2022.09.28 Messa del card. Roche a San Paolo - Regina Elisabetta 2022.09.28 Messa del card. Roche a San Paolo - Regina Elisabetta

Kard. Roche: Elizabeta II, me urti në krye të mbretërisë, e frymëzuar nga feja

Në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, sot paradite u kremtua Mesha përkujtimore për mbretëreshën e Anglisë, e cila u nda nga jeta më 8 shtator. Prefekti i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve kryesoi kremtimin, duke e kujtuar Elizabetën II për përkushtimin dhe urtinë e saj

R.SH. – Vatikan

Ndërsa në Britaninë e Madhe përfundoi periudha e zisë për mbretëreshën Elizabeta II, e cila ndërroi jetë më 8 shtator, e, nga dita e sotme, flamujt nuk janë më në gjysmë-shtizë, në Romë, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, prefekti i Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, kardinali Arthur Roche, kremtoi një Meshë në përkujtim të asaj, që – siç tha kardinali – i mungon shumë botës, e cila e deshi dhe e respektoi. Kremtimi u organizua nga ambasadorët e Australisë, të Kanadasë e të Mbretërisë së Bashkuar në Selinë e Shenjtë.

Margaritari i fshehur

Në homelinë e tij, prelati e kujtoi Elizabetën II si “grua të shkëlqyer, bashkëshorte tejet të dashur dhe nënë krenare”, por edhe si “sovrane të përkushtuar”, që e ushtroi pushtetin e saj me urti. Për të kuptuar se çfarë spikaste në të, duhet të shohim, theksoi Roche, “margaritarin e fshehur, që e bëri kaq të madhe”: “ajo e ndërtoi jetën mbi të vërtetat dhe vlerat e jetës së Krishtit, mbi misterin e Zotit bërë njeri, mbi fuqinë e dashurisë së Zotit, në gjendje të fitojë edhe kundër vdekjes, mbi dinjitetin e jashtëzakonshëm të çdo njeriu, mbi shpresën përtej dëshpërimit, mbi faktin se kjo jetë tokësore është një portë e rëndësishme për në Parriz e mbi bindjen se edhe tani - shtoi kardinali - mund ta shijojmë disi atë Parriz përmes mënyrës si jetojmë, si duam dhe si u shërbejmë me respekt atyre, që na rrethojnë”. Të gjitha, udhë, që çojnë “në madhështinë e vërtetë të shpirtit dhe në bujarinë e zemrës, në shërbim të të tjerëve”.

Feneri i fesë

Në Krishtlindjen e vitit 2014, kujtoi kardinali Roche, mbretëresha pati thënë se Krishti është shembulli, që duhet ndjekur për të “respektuar dhe vlerësuar të gjithë njerëzit, të çdo feje qofshin”. Dashuria e popullit të saj tregon se “Ungjilli, në të cilin besojmë, vlerat e jetuara nga Mbretëresha jonë e dashur, nuk janë të ndara nga jeta e përditshme”. “Nëse shohim pas, tani është e qartë – shtoi kardinali – se besimi i saj i krishterë, për të cilin ajo dëshmoi që në moshë të re, në një kohë kur bota po dilte nga brutaliteti i paparë i Luftës II Botërore, ishte diçka që i dha një besim plot guxim, që nga momenti i ngjitjes në fron, në vitin 1952 e deri në ditën e vdekjes”. “Për mbretëreshën nuk kishte ndarje ndërmjet besimit që shpallte dhe qenies së saj në krye të kaq shumë kombeve”. Një jetë e jetuar në perspektivën e Zotit dhe e përballuar me fe, prandaj, edhe sot, Elizabeta II mbetet një sovrane tejet e dashur, përfundoi kardinali Roche.

28 shtator 2022, 11:34