Kërko

 Bazilika e Shën së Madhe  Bazilika e Shën së Madhe  

Rylko: ta bëjmë Marinë pjesëmarrëse në sfidat tona të përditshme

Në kuadër të festimeve për përvjetorin e kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe dhe solemnitetit të Zojës së Borës, sot në mëngjes, kardinali kryeprift Stanisław Marian Ryłko kryesoi Meshën në Bazilikën mbi kodrën Esquiline. Festimet tradicionale, të ndjera thellë nga besimtarët e Romës, do të vazhdojnë me Mbrëmësoret, kryesuar nga Imzot Piero Marini.

R. SH. - Vatikan

“Festojmë sot festën e kushtimit të kësaj Bazilike mahnitëse papnore, pagëzuar me emrin Santa Maria Maggiore - Shën Maria e Madhe. Është bazilika e parë që u ngrit për nder të Virgjërses Mari në botën perëndimore, shenjtërorja më e vjetër mariane dhe nëna e të gjitha kishave kushtuar Zojës në botën e krishterë". Kështu u shpreh në homelinë e Meshës së Shenjtë, kremtuar në solemnitetin e kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, Kardinali Stanislaw Ryłko, kryeprift i Bazilikës. Më pas theksoi rëndësinë e ndërtesës së shenjtë, ngritur mbi kodrën Esquiline në Romë, me porosinë e vetë Zojës. Nga mesi i shekullit të 4-të - kujtoi - Maria iu duk në ëndërr Papës Liberius dhe i tregoi vendin e saktë të ndërtimit, me mrekullinë e rënies së borës, më 5 gusht 358 pas Krishtit.  

Thesaret e Bazilikës ruhen me besim

Kardinali, pasi rikujtoi etapat kryesore të historisë së Bazilikës, të pasuruar në shekuj me vepra të pavdekshme artistike, kujtoi se si kjo kishë dëshmon dashurinë dhe besimin e brezave të krishterë për Virgjëreshën Mari. Në këtë tempull ruhen dy thesare të mëdha: “relikja e Djepit të Shenjtë të Betlehemit - që dëshmon misterin e mishërimit të Birit të Zotit dhe amësisë hyjnore të Marisë - dhe Figura e Shenjtë e Salus Popoli Romani, e nderuar këtu në rrjedhë shekujsh”. Pa kujtuar shumë e shumë thesare të tjera, që ruhen në muzeun e krijuar përbri Bazilikës, ku punuan penela e dalta, që krijuan një mori kryeveprash.  

Bazilika dhe shpella e parë  e Betlehmit

Lidhur me shtegtimin në Shpellat e Betlehemit, Bazilika është më e rëndësishmja. Këtu, që në gjysmën e viteve 600 pas Krishtit,  arritën disa relike ardhur nga Palestina e, posaçërisht, nga Betlehemi. Aq shumë ishin, sa Papa Teodori I (vdekur në vitin 649), e quajti Bazilikën “Santa Maria ad praesepe”, siç  lexojmë në Liber Pontificalis. Por do të ishte një papë françeskan, Nikolla IV (që papnoi ndërmjet viteve 1288  e 1292)  ai që e vijoi traditën, aty nga fundi i dyqindës, pikërisht pas emocioneve të jashtëzakonshme që pati ngjallur Krishtlindja e Greços. Për të, Bazilika mund të bëhej  “Betlehemi i dytë”. Për t’i vënë në pah reliket e lashta, ardhur nga vendlindja e Krishtit, i kërkoi Arnolfo di Cambios, skulptorit më të madh të epokës, të realizonte një Shpellë Betlehemi prej mermeri,  për ta vendosur Natën e Krishtlindjes në navatën qëndrore. Studimet e kohëve të fundit tregojnë si e mendoi shpellën e si i organizoi figurat skulptori i madh, autor i kësaj kryevepre të parë artistike kushtuar Shpellës së Betlehemit, frymëzuar nga devocioni françeskan, krijuar pikërisht në hapësirat e Bazilikës së madhe romake. Kjo vepër e jashtëzakonshme u realizua në vitin e largët 1291. Kishin kaluar 60 vjet nga Shpella e gjallë e Betlehemit në Greço. Betlehemi qe bërë i paarritshëm. Nëntë vjet më pas, e pikërisht në vitin 1300, Bonifaci VIII shpallte jubileun e parë të krishterimit. E Shpella tërhoqi vëmendjen e mijëra shtegtarëve. Ta sodisim edhe ne, së bashku: në qendër të grazhdit shikojmë Marinë me Foshnjen në krahë. Pranë saj, Shën Jozefin, të lodhur, mbështetur mbi shkopin e shtegtarit. Pastaj, Tre Mbretërit, njëri prej të cilëve, i përgjunjur para Nënës e Ferishtes (portret spektakolar  mesjetar  devocioni). Pastaj edhe dy të tjerët, që presin radhën me dhurata në duar. E, në një skaj, në të njëjtin bllok guri, gomari e kau.

Një trashëgimi e madhe besimi

Përballë kësaj "trashëgimie të madhe të besimit", kardinali Rylko u kërkon të gjithëve angazhimin e nevojshëm që kjo trashëgimi “të vazhdojë të jetojë në kohët tona dhe të thellojë besimin tonë”. Duke u mbështetur në leximet e liturgjisë së sotme, kardinali theksoi, më pas, se  Bazilika është vendbanimi i Zotit mes njerëzve, “një Zoti të dhembshur, gati të terë lotët e atyre që qajnë".

“Në ikonën e shenjtë të Salus Popoli Romani - vazhdoi ai - mund të sodisim butësinë amtare të Marisë, që mban në krahë me dashuri të pafund, Fonshjën e saj hyjnore!” Sipas kryepriftit, kjo Bazilikë dëshmon për përmbushjen e profecisë që Maria shqiptoi në Magnificat: “Tani e tutje të gjithë breznitë do të më quajnë të lume”.

Shenjtëroret, që rrezatojnë praninë e Marisë

Duke cituar Shën Palin, kardinali nënvizoi se mesazhi kryesor i nisur nga Virgjëra në këtë Bazilikë është mesazhi i lirisë: “Ti nuk je më skllav, por i lirë. Ju jeni fëmijtë e Zotit! Këtu është dinjiteti juaj, respektojeni dhe mos e turpëroni me mëkat”. Mesazh i mirëpritur nga shtegtarët e shumtë, që rrëfehen në këtë kishë, “vend, ku Krishti na çliron nga skllavëria e mëkatit dhe na rikthen dinjitetin e bijve të Zotit". Më pas, kardinali e kujtoi se bazilika bën pjesë në grupin e atyre vendeve të shenjta që rrezatojnë praninë e Marisë dhe bëhen pole tërheqëse për turmat e besimtarëve, të cilët duan t’ia hapin zemrat e tyre Virgjërës. “Ky është - theksoi- roli i shenjtëroreve të shumta mariane, të përhapura në të gjithë botën. Këtu Krishti vazhdon t’ia besojë Nënës së tij secilin prej nesh! Dhe ne jemi thirrur ta çojmë Marinë në shtëpinë tonë, ta lëmë të hyjë në jetën tonë, duke ia besuar veten, siç bëri ajo, vullnetit të Birit të saj, ashtu si në dasmën e Kanës: “Bëni çka t’ju thotë Jezusi”.

05 gusht 2022, 18:51