Covid, kardinali Parolin nuk do të shkojë në Venezuelë për lumnimin e Hernandez
R.SH. - Vatikan
Shërbëtori i Zotit José Gregorio Hernández, i njohur nga të gjithë në Venezuelë si “mjeku i të varfërve”, do të shpallet të premten i Lum, nga Kisha Katolike. Një jetë, kushtuar të fundmëve, të cilëve u jepte gjithë ndihmën e duhur mjekësore, sidomos në kohën e së ashtuquajturës “epidemi e spanjolles” e, për të cilët humbi edhe jetën. Lindur në vitin 1864, ai vdiq nën një makinë, ndërsa, më 29 qershor 1919, dilte nga një farmaci në Karakas, ku kishte blerë ilaçe për një paciente të moshuar.
Një lumnim, që ndihmon Venezuelën
Në një njoftim, Salla e Shtypit të Vatikanit sqaron se për arsye, që “lidhen me pandeminë Covid-19, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, nuk do të mund të udhëtojë për në Venezuelë, siç dëshironte, me rastin e lumnimit të Shërbëtorit të Zotit, José Gregorio Hernández”, planifikuar për të premten në Karakas. Kardinali uron që ky çast “të ndihmojë për të thelluar fenë e venezuelanëve dhe jetën e tyre të krishterë, në imitimin e të Lumit të ri, në përballimin e krizës humanitare dhe në promovimin e bashkëjetesës pluraliste dhe paqësore”. Mesha e Lumnimit do të kryesohet nga imzot Aldo Giordano, nunci aktual apostolik në Venezuelë.
Një vajzë e vogël u shërua falë të Lumit të ri
I nderuari José Gregorio Hernández është i Lumi i katërt venezuelan. Kanë kaluar më se 70 vite nga fillimi i procesit të tij të lumnimit e të kanonizimit, që nisi më 1949, me nismën e kryeipeshkvit të atëhershëm të Karakasit, imzot Lucas Guillermo Castillo. Më 16 janar 1986, José Gregorio Hernández u shpall i Nderuar nga Papa Gjon Pali II. Më 9 janar 2020, Komisioni Mjekësor i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve miratoi mrekullinë, që i atribuohet ndërmjetësimit të tij: shërimin e një vajze qëlluar me plumb në kokë nga disa njerëz, që donin t’i vidhnin paratë të atit. Vendimi u konfirmua më 27 prill 2020 nga Komisioni Teologjik.