Vaksinohen në Vatikan, 25 nga të pastrehët e Sheshit të Shën Pjetrit
R.SH. - Vatikan
Mario është pa këmbë e i duhet karroca për të ecur. Vitin e kaluar, humbi pensionin për aftësinë e kufizuar dhe u detyrua të lypë nëpër rrugët e Romës, vetëm pak para mbërritjes së valës së parë të koronavirusit dhe bllokimit në shtëpi, që e pasoi. Ai, ashtu si njerëz të tjerë të varfër dhe nevojtarë, që shihen shpesh nën shtyllat e Sheshit të Shën Pjetrit, është strehuar tani në Pallatin Migliori, strukturë e vënë në dispozicion nga Papa Françesku për të mos i lënë në rrugë të pastrehët e zonës.
Falënderim për Papën
“Shkoi shumë mirë, tani kam një siguri më shumë”, pohoi ai duke buzëqeshur, ndërsa dilte nga Salla e Palit VI në Vatikan, ku i bënë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit. Vendimi për të vaksinuar nevojtarët u promovua fuqimisht nga Papa Françesku, i cili vendosi t’u dhurojë një pjesë të dozave të caktuara për Vatikanin njerëzve, për të cilët mendojnë pak vetë, sidomos në këtë periudhë pandemie. “E falënderojmë Papën për dhuratën”, theksoi Mario dhe 24 të tjerët që, si ai, morën dozën e tyre të parë, sot paradite.
Italianë dhe të huaj mbi 60 vjeç
Është fjala për njerëz të strehuar në Pallatin Migliori dhe në dy shtëpitë, që u janë besuar Misionareve të Dashurisë së Nënë Terezës, pranë Vatikanit. Burra dhe gra të moshës mbi 60 vjeç, italianë, por edhe të ardhur nga Gjeorgjia dhe Rumania, shpesh, me probleme serioze fizike dhe me shumë vështirësi në marrëdhëniet me të tjerët.
“Askush nuk shpëton i vetëm”
“Është realizimi i thënieve të Papës Françesku: ‘askush nuk shpëton i vetëm’ dhe ‘të gjithë jemi në të njëjtën barkë’”, shpjegon për Vatican News, Carlo Santoro i Bashkësisë së Shën Egjidit, i cili prej vitesh, merret me shërbimet për të pastrehët në zonën e Shën Pjetrit dhe me nevojtarët e Pallatit Migliori. Të varfërit, nënvizon ai, kanë pasur shumë probleme gjatë këtij viti, mjafton të mendojmë për vështirësitë në marrjen e lëmoshës me dorë, ose edhe të një cope buke nga dyqanet, tashmë të mbyllura. Edhe brenda Pallatit, kemi pasur raste me koronavirus, pohon Santoro, duke theksuar se nganjëherë s’ka qenë i lehtë as shpjegimi i rëndësisë së vaksinimit për ta.
Shpresa e vaksinës
Vërtet, shumë prej të asistuarve kishin frikë nga injeksioni dhe gjilpëra, ose kishin frikë nga efektet dytësore të vaksinës, vëren Santoro. Atëherë, ndërhynë mjekët dhe personeli shëndetësor për t’i dhënë përgjigje çdo dyshimi, duke theksuar efektet e dobishme afatgjata të vaksinimit. “Megjithëse rëndësia e këtij gjesti nuk u kuptua menjëherë nga të gjithë”, vë në dukje Carlo Santoro, “për të gjithë, vaksinimi do të jetë çlirim, sepse është e vetmja shpresë për të dalë nga pandemia”.
Roli i Lëmoshtarisë Apostolike
Vaksinimi i të pastrehëve ndiqet nga Lëmoshtaria Apostolike e Selisë së Shenjtë, e udhëhequr nga kardinali Konrad Krajewski, i cili u ka çuar nevojtarëve ndihmën e Papës që nga fillimi i pandemisë. Në Krishtlindjen e fundit, për shembull, arritën nga Sllovakia 4.000 tampona për të pastrehët e Romës, ndërsa vetë imzot Krajewski shkoi në të gjithë botën për të dhuruar, në emër të Atit të Shenjtë, ilaçe, maska dhe aparate për frymëmarrjen. “Në ditët e ardhshme do të vaksinohen grupe të tjera”, konfirmon drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë Matteo Bruni, në një komunikatë.