademike, që janë - Papa e ka përsëritur shumë herë – tepër të ngurta, tepër formale. Kemi nevojë për rrugë të ndryshme, që shkojnë në të gjitha drejtimet, që përfshijnë disiplina të ndryshme, për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se edukimi është transmetimi i njohurive të ndryshme, të cilat, gjithsesi, duhet të gjejnë një paradigmë të re dhe unitare, përqendruar në vlerën e personit dhe në dialogun ndërdisiplinor. Por mbi të gjitha, duhet ta shohim edukimin dhe transmetimin e njohurive në perspektivën e shërbimit për të mirën e përbashkët.

14 tetor 2020, 13:45