U nënshkrua një marrëveshje e re ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kazakistanit
R.SH. - Vatikan
Njëzet e katër vjet pas 24 shtatorit 1998, Selia e Shenjtë dhe Republika e Kazakistanit riformulojnë përmbajtjen e Marrëveshjes së tyre të mëparshme të nënshkruar në Vatikan. Nga 15 nenet e mëparshme që përbënin dokumentin e vjetër, neni 2 - njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit - përforcohet pasi, sipas ligjit, duke i dhënë "zbatim më të gjerë" lehtëson "dhënien e vizave dhe lejeve të qëndrimit për personelin kishtar e fetarë nga jashtë, tё impenjuar në kujdesin baritor të besimtarëve katolikë në Kazakistan”.
Marrëveshja e sotme, saktëson nota e Vatikanit, është nënshkruar në Nur-Sulltan nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, dhe nga ana e Republikës së Kazakistanit, nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Mukhtar Tileuberdi. Marrëveshja përbëhet nga një preambulë dhe tetë paragrafë, me të cilët konsolidohen më tej lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekzistojnë tashmë ndёrmjet dy Palëve.