Kërko

2022.09.10 Catholic Theological Seminary in Karaganda, Kazakhstan 2022.09.10 Catholic Theological Seminary in Karaganda, Kazakhstan

Kazakistan, rektori i seminarit katolik: “Me Papën, nxitje për dialogun”

At Ruslan Rakhimberlinov, 39 vjeç, i emëruar kohët e fundit rektor i Seminarit Teologjik Katolik të vendit: “Katolikët, këtu grigjë e vogël, e presin Françeskun për të pasur më shumë vrull"

R.SH. - Vatikan

Mbi vizitën e Papës Françesku në Kazakistan flet At Rakhimberlinov, Rektor i Seminarit Teologjik Katolik të Kazakistanit, i vetmi seminar katolik në Azinë Qendrore. “Për ne, vizita e Papës Françesku në Kazakistan është mundësi që komuniteti ynë i vogël katolik këtu, 'grigja jonë e vogël', të marrë vrull të ri", pohon At Ruslan Rakhimberlinov, 39 vjeç, i emëruar kohët e fundit rektor i Seminarit Teologjik Katolik të vendit.

At Ruslan Rakhimberlinov, 39 vjeç, nga Karaganda, u emërua kohët e fundit rektor i ri i Seminarit Teologjik Katolik të Kazakistanit, i vetmi seminar katolik në Azinë Qendrore. Është rektori i parë i etnisë kazake që e drejton atë: “Jam prift i kësaj kombësie. Im atë quhet Khazak, ndërsa nëna është nga Ukraina, por ne kazakët gjithmonë e llogarisim kombësinë mbi bazë të babait" - pohon ai për Vatican News - nga Karaganda, teksa priste ardhjen e Papës Françesku në Nur-Sulltan më 13 shtator. Është Papa i dytë që viziton vendin, pas shtegtimit të Gjon Palit II, në vitin 2001. At Ruslan, dy vjet para kësaj vizite, u pagëzua të Dielën e Pashkëve.

Papa i dytë në Kazakistan

“Është hera e dytë që një Papë viziton ‘Kishën tonë’ në këto vite, që nga pavarësia e Kazakistanit” - kujton - “është gëzim i dyfishtë për  bashkësinë tonë seminarike. Në 20 vitet e jetës sonë, jemi i vetmi seminar në Azinë Qendrore. Ndaj shumë të lumtur, që Zoti po na e jep këtë hir”.

Nga pagëzimi në meshtari

Rakhimberlinov u takua për herë të parë me Kishën Katolike kur ishte 15-16 vjeç. Dy vjet më vonë, duke ndjerë  thirrjen dhe i inkurajuar nga një mik e nga prifti, që shërbente si rektor, vendosi të hynte në seminarin e Karagandës. Në vitin 2008, pas vitesh formimi, u shugurua meshtar ditën e kremtimit të festës së Shenjtorëve Pjetër e Pali, më 29 qershor. Gjatë gjithë këtyre viteve shërbeu si meshtar në famulli të ndryshme të Kazakistanit, veçanërisht në dioqezën e Karagandës.

Mendësi, që ndryshon

Gjatë viteve prifti ka hasur në disa vështirësi dhe paragjykime të kahershme që janë mjaft të përhapura. Ka hasur të njëjtët njerëz, që nxisin mosbesimin ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare: “Sipas tyre, nëse je kazak, duhet të jesh gjithmonë mysliman. Nëse je rus, ortodoks, ndërsa nëse je polak ose gjerman, duhet të jesh katolik. Dëgjoj shpesh biseda të këtij lloji, apo ndoshta edhe akuza: “Çfarë po bën atje? Ti je kazak dhe duhet të ndjekësh fenë e të parëve!”. Megjithatë, kjo mendësi - pohon Atë Ruslan, duket se po ndryshon dalëngadalë: “Sot njerëzit e respektojnë më shumë zgjedhjen e lirë të njeriut, e shumë edhe e kuptojnë zgjedhjen time, madje edhe të afërmit e mi”. “Për mua - shton ai - është përgjegjësi: ka shumë rëndësi që të njihet Ungjilli, besimi në Krishtin dhe Krishterimi këtu në Kazakistan, ku ai tashmë ka rrënjë të thella. Le të mësojnë njerëzit gradualisht se çfarë është Krishterimi, çfarë është Lajmi i Mirë, kush është Krishti Zot dhe çfarë roli luan Kisha Katolike”.

Sinodalitet,i i vënë në jetë

Në Kazakistan - thotë At Rakhimberlinov - Papa Françesku po takon “një kishë, që e njeh sinodalitetin dhe e vë në praktikë", sepse, vëren ai, “ne të gjithë e kuptojmë se bashkësia e katolikëve kazakë është grigjë e vogël”. Ata përfaqësojnë vetëm 1% të 19 milionë banorëve. Vendi është rreth 70% mysliman dhe 26% i krishterë, kryesisht ruso-ortodoks. “Ne priftërinjtë jemi të paktë, e po kështu edhe burrat e gratë ... E dimë se e ardhmja jonë si kishë nuk varet vetëm nga priftërinjtë dhe diakonët. Është e rëndësishme që laikët, pra besimtarët tanë, të kuptojnë mirë se cila është përgjegjësia e tyre në Kishën në Kazakistan, Kishën e së ardhmes”.

Përgatitja për vizitën e Françeskut

Në pritje të Papës, seminari u përgatit shpirtërisht, me disa grupe lutjesh dhe takime nëpër famulli, veçanërisht duke pasur parasysh magjisterin e Papës Françesku. Në veçanti, rektori shpreh vlerësimin e tij për enciklikën “Fratelli tutti”, mbasi kujton se “jemi shumë afër dialogut ndërmjet të gjithë vëllezërve tanë”:

“Jemi përgatitur për këtë vizitë - pohon prifti - për t’i dhënë shtysë një dialogu më të pasur dhe jo vetëm për ne katolikët, por edhe për vëllezërit tanë ortodoksë, për vëllezërit tanë myslimanë, sepse prania myslimane në Kazakistan është shumë e madhe”.

14 shtator 2022, 12:55