Kërko

Papa pret kreun e myslimanëve të Kaukazit Pashazade

Papa priti në audiencë Sheikun Allahshukur Pashazade, udhëheqës shpirtëror i myslimanëve të Kaukazit, dhe shoqëruesit e tij. Sipas ambasadës, në qendër të bisedimeve ishte dialogu ndërfetar, informacioni për komunitetet e ndryshme fetare që jetojnë në Azerbajxhan, diskutimi mbi perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit dypalësh ndёrmjet Azerbajxhanit dhe Selisë së Shenjtë

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë Sheikun Allahshukur Pashazade, Kryemyftiun e Madh tё Kaukazit. Kёshtu njofton n Buletini i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Sipas njoftimit tё ambasadës sё Azerbajxhanit, temat qё ishin në qendër të bisedimeve janë dialogu ndërfetar dhe diskutimi i perspektivave të ardhshme të bashkëpunimit dypalësh ndёrmjet Azerbajxhanit dhe Selisë së Shenjtë.

Tashmë gjatë udhëtimit apostolik në Baku në vitin 2016, gjatë një takimi me krerët fetarë, Papa Françesku pati shprehur interesimin e Vatikanit për bashkëpunim, duke nënvizuar rëndësinë e vizitave reciproke. Portali i lajmeve ‘Il Sismografo’ kujton se marrëdhëniet fetare dhe shpirtërore të Zyrës së Myslimanëve tё Kaukazit me Vatikanin po  zhvillohen me sukses prej shumë vitesh.

Zyra e Myslimanëve tё Kaukazit ka njё përvojë bashkëpunimi me Vatikanin në ngjarjet ndërkombëtare për dialogun dhe bashkëpunimin ndërfetar. Sheiku Pashazadeh dhe Kardinali Miguel Ayuso Guixot, kreu i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, janë të dy anëtarë të Këshillit të drejtuesve të Qendrës ndërkombëtare të Dialogut Kaiciid.

Vatikani përfaqësohet gjithmonë në një nivel të lartë në Samitet Botërore të Udhëheqësve Fetarë që mbahen në Baku, si dhe në ngjarjet ndërkombëtare të organizuara nga Qendra Baku për Fetë Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimin Ndërqytetërues. Përveç kësaj, Azerbajxhani po përgatitet të hapë ambasadën e tij pranë Selisë sё Shenjtë në Romë, që aktualisht ndodhet në selinë diplomatike të Azerbajxhanit në Francë, sipas asaj që u deklarua nëntorin e kaluar nga ambasadori i Azerbajxhanit në Paris me mandatin edhe për Vatikanin, Rahman Mustafayev.

13 janar 2022, 12:58