Kërko

Në Vitin e Shën Jozefit, dhurata e Ndjesës së Plotë

Dekreti i Pendestarisë Apostolike ofron deri më 8 dhjetor 2021 mundësinë për të marrë Ndjesën e Plotë, lidhur me figurën e Shën Jozefit, “kreu i Familjes qiellore të Nazaretit”. Vëmendje e veçantë i kushtohet atyre, që vuajnë në këtë kohë pandemie

R.SH. - Vatikan

Shën Jozefi, një “thesar”, që Kisha vazhdon ta zbulojë. Ky është imazhi i bukur, që përmbahet në Dekretin e Pendestarisë Apostolike, nënshkruar nga kardinali Mauro Piacenza, në të cilin përshkruhet figura e “mbrojtësit të Jezusit”. Papa Françesku i kushtoi një Vit të veçantë, 150 vite pas shpalljes së tij Pajtor i Kishës universale. Me këtë rast, Pendestaria Apostolike, sipas vullnetit të Papës, jep mundësinë që deri më 8 dhjetor 2021, të fitohet Ndjesa e Plotë, me kushtet e zakonshme: rrëfimi sakramentor, kungimi eukaristik dhe lutja sipas ndjetit të Papës.

Të meditojmë për Shën Jozefin

         Besimtarët, që marrin pjesë në Vitin e Shën Jozefit “me mendjen e shkëputur nga çdo mëkat”, do të marrin Ndjesën sipas mënyrës së përshkruar në Dekret. Ata që meditojnë “për të paktën 30 minuta lutjen e Atynës”, marrin pjesë në ushtrime shpirtërore, ose në ndonjë ditë “gjatë së cilës meditohet për Shën Jozefin” do të përfitojnë nga kjo dhuratë e veçantë. “Shën Jozefi, njeri i fesë së vërtetë, - lexohet në Dekret – na fton të rizbulojmë marrëdhëniet birnore me Atin, të përtërijmë besnikërinë tonë për lutjen, ta dëgjojmë dhe t’i përgjigjemi vullnetit të Zotit”.

Kushtet e Ndjesës së Plotë

         Mund të marrin Ndjesën e Plotë edhe ata që do të kryejnë një vepër mëshire trupore a shpirtërore, sipas shembullit të shën Jozefit; ata, që thonë Rruzaren në familje e edhe të fejuarit, që e thonë së bashku; ata, që ia besojnë punën e përditshme, ose kërkimin e punës, shën Jozefit; ata që thonë litanitë e shën Jozefit (për traditën latine), ose Akathistos për shën Jozefin, pjesërisht a tërësisht (për traditën bizantine); ata që luten për Kishën e persekutuar e për ngushëllimin e të krishterëve, që vuajnë; ata, që i luten shën Jozefit, sidomos me rastin e solemniteteve të 19 marsit, të 1 majit, të festës së Familjes Shenjte, në të dielën e shën Jozefit (për traditën bizantine), më 19 të çdo muaji e çdo të mërkurë, ditë kushtuar kujtimit të shenjtit në traditën latine.

Ngushëllimi gjatë pandemisë

         Vëmendje e veçantë u kushtohet atyre, që vuajnë nga pandemia e koronavirusit. Dekreti pohon se “Ndjesa e plotë shtrihet veçanërisht për të moshuarit, të sëmurët, për njerëzit në agoni dhe për të gjithë ata, që për arsye të kuptueshme, nuk mund të largohen nga shtëpia”. Kushdo bën “një akt devotshmërie në nder të Shën Jozefit duke ia ofruar me besim Zotit dhimbjet dhe vështirësitë e jetës së tij” do të marrë Ndjesën e Plotë “me shpirtin larg çdo mëkati dhe me synimin për të përmbushur, sa më shpejt, tre kushtet e zakonshme, në shtëpinë e vet, ose aty ku ndodhen” të mbyllur, për shkak të Covid-19. Së fundi, thirrja drejtuar meshtarëve që të jenë të gatshëm për rrëfime e për t’u dhënë besimtarëve, sidomos të sëmurëve, Sakramentin e Kungimit.

08 dhjetor 2020, 12:37