Në Vatikan, doza e tretë e vaksinës anti-Covid 19
R.SH. - Vatikan
U bë e njohur se “në gjysmën e dytë të tetorit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Higjienës në Shtetin e Vatikanit filloi të bëjë dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19, duke u dhënë përparësi personave mbi gjashtëdhjetë vjeç dhe atyre më të ligshtë”.
Fushata e vaksinimit për t’i bërë ballë pandemisë së koronavirusit filloi më 13 janar 2021. Në atë kohë, iu dha përparësi personelit të shëndetësisë dhe të sigurisë publike, të moshuarve dhe personelit në kontakt më të shpeshtë me publikun. Më pas, vaksinimet, të kryera në hollin e Sallës Pali VI në Vatikan, vijuan për të gjithë qytetarët e shtetit të vogël, për punonjësit dhe pensionistët, por edhe për anëtarët e familjes që gëzojnë asistencën e FAS-it (Fondit të Asistencës Shëndetësore). Fushata u zhvillua mbi baza vullnetare, por nga 1 tetori i kaluar, për të hyrë në të gjithë territorin e Vatikanit dhe në ndërtesat jashtëterritoriale në Itali, nevojitet Green Pass.
Falë Papës Françesku dhe angazhimit të Lëmoshtarisë Apostolike, duke filluar nga marsi 2021, u vaksinuan edhe 1200 të varfër dhe të pastrehë në konviktin e Misionareve të Dashurisë të Nënë Terezës, në San Gregorio al Celio dhe në struktura të tjera romake. Shumica ishin njerëz të moshës 40 deri në 50 vjeç, që vuanin nga patologji të shumta.