Nga fetë e bashkuara në Kazakistan përkushtimi për të mbrojtur dialogun
R.SH. - Vatikan
Udhëheqësit e feve botërore marrin përsipër të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar qё aktivitetet tё jenё në favor të dialogut ndërmjet besimeve, kulturave e qytetërimeve dhe në Nur-Sulltan ata nënshkruan premtimin për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në favor të paqes, duke njohur mbi të gjitha rëndësinë dhe vlerën e Dokumentit mbi ‘Vëllazërinë Njerëzore për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët’, nënshkruar në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i al-Azhar al-Tayyib.
Besimet nuk janë ekstremizëm dhe radikalizëm
Deklarata Përfundimtare, e cila doli nga Kongresi VII i cili u mbyll sot në Kazakistan, përcakton, kёshtu, angazhimin e feve, në një botë të prekur nga pandemia, globalizimi i proceseve botërore dhe kërcënimet ndaj sigurisë, për të zbatuar "përpjekjet e përbashkëta që pёrforcojnё dialogun civil" në emër të paqes dhe bashkëpunimit, si dhe në promovimin e vlerave shpirtërore e morale. Udhëheqësit e feve thanë se janë të bindur se nga çfarëdo konflikti gjenerohet një reaksion zinxhir që mund të çojë në "shkatërrimin e sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare". “Ekstremizmi, radikalizmi, terrorizmi”, shpjegojnë ata, si dhe çdo formë dhune dhe lufte, nuk kanë asnjë lidhje me fenë. Nga kёtu, nxitja drejtuar qeverive dhe organizatave ndërkombëtare për t’i mbështetur "grupet fetare dhe komunitetet etnike të prekura nga ekstremistët dhe terroristët, për t'i dhënë fund konflikteve në çdo pjesё të botës dhe për të zhvilluar dialogun", duke u zotuar të garantojnë pjesëmarrjen aktive në zgjidhjen e konfliktet.
Toleranca dhe mirëkuptimi i ndërsjellë
Pluralizmi dhe dallimet e fesë, ashtu si edhe të racës, gjinisë e gjuhës, lexojmë në Deklaratë, "janë shprehje e urtësisë së vullnetit të Zotit, me të cilën Ai e krijoi njeriun", për këtë arsye çdo akt shtrëngimi "drejt një feje dhe doktrine të caktuar fetare është i papranueshëm". Teksti kërkon mbështetje për çdo nismë që synon zbatimin e dialogut ndërfetar dhe ndërkonfesional; theksohet bashkimi me përpjekjet e Kombeve të Bashkuara dhe çdo entiteti tjetër për të nxitur dialogun ndërmjet qytetërimeve, feve dhe kombeve; Shteteve u kërkohet të garantojnë kushte të mira jetese për qytetarët e tyre dhe të zvogëlojnë hendekun në mirëqenien ndёrmjet vendeve të ndryshme të botës; inkurajohet qё të ruhen vlerat shpirtërore dhe orientimet morale në shoqëri; tё njihet rëndësia e rolit të udhëheqësve fetarë dhe diplomacisë fetare. Toleranca, respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, janë nxitje, ndaj janë “qëllimi i çdo predikimi fetar”.
Një tekst për brezat e ardhshëm
Deklarata, e ndarë në 35 pika, kërkon që të mos identifikohen ekstremizmi dhe terrorizmi me kombet dhe fetë paqedashëse; zgjerimi i rolit të edukimit dhe mësimdhënies fetare; pastaj kërkon përforcimin e institucionit të familjes dhe mbrojtjen e dinjitetit e të tё drejtave të gruas. Teksti bën thirrje gjithashtu për mbështetje të atyre zonave tё botës qё janё të prekura nga konfliktet ushtarake dhe fatkeqësitë natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, si dhe organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare qё t’i bёjnё përpjekjet e tyre për t’i kapërcyer pasojat e pandemisë së koronavirusit. Kjo deklaratë dhe rezultatet e Kongresit janë konkluzioni, e pritet të bëhen “një orientim i rëndësishëm për gjeneratat moderne dhe të ardhshme të njerëzimit, për të promovuar një kulturë tolerance, respekti reciprok dhe qetësie”. Emërimi i ardhshëm me Kongresin e Udhëheqësve Fetarë, gjithnjë në Kazakistan, do të jetë në vitin 2025.