Tagle: në këtë vit pandemie, Krishtlindja na bën thirrje për solidaritet
R.SH. - Vatikan
Dhimbje dhe shpresë. Pandemia përcakton sivjet edhe ndjenjat me të cilat njerëzit presin Krishtlindjen. Vitit 2020 po i vjen fundi, por të gjithë e kanë përjetuar si periudhë me vuajtje, nga njëra anë e, si kohë impenjimi të jashtëzakonshëm, nga ana tjetër, sidomos nëse kujtohen sa e sa njerëz, që ndihmojnë më të vuajturit e më të munduarit nga koronavirusi. Intervistuar nga Vatican News, kardinali Luis Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe president i Caritas Internationalis, flet për përvojën e tij personale, gjatë kalimit të sëmundjes së Covid-19 dhe, nënvizon rëndësinë e përjetimit të lindjes së Jezu Krishtit si çast shprese dhe përtëritjeje për gjithë njerëzimin.
Kardinal Tagle, kjo e 2020-ës do të jetë një Krishtlindje shumë e veçantë, për shkak të pandemisë. Mes kaq vuajtjesh, lindja e Jezusit sjell një mesazh shprese tejet të nevojshëm për njerëzimin e plagosur...
Po, e unë mendoj se duhet të kujtojmë edhe se, ndoshta, gjatë Krishtlindjes së parë, kur lindi Krishti, gjendja nuk ishte ideale: Izraeli ndodhej në kushte shumë të vështira jetese, por Biri i Zotit lindi në mes të asaj situate. Mendoj se telashet dhe vuajtjet e këtij viti do të na ndihmojnë të përqendrohemi në mesazhin e shpresës së Krishtlindjes. Çfarë është Krishtlindja? Është Zoti, që vjen mes nesh. Kurrë nuk do të jemi vetëm. Emanuel: Zoti me ne! E kështu, gjërat e tjera, që i kemi përreth, do të zhduken: investimet, sukseset, dhuratat, paratë... do të zhduken. Të gjitha këto gjëra, që i kemi bashkuar me Krishtlindjen mund të zhduken. Por Jezusi që vjen mes nesh, Zoti me ne, do të mbetet me ne përgjithmonë. Kjo është shpresa jonë.
Ju keni qenë vetë i sëmurë me Covid-19. Ç’mund t’u thoni atyre, që janë pozitivë ndaj koronavirusit e në këtë çast, përjetojnë frikën e pasigurinë?
Së pari, dua t’u them se gjejnë tek unë vëllain, që ua njeh mirë trazirat e brendshme, ankthin, frikën. Dua t’u them atyre dhe të gjithë dëgjuesve se mund të befasohemi nga diçka e tillë: të vjen nga nuk e pret! Pra, siç thotë Ungjilli: “Ju nuk e dini kur do të vijë, kur do të vijë Zoti, përgatituni”. Prandaj, shpresoj që të gjithë ta jetojmë çdo çast, çdo ditë të jetës sonë, në paqe me Zotin dhe me të afërmin. Të mos i shtyjmë për më vonë veprat e mira, që mund t’i bëjmë tani, gjestet e vogla: një akt mirësie, një akt i vogël drejtësie, një telefonatë e thjeshtë, një buzëqeshje, një kujtim, sepse mund të mos kemi mundësi tjetër për t’i bërë.
Papa Françesku ka thënë disa herë këtë vit se pandemia vërteton se askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Konkretisht, çfarë mund të bëjnë të krishterët për t’i dëshmuar këto fjalë të Atit të Shenjtë?
Shumë gjëra. Kujtoj gjithmonë sa krijues janë të krishterët e vendeve dhe brezave të ndryshëm në kremtimin e Krishtlindjes; kalon nga një vend në tjetrin dhe shikon krijimtarinë e të krishterëve. Krishtlindja e këtij viti në pandemi na bën thirrje për solidaritet. Shpresoj se do të jemi krijues, se do të jemi në gjendje të gjejmë një mënyrë, sidomos, për t’u kujtuar vëllezërve dhe motrave tona se e kanë një mik, në të cilin mund të mbështeten. Ndoshta, në vend që të kursej para për veten, pse të mos kursej për fqinjin, që nuk ka asgjë? Në vend që ta shtroj tryezën vetëm për vete dhe për familjen time, pse të mos porosis ushqim edhe për dikë tjetër? Ka shumë, shumë mënyra për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se e kanë një vëlla, e kanë një motër, e kanë një shok.
2020-ës po i vjen fundi. Është vit vuajtjesh. Cila është dëshira juaj për vitin e ri?
Shpresoj që njerëzit të kenë forcë, shpresë, fe e gëzim për ta bërë vitin e ri më të ndritshëm. Nuk mund të presim që faktorët e jashtëm t’i ndryshojnë gjërat. Ndoshta nuk do të ndryshojnë. Por ne mund ta ndryshojmë perspektivën personale e kjo do ta bëjë vitin e ri më të ndritshëm: shpresa jonë, solidariteti ynë, gëzimi ynë.