1601826558945.JPG

Vatikan, 4 raste me Covid-19 ndër Rojet Zvicerane

Është fjala për ushtarë me simptoma, tashmë në izolim. Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se po bëhen kontrolle të tjera për të identifikuar infeksione të mundshme. Me koronavirus, edhe tre rezidentë të tjerë të Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Koronavirusi rikthehet në Vatikan. Gjatë fundjavës, deklaroi për gazetarët drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, u gjetën 4 raste me koronavirus ndërmjet Rojeve Zvicerane. Aktualisht, pohoi ai, të gjithë kanë “simptoma e janë izoluar”. Gjatë këtyre orëve, vazhdoi Bruni, “po kryhen kontrollet e nevojshme ndërmjet njerëzve, që mund të kenë pasur kontakte të drejtpërdrejta me ta. Ndërkohë, sipas dispozitave të Guvernatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit, njoftuar javën e kaluar, të gjitha rojet, në detyrë ose jo, mbajnë maska, jashtë dhe brenda, duke respektuar masat shëndetësore”.

Drejtori i Sallës së Shtypit shtoi se katër rojet u shtohen “tre rasteve të tjera me koronavirus, ndërmjet banorëve dhe qytetarëve të Vatikanit, të gjithë me simptoma të lehta. Për ta - përfundoi Bruni - janë marrë të gjitha masat e nevojshme për izolimin në shtëpi”, si edhe po vijon “verifikimi i personave të përfshirë”.

12 tetor 2020, 16:41