Kërko

Bashkim e vëllazërim Bashkim e vëllazërim

Nga Selia e Shenjtë dhe OKB-ja, thirrje për solidaritet njerëzor e vëllazëror

Konferencë virtuale e nivelit të lartë me temë “Vëllazërimi, multilateralizmi dhe paqja” për të paraqitur enciklikën “Fratelli tutti” në Kombet e Bashkuara. Ndër pjesëmarrësit, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, si edhe kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot

R.SH. - Vatikan

Paraqitja e enciklikës së Papës Françesku “Fratelli tutti” mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore, si edhe reflektimi mbi ndikimin e pandemisë aktuale në bashkësinë ndërkombëtare dhe në gjithë familjen njerëzore. Këto ishin qëllimet e takimit të mbajtur dje pasdite, në internet, organizuar nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Gjenevë, së bashku me Misionin e Urdhrit të Maltës, me Komisionin Katolik Ndërkombëtar për Migrimet, me Forumin e Organizatave Jo-Qeveritare Katolike, me Universitetin Papnor Lateranens dhe me Fondacionin “Caritas in Veritate”.

Ç’do të thotë të ndihemi vëllezër

 Takimi, i moderuar në pjesën e parë nga vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Gjenevë, kryeipeshkvi Ivan Jurkoviç, u hap me reflektimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili e konsideroi enciklikën “Fratelli tutti” si mjet për t’u përdorur gjerësisht në diplomaci. Gjithashtu, ai përvijoi disa përparësi, ndër të cilat, atë të përgatitjes së një plani, që duhet ta ndihmojë njerëzimin t’u përgjigjet pasojave të çdo pandemie e jo thjesht të ballafaqohet me to. “Në këtë këndvështrim - pohoi kardinali - sistemit ligjor nuk i duhen më vetëm rregulla të përbashkëta, por nevojitet që ato të jenë të frytshme dhe të efektshme” në përballimin e së sotmes e në përvijimin e së nesërmes. Sipas tij, “elementi shtesë” në këtë arsyetim është “përgjegjësia individuale dhe aftësia për t’u ndierë vëllezër, për t’i bërë tonat nevojat e të tjerëve, përmes reciprocitetit të marrëdhënieve, duke kapërcyer izolimin dhe duke përfshirë shtetet, individët dhe organizatat ndërkombëtare”.

Dialog, paqe dhe harmoni

 Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Miguel Ángel Ayuso Guixot, e përqendroi relacionin e tij në kontributin, që mund të ofrojnë për shoqërinë liderët e traditave të ndryshme fetare. Për Papën Françesku, pohoi kardinali, arti i dialogut “është rruga për t’i kuptuar nevojat e botës dhe për të lidhur miqësi shoqërore”. “Dialogu këmbëngulës dhe i guximshëm – lexohet në Enciklikë - nuk bën bujë njëlloj si ndeshjet e konfliktet e, megjithatë, e ndihmon jo pak botën për të jetuar më mirë, shumë më tepër nga sa mendojmë”. “Ati i Shenjtë - pohoi kardinali - është plotësisht i bindur se falë bashkëpunimit të vërtetë ndërmjet besimtarëve, mund të punohet për të kontribuar në të mirën e të gjithëve, duke gjetur padrejtësitë e shumta, që ende e mundojnë këtë botë dhe, duke dënuar çdo lloj dhune”. Bashkëpunimi ndërfetar “duhet dhe mund të mbështesë të drejtat e çdo njeriu, në çdo anë të botës dhe në çdo kohë”. “Ne të gjithë jemi anëtarë të së njëjtës familje njerëzore - përfundoi ai - prandaj kemi të drejta dhe detyra të barabarta si qytetarë të kësaj bote”.

Ëndrrat e vëllazërimit

Edhe përfaqësues të tjerë të Kombeve të Bashkuara dhe ekspertë e studiues vunë në dukje se enciklika “Fratelli tutti” e Papës Françesku ofron një projekt për botën pas Covid-19. U theksua se ka ardhur koha të veprohet si një familje e madhe globale, duke ndihmuar më parë më të ligshtët, por duke mos e ndarë botën në të infektuar e jo, në mënyrë që i gjithë globi të shërohet e, jo vetëm nga koronavirusi. Nga hiri i pandemisë, të lindë një epokë e re e të realizohen ëndrrat e vëllazërimit, që pasqyron Ati i Shenjtë në enciklikë, uroi së fundi, rabini argjentinas Abraham Skorka.

16 prill 2021, 12:43