Carlassare, Sudani i Jugut pret kardinalin Parolin dhe inkurajimin e tij
R.SH. - Vatikan
Paqja në Sudanin e Jugut duhet të nxitet dhe të jetohet! Prandaj e dërgoi Françesku përfaqësuesin e tij, Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, në këtë vend që duhet inkurajuar dhe duhet mbështetur në procesin e brishtë të paqes, nisur dridhshëm pas luftës në këto troje ku ndërmjet viteve 2013-2018 vëllavrasja, shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve dhe shpërnguljen e miliona të tjerëve. “Kardinali Parolin mbërrin në një çast të rëndësishëm”- pohon ipeshkvi i Rumbek, komboniani Imzot Christian Carlassare, në takimin me Radio-Vatikanin - Vatican News. “Edhe pse Papa nuk mundi të shkelte në këto troje të martirizuara për vizitën e tij baritore, është ende e nevojshme të vendoset ajo paqe që u nënshkrua, por që tani duhet jetuar. Domethënë, duhet të bëjmë hapa përpara”. Për këtë qëllim shkon kardinali Parolin në Sudanin e Jugut, për t’u takuar me liderët politikë, për t’i siguruar se kanë mbështetjen e Papës për ta nxjerrë Sudanin e Jugut nga kriza, në përkim me armëpushimin e nënshkruar në 2018 nga Presidenti Salva Kiir dhe zëvendësi i tij, Riek Machar.
Kohë e favorshme për paqen
Per Carlassare, emëruar ipeshkëv i Rumbek më 8 mars 2021, viktimë e një sulmi më 25 prill të po këtij viti, që në pritje të mbërritjes së Papës kishte organizuar një shtegtim në këmbë nga dioqeza e tij në kryeqytetin Juba, së bashku me qindra të rinj, ky çast mund të jetë shumë i favorshëm. “Institucionet - shpjegon - janë në favor të paqes e vullneti i mirë nuk mungon. Por nuk mungojnë as plagët e hapura: rruga është tejet e ndërlikuar, të shpërngulurit dhe refugjatët nuk janë kthyer ende në trojet e tyre, shumë prej të cilave edhe sot e kësaj dite janë të pasigurta për një mori arsyesh: për shkak të fiseve armike, për pamundësinë e riintegrimit, por edhe për praninë e një mori armësh e milicësh”. Deri më sot, në Sudanin e Jugut, është e nevojshme ajo që ipeshkvi e quan “paqe nga poshtë”, domethënë, që vendoset nga popullata, jo nga institucionet e provincave të ndryshme, të cilat deri më sot nuk kanë mundur ta vënë në jetë. “Duhet të ndalemi dhe të besojmë - shton ai - duke lënë mënjanë dhunën e viteve të mëparshme, edhe pse nuk është e lehtë të hapësh një faqe të re në historinë e një vendi ku shpesh flet vetëm arma”.
Roli i Kishës dhe OJQ-ve
Themelor, roli i Kishës, e pranishme në të gjitha bashkësitë e vendit, që mbart kudo një mesazh unik, atë të Ungjillit, duke e bërë popullsinë ta ndjejë se nuk është më aq e ndarë, se përkatësia etnike, shpesh mallkim për vendin, nuk i pengon të jenë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët me mbarë njerëzimin: njerëzim i pajtuar përfundimisht, që mund t’i sigurojë vendit të ardhmen e ëndërruar, të përgatitur me predikime, kremtime, por edhe me punë të dendur edukative e mësimore, prioritet i Kishës në Sudan, e cila dalëngadalë po e ndryshon jetën e këtyre njerëzve. Një tjetër detyrë jetike në Sudanin e Jugut i është besuar organizatave joqeveritare, duke përfshirë Mjekët me Afrikën CUAMM, në spitalin e të cilëve, i vetmi në të gjithë shtetin e Liqeneve, u transportua ipeshkvi Carlassare pas plagosjes. “Njerëzit kanë besim të madh te Kisha - vazhdon prelati - e edhe tek organizatat joqeveritare, që kryejnë shërbime të rëndësishme, të cilat duhet t’u takonin institucioneve. Njerëzit duhet të mësojnë të bëjnë pjesën e tyre, duhet të gjejnë forcën për ndryshime edhe duke parë përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare nëpërmjet OJQ-ve”.
Thirrja e Françeskut
Kisha, pra, bëhet hallkë lidhëse për angazhimin, që u përket të gjithëve dhe që duhet të bëhet bashkësisht. “Sigurisht - përfundon ipeshkvi - Sudani i Jugut e pret me kënaqësi vizitën e Hirësisë së Tij, kardinalit Parolin, por mbetet ende në pritje të Papës Françesku. Ardhja e Sekretarit të Shtetit do të jetë një hap më shumë, i cili na kujton se duhet të ecim seriozisht, në mënyrë që Papa, kur të vijë, të gjejë një popull që nuk e pret ulur, por në këmbë. Njerëzit presin Papën dhe, në një farë mënyre, do të bëjnë kthesë nga thirrja që vetëm Françesku mund të bëjë: “Thirrje për bashkimin, vëllazërimin, Ungjillin”.