Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit me rastin e Ditës II Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve Mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit me rastin e Ditës II Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve 

Dita e Gjyshërve, De Donatis: të moshuarit të mësojnë si të trokasësh në derën e Zotit

Kardinali Mëkëmbës i Papës për dioqezën e Romës kremtoi sot Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me njerëz, mbledhur me rastin e Ditës II Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, themeluar nga Françesku në vitin 2021. Kardinali, gjatë homelisë, kujtoi mësimet dhe frytet që u lënë të moshuarit nipërve të tyre e, në përgjithësi gjithë bashkësisë së besimtarëve, duke pasuruar fenë dhe shpresën e tyre.

R. SH. - Vatikan

“Në këtë ditë falënderojmë Zotin që na thërret të jemi arkitektë të revolucionit të butësisë”: në hapjen e festës eukaristike për Ditën Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, Kardinali Angelo De Donatis, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Dioqezën e Romës, kujtoi thelbin e mesazhit me të cilin Françesku i nxit njerëzit e moshës së tretë për protagonizëm të ri shpirtëror.

Në pleqëri do të japësh fryte

Kardinali, që e kryesoi Meshën me mandatin e Atit të Shenjtë, i cili vijon shtegtimin drejt Kanadasë, mendimin e tij të parë ia kushtoi Papës Françesku e, duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi:

“Ishte Papa ai, që e deshi këtë ditë për ju, të moshuar dhe të moshuara që, me familjet tuaja dhe me Kishën, ta ndjeni dashurinë dhe mbështetjen e të gjithëve, të sigurt se, siç thotë Psalmi 44, në pleqëri do të jepni akoma fryt me mençurinë, besimin, dashurinë tuaj”.

Pleqtë i kërkojnë Zotit paqe

Kardinali, pastaj, u ndalua tek liturgjia e sotme e Fjalës së Zotit, në të cilën Jezusi i mëson dishepujt të thonë Atynën dhe t’i drejtohen Atit në nevojë. Gjithashtu, duke vijuar leximet e sotme, kujtoi edhe Abrahamin, që i kërkon Zotit t’i shpëtojë Sodomën dhe Gomorrën. Simbolike kërkesa: të kujton menjëherë të moshuarit, të cilët, duke parë “botën në vështirësi të mëdha, vazhdojnë të ndërmjetësojnë dhe i kërkojnë Zotit paqe, shëndet, harmoni, jo për veten e tyre, por për fëmijët dhe nipërit”. Më pas, mëkëmbësi i Papës kujtoi se shumë të moshuar lindën gjatë ose menjëherë pas luftës dhe e keqja që ata panë kur ishin fëmijë mjaftoi që shumë prej tyre të dëshironin vetëm të mirën dhe paqen. Prandaj, si Abrahami, i luten Perëndisë ta shpëtojë botën.

Gjyshërit na mësojnë të trokasim në derën e Zotit

Të dashur miq, me dëshirën tuaj për të mirën - vazhdoi kardinali - na kujtoni se atje lart rreh zemra e  Zotit, e Atit. Është zemër miku e shpesh ju, të moshuarit na keni mësuar ne, fëmijëve dhe nipërve, t’i lutemi, t’i trokasim në derë, t’i kërkojmë çka dëshirojmë:

“Sa herë ju, të moshuar - vazhdoi kardinali Angelo De Donatis - e keni parë veten duke ecur në mesnatën e jetës, por gjithnjë të prirë nga busulla e zemrës. Nga shtëpi në shtëpi e nga zemra në zemër, ju na mësuat se të lutesh do të thotë ta nxitësh qarkullimin e dashurisë në venat e botës [...]. Ju, të dashur gjyshër, na mësuat të trokasim në dyert e Zotit, na mësuat se, edhe kur dera është e mbyllur, përtej saj është një mik, është një Atë”.

Të vizitosh të moshuarit, vepër mëshire

Më pas, mëkëmbësi i Papës u ndalua tek dashuria e Zotit, i cili “na jep gjithmonë diçka, edhe nëse nuk e kemi kërkuar”, dhe tek dashuria falas që gjyshërit u japin nipërve dhe mbesave. Në këtë kontekst, kardinali iu drejtua të rinjve dhe i nxiti të trokasin në derën e Zotit, duke kaluar përmes derës së gjyshërve të tyre: “Kjo derë nuk është larg, është ajo e shtëpisë, që ju krijoi”. Ndaj, ftesa është të shkojnë e t’i vizitojnë të moshuarit e vetmuar, në shtëpi apo në vendet ku strehohen, duke u kujdesur që askush të mos jetojë i vetëm. Gjë që na e kujton edhe mesazhi i Papës, i cili e quan  takimin me të moshuarit “vepër mëshire e kohës sonë”.

Siguria për të pasur një Atë

Së fundi, kardinali u ndalua tek vlera e lutjes dhe tek Atyna, e rikujtuar në liturgjinë e kësaj të diele.

“Ndoshta shumë prej nesh e kanë mësuar këtë lutje nga gjyshërit, duke i parë si luten - theksoi kardinali - Kjo është lutja ku nuk thuhet kurrë ‘unë’, as ‘imja’, por gjithmonë ‘e jotja’ dhe ‘e jona’. Jezusi, me këto fjalë, sipas Ungjillit të Lukës, na mëson pak gjëra. Janë tri: buka, falja dhe lufta kundër së keqes”.

Mëkëmbësi i Papës kujtoi një gjë të katërt, më të nevojshmën: sigurinë për të pasur një Atë, një Zot që kërkon të quhet mik. Dhe ne nuk mund të  merrnim një dhuratë më të madhe - përfundoi ai - ne jemi gjyshër, fëmijë, nipër e mbesa, por së bashku jemi vëllezër, që i drejtohemi Zotit duke e quajtur Atë”.

Mesazhi i Papës

Për titullin e mesazhit të tij kushtuar Ditës së Gjyshërve dhe të Moshuarve 2022, “Në pleqëri ata do të japin akoma fryt”, Françesku bazohet në versetin e Psalmit 92 për t’i dërguar një sinjal mbarë botës për këtë moshë jete. Verseti është pikërisht himn për të kapërcyer mendësinë e botës së sotme, që shikon vetëm dobinë e që, sipas Papës, e konsideron pleqërinë një lloj sëmundjeje. Me caktimin e kësaj dite për të gjithë Kishën, Papa synon të vlerësojë rolin shoqëror të gjyshërve, por edhe kontributin e tyre shpirtëror në transmetimin e besimit te brezat pasardhës, në kuadrin e familjes, të kuptuar si forma e parë e kishës shtëpiake. Në veçanti, Françesku u bën thirrje të gjithë gjyshërve dhe të moshuarve të japin kontributin e tyre në atë që ai e përcakton si revolucionin e butësisë, “revolucion shpirtëror, i çarmatosur”.

24 korrik 2022, 14:15