Kërko

Bomba atomike Bomba atomike

Kardinali Parolin: eliminimi i armëve bërthamore është detyrë morale dhe humanitare

Sekretari i Shtetit të Vatikanit flet në konferencën për çarmatimin, promovuar në Asizi nga “Komiteti për qytetërimin e dashurisë”. Sfida, argumenton ai, është miratimi i strategjive largpamëse për të mirën e përbashkët, pa u bazuar gjithnjë në logjikën e parandalimit. Ritheksohet ideja e Papës që shumat e shpenzuara për armët të shndërrohen në një fond për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur zhvillimin

R.SH. - Vatikan

Pandemia “po na jep një mësim të vlefshëm”, na nxit “të rishikojmë konceptin tonë të sigurisë”, i cili “nuk mund ta ketë bazën në kërcënimin e shkatërrimit dhe të frikës së ndërsjellë, por duhet të themelohet mbi drejtësinë, mbi zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, mbi respektimin e të drejtave të njeriut, mbi kujdesin për Gjithësinë e krijuar nga Zoti, mbi promovimin e strukturave edukative e shëndetësore, mbi dialogun dhe solidaritetin”. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në konferencën “Shndërrimi i armëve bërthamore? Ia vlen!”, organizuar këto ditë, nga “Komiteti për qytetërimin e dashurisë”, në sallën e shtypit të Kuvendit të Shenjtë të Asizit.

Mirëbesim i vërtetë dhe i qëndrueshëm ndërmjet kombeve

 Takimi bashkoi realitete të ndryshme, që promovojnë çarmatimin, eliminimin e arsenaleve bërthamore dhe shndërrimin e tyre në nisma paqeje. Realitete të vlerësuara nga Sekretari i Shtetit, pasi përpjekjet e tyre përputhen me vizionin e Selisë së Shenjtë për një bashkësi ndërkombëtare të bazuar në forcimin e “mirëbesimit të vërtetë dhe të qëndrueshëm” ndërmjet kombeve. Kardfinali Parolin kërkoi strategji largpamëse për të mirën e përbashkët.

Përtej frikës dhe izolimit

 “Qëllimi përfundimtar i eliminimit të plotë të armëve bërthamore është sfidë e detyrë morale dhe humanitare”, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, që nxiti “reflektimin për një etikë paqeje dhe sigurie shumëpalëshe, e cila shkon përtej frikës dhe izolimit, që karakterizojnë shumë debate aktuale”. Që në fillim të vitit të ardhshëm, bashkësia ndërkombëtare ka rast për të diskutuar mbi këto çështje.

Ngjarjet diplomatike të vitit të ardhshëm

 Në janar do të mbahet konferenca e dhjetë mbi rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, e cila, kujtoi kardinali Parolin, do të jetë “vendimtare për bashkësinë ndërkombëtare dhe në veçanti për fuqitë bërthamore”, të cilat duhet të dëshmojnë qartë “aftësinë për t’i kuptuar sfidat e sotme, për t’i përballuar dhe për t’i zgjidhur ato”. Në mars, do të ketë një takim të parë ndërmjet palëve nënshkruese të Traktatit të fundit për ndalimin e armëve bërthamore, të cilin ende nuk e kanë pranuar fuqitë bërthamore dhe shtetet aleate ushtarake të tyre (me përjashtim të Holandës), por ka hyrë në fuqi janarin e kaluar. “Sukses i diplomacisë shumëpalëshe”, e quajti kardinali Parolin, i cili kujtoi bashkëpunimin e shumë shoqatave të shoqërisë civile, të angazhuara në promovimin e vazhdueshëm të çarmatimit dhe paqes.

Fjalët e Papës mbi çarmatimin

Në përfundim, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi fjalët e Papës Françesku për Ditën e 54-t Botërore të Paqes, që u kremtua më 1 janarin e kaluar. “Sa shpërdorim fondesh ka për armët, veçanërisht për armët bërthamore”, vuri në dukje Papa. Këto fonde, pasi propozuar Ati i Shenjtë të përdoren për promovimin e paqes, të zhvillimit dhe të shëndetit, nëpërmjet krijimit të “një fondi global, në gjendje ta zhdukë përfundimisht urinë dhe të kontribuojë në zhvillimin e vendeve më të varfra”.

18 nëntor 2021, 12:37