Kërko

 Mons Paul Gallagher riceve il leader del partito democratico d'Albania Lulzim Basha (lunedì 21 febbraio 2022) Mons Paul Gallagher riceve il leader del partito democratico d'Albania Lulzim Basha (lunedì 21 febbraio 2022)

Imzot Gallagher, “ministri i jashtëm” i Vatikanit, pret Lulzim Bashën

Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Kishës Katolike në Shqipëri, por sidomos e ardhmja evropiane e vendit, për të cilën Selia e Shenjtë siguron mbështetjen e saj të plotë. Edhe Kosova, në bisedën e sotme të Sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili priti në audiencë në Vatikan, kryetarin aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Duhet punuar për një kulturë të re politike, pohon Basha në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News

R.SH. - Vatikan

Sot paradite, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, priti në audiencë kryetarin aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Të shumta, argumentet në tryezën e bisedimeve, siç konfirmon vetë Basha në mikrofonin e përgjegjësit të programit shqip të Radio Vatikanit – Vatican News, don David Gjugja. Së pari, marrëdhëniet dypalëshe, roli i Kishës Katolike në Shqipëri, por sidomos e ardhmja evropiane e vendit, për të cilën imzot Gallagher siguroi mbështetjen e plotë të Selisë së Shenjtë. Edhe Kosova, në bisedën e sotme në Vatikan.

Kreu i opozitës sqaron se i ka pohuar imzot Gallagher që “paqtimi i Ballkanit mund të arrihet vetëm përmes njohjes reciproke të Republikës së Serbisë e të Republikës së Kosovës” në rrugën drejt integrimit evropian. Duke folur për rëndësinë e fesë e për rolin e saj, Lulzim Basha kujton edhe të kaluarën komuniste, gjatë së cilës, emisionet e Radio Vatikanit ishin një nga rrezet e vetme të dritës në errësirën e diktaturës.

Vlerëson kontributin e Kishës Katolike e të përfaqësuesve të feve në përgjithësi, në çastet më të vështira për vendin, duke filluar nga pandemia e këtyre viteve, por përmend sidomos deklaratat e ipeshkvijve drejtuar qytetarëve e klasës politike për mosshitjen e votave, për distancimin nga njerëzit, që përdorin metoda kriminale, për politika në favor të të varfërve e për luftën kundër korrupsionit.

Shpreh edhe mirënjohjen për enciklikën e Papës Françesku “Fratelli tutti”, element tjetër, që duhet t’i nxisë shqiptarët të pasurojnë më tej aspekte si respekti dhe harmonia ndërmjet besimeve fetare, por edhe t’u mësojnë, sidomos politikanëve, të impenjohen në kulturën e dialogut, për një mendësi të re në politikë, “duke i kthyer asaj fytyrën njerëzore, duke promovuar kandidatë që përfaqësojnë vërtet njerëzit dhe u dhemb për problemet e tyre”.

Sfidat janë të shumta: lufta kundër varfërisë, shteti i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, reformat për integrimin evropian, kthimi i institucioneve demokratike në vend. “Politika nuk është e keqe, të keqe e bëjnë njerëzit”, nënvizon Lulzim Basha, që u bën thirrje politikanëve për sakrifica në dobi të popullit. Por le ta dëgjojmë Lulzim Bashën në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News...

Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News Lulzim Basha
21 shkurt 2022, 16:28