Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Gallagher: aleancë e re ndërmjet shkencës dhe humanizmit

Në Akademinë Italiane Lincei, lectio magistralis e Sekretarit vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, me temë “Vëllazërimi, ekologjia e gjithanshme dhe Covid-19. Kontributi i diplomacisë dhe i shkencës”. Na duhet, tha ai, një “politikë ndërkombëtare gjithëpërfshirëse në shërbim të të gjithëve”

R.SH. - Vatikan

Në çastin, që njerëzimi do të dalë nga pandemia, por edhe për të dalë prej saj, do të nevojitet “një aleancë e re ndërmjet shkencës dhe humanizmit”, të cilat nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra e as t’i kundërvihen njëra-tjetrës. Këtë pohoi Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili mbajti një “lectio magistralis” në Akademinë Italiane Lincei, në Romë, duke folur mbi temën “Vëllazërimi, ekologjia e gjithanshme dhe Covid-19. Kontributi i diplomacisë dhe i shkencës”.

Qasje ndërdisplinore

 Në qendër të kësaj aleance, vërejti prelati, duhet të jetë një solidaritet i ri, që respekton të mirën e përbashkët dhe ambientin. Siç thotë Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti”, kemi nevojë për “një bashkësi botërore, të aftë ta realizojë vëllazërimin, duke u nisur nga popujt e kombet, në mënyrë që ata të përjetojnë miqësinë shoqërore”. Për ta bërë këtë, duhet “një politikë më e mirë, gjithëpërfshirëse, në shërbim të të gjithëve, me shtrirje ndërkombëtare”, por edhe një bashkëpunim shkencor “vërtet ndërdisiplinor, që nuk lë mënjanë asnjë fushë të dijes”.

Krizat e shumta, që duhet të përballojë bota

 Imzot Gallagher vuri në dukje krizat e mëdha humanitare, që duhet të përballojë bota, pavarësisht nga zhvillimi i paparë teknologjik e shkencor. Më se 50 milion vetë janë të sëmurë me Covid-19, rreth 690 milion vuajtën nga uria vitin e kaluar e fantazma e zisë së bukës bëhet edhe më e pranishme, për shkak të ngrohjes globale e pasojave të ndryshimit të klimës, që shkretojnë fushat. Duken kriza të veçanta, por për Sekretarin vatikanas, janë e “njëjta krizë e ndërlikuar shoqëroro-shëndetësore-ambientale”.

Kohë sprove, kohë ndryshimesh

Megjithatë, ritheksoi imzot Gallagher një mendim të njohur të Papës Françesku, pandemia “mund të shihet si rimodelues shoqëror, si çast bashkimi, që na kërkon të kuptojmë se interesat i kemi të përbashkëta”. Kjo është kohë sprove, por edhe kohë për të marrë vendime, që e ndryshojnë për mirë botën. Vërtet, tani më shumë se kurrë, nevojitet një reflektim i thellë sidomos mbi ekonominë e qëllimet e saj. Duhen rishikuar edhe shpenzimet për armatimin, duke pasur parasysh se siguria e popujve nuk shtohet me armë, por me bashkëpunim global.

“Paqja – tha imzot Gallagher  - nuk duhet kuptuar si mungesë lufte, por si mungesë frike, pra, duhet të jetë promovim i mirëqënies shoqërore si e mirë e përbashkët”. Kemi nevojë për një botë, ku të zbatohen parimet e ekologjisë së gjithanshme, pasi gjithçka është e lidhur dhe e ndërvarur. Për këtë, duhet vënë njeriu në qendër të çdo veprimtarie, për të promovuar kështu, kulturën e kujdesit e jo kulturën e hedhurinave. Siç shkruan Papa Françesku në enciklikën “Laudato sì”, “zhvillimi teknologjik dhe ekonomik, që nuk lë një botë më të mirë dhe një cilësi jete përgjithësisht më të lartë, nuk mund të konsiderohet përparim”.

Shoqëri vëllazërore, që nuk lë pas askënd

Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet sugjeroi mbështetjen në fuqinë e edukimit e të solidaritetit. I pari plazmon brezat e rinj, të cilët duhet ta ndryshojnë politikën dhe ekonominë në favor të cilësisë së jetës. I dyti, që i kërkohet gjithë botës në këtë kohë pandemie, na bën të kuptojmë se asnjë shtet nuk mund të izolohet e të sigurojë vetëm mirëqënien e popullit të vet. “Thirrja për të mos lënë askënd pas – përfundoi imzot Gallagher – duhet të shërbejë si paralajmërim që të mos lihet kurrë mënjanë dinjiteti i njeriut e askujt të mos i mohohet shpresa për një të ardhme më të mirë”.

24 nëntor 2020, 12:25