Më 25 korrik 1968 Pali VI botoi Enciklikën ‘Humanæ Vitæ’
R.SH. - Vatikan
Si sot, më 25 korrik 1968, Papa Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’, mbi doktrinën e Kishës për martesën, ashtu siç e kishte përcaktuar Koncili II i Vatikanit.
Me këtë Enciklikë, Papa Pali VI – në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit – deklaroi pa dyshim se ushtrimi i përgjegjshëm i atësisë është vlerë objektive për familjet e krishtera. Njëkohësisht, ai tregoi mënyrat e përshtatshme për ta jetuar këtë vlerë, duke pasur parasysh të gjitha përmasat e dashurisë njerëzore.
Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”. Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI 'Humanæ Vitæ'. E kjo enciklikë është fryt i një vendimi të thelluar, gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi një të vërtetë të pandryshueshme, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah largpamësinë me të cilën përballohet problemi.
Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha katolike vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Është një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë, që sot çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV –ve, nga faqet e internetit e tjera.
Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë. E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që rri gjithnjë në pritë. Ndërsa dashuria dhe arsyeja së bashku mund të bëjnë diçka shumë të madhe. Pra duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen dhe për të nesërmen. Për të gjithë!